Burrështetas të uritur si “shtatë shkije”!

Burrështetas të uritur si “shtatë shkije”!

Xhevdet POZHARI

Sot PDK’ja vepron sipas parimit se nuk është me rëndësi përmbajtja e idesë, por se sa përkrahës ka ajo. Njëjtë siç ka vepruar edhe kur u votua Demarkacioni&Asociacioni, Gjykata Speciale, e tash edhe finalizimi i dialogut me Serbinë që nënkupton edhe korrigjimin e kufijve me Serbinë, thënë ndryshe – humbjen e veriut.

Në të gjitha rastet, kur iu mungonte legjitimiteti nga votuesit, në shërbim të saj viheshin partitë e tjera politike, siç ndodhi me LDK’në në rastin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe themelimim e Gjykatës Speciale, AAK’në për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, e tash me PSD’në në rastin e përmbylljes së dialogut me Serbinë. PDK iu ofronte një copë pushtet të gjithë atyre që i lëshonte durimi duke qenë opozitë. Të pabindurit ngelnin vetëm përballë të gjithve.

Jo rastësisht, në media ulërinin analistë që gjykonin ashpër thyerjen e xhamave të ndërtesës së Qeverisë, ndërsa për proceset ku Kosova si shtet vetëm pësonte humbje, të njëjtit deklaronin me lehtësi se janë procese të domosdoshme dhe të pakthyeshme. Kjo ngaqë fitimtarë të vetëm të këtyre proceseve ishin pushtetarët tanë pasuruar në kurriz të fatkeqësisë se popullit, ata që kontrollojnë fatin dhe xhepin e “analistëve” dhe shumë mediumeve.

Loja përsëritet. Skenari është i njëjtë – Vetëvendosje sërish duhet të ngelet e vetmuar. E “rrezikshme” dhe e “pa korrigjueshme”. Proceset e dëmshme duhet të cilësohen si të domosdshme dhe të pakthyeshme. Gjykata Speciale është shnderruar shndërruar në çekiç që i rri mbi kokë secilit ish komandant që nuk bindet. Sepse ata e dinë se edhe po të shpallen të pafajshëm në rast të gjykimit, 2-3 vite larg skenës politke, do të thonë fund i karrierës politike.

“Moment historik që nuk do të përsëritet më ndoshta kurrë”, është shprehja që do të dëgjohet gjithnjë e më shpesh nga negociatorët e tanishëm. Paqe ose luftë me Serbinë, do të jenë alternativat që do të na i ofrojnë sidomos kur para popullit do të publikohet haptazi marrëveshja finale. Dhe natyrshëm, shumica do të jenë për paqen që e paguam shtrenjtë shkaku i dështimit të atyre që nuk ngopeshin dot me një burek në kaluarën, e sot nuk ngihen nëse do ta hanë krejt Kosovën. Copë – copë.

Gjyshja ime e ndjerë për të përshkruar pangopesinë e dikujt përdorte shprehjen “hante si shtatë shkije”. Dhe kur shoh gjithë këtë pangopesi për pushtet, më ndërmendet thënia e saj. Sepse në fund të fundit, në një vend ku flet thellësia e xhepit e jo koka, gjithmonë do të varemi nga mëshira e të pushtetshmit.