Bytyçi: Vuçiq udhëheq krimin e organizuar në Serbi

Ilir Bytyçi, vëllai i tre dëshmorëve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, luftëtarë të UÇK-së që u vranë pas përfundimit të luftës nga forcat serbe, ka thënë se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk është president shteti, por është një lider i krimit të organizuar.

Ai ka thënë se Serbia ka përgjegjësi për vrasjen e vëllezërve të tij.

“Në Kosovë nuk ka kriminelë lufte dhe kriminel të tjerë. Ata janë në Serbi dhe të gjithë janë në Parlamentin e Serbisë. Ka kriminelë lufte, ka kriminel të krimit të organizuar dhe Vuçiq është bosi i bosëve. Ai ka dhënë shumë premtime për zbardhjen e vrasjes së vëllezërve të tanë dhe nuk e kam mbajt këtë premtimin. Ai është bos i krimit dhe bos i kriminelëve”, tha Iliri, për RTK.

Ai po ashtu tregoi se kongresmenët amerikanë i kanë bërë të ditur Serbisë se nuk do të mund të hyjë në BE, nëse nuk e zbardhin rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyçi.

Iliri ka treguar se SHBA ka vënë sanksione ndaj ish-oficerit të lartë të policisë serbe Goran Radosavleviq i njohur “Guri” dhe ndaj familjes së tij, si përgjegjës për vrasjet e tre vëllezërve Bytyçi në vitin 1999.

Goran Radosavleviq – Guri ka qenë komandant i xhandarmerisë serbe. Ndërkaq lidhur me vrasjen e tre vëllezërve Bytyqi, ai ishte marrë në pyetje nga gjykata e Serbisë. Njëri nga dëshmitarët kishte thënë në gjykatën e Negotinit në vitin 2017, por edhe më herët më 2014 dhe 2013, se në momentin kur janë ekzekutuar vëllezërit Bytyçi  në vendin e ngjarjes ka qenë Goran Radosavleviq që asokohe ishte zyrtar i lartë i forcave speciale të policisë serbe.

Vëllezërit Ilir, Agron dhe Mehmet Bytyqi ishin vrarë në korrik të vitit 1999 në Petrovo Sello në afërsi të Klladovës në pjesën lindore të Serbisë. Ndërkaq, trupat e tyre të pajetë ishin gjetur në qershor të vitit 2011 në varrezën masive në po të njëjtin vend ku edhe ishin vrarë (Petrovo Sello). /Telegrafi/

TAGS