Për pagën e dhjetorit kemi rritje tek më shumë se 106 mijë punonjës në shtetin tonë, me çka është realizuar targeti mes 20 dhe 25 për qind nga të punësuarit në sektorin real të marrin rritje të pagave nga 600 deri në 6.000 denarë në bazë të masës për subvencionimin e kontributeve për rritjen e pagave.
Këtë e deklaroi zëvendëskryeministrja për çështje ekonomike, Mila Carovska, e cila së bashku me drejtoreshën e DAP-it Sanja Lukarevska sot i vizitoi hapësirat e kompanisë “Dauti komerc” në Saraj, e cila është shfrytëzuese e masës për subvencionimin e rritjes së pagave.
“E realizuam targetin të cilin e vendosëm për vetëm dy muaj. Pres që kjo masë edhe më tej t’i realizojë pritjet dhe gjatë tërë vitit këta punonjës i marrin mjetet më të larta. Shuma mujore e mjeteve të ndara nga Buxheti për këtë masë, që direkt transferohen në fondet për sigurim shëndetësor dhe invalidor është 200 milionë denarë. Për pagën e dhjetorit janë paguar diçka më shumë se 150 milionë denarë, që do të thotë se ende kemi mundësi për përfshirje të punonjësve në kuadër buxhetore”, deklaroi Carovski.
Pritjet, nënvizoi ajo, janë të realizueshme dhe presim në raportet statistikore që të tregohet se rritja e pagave ka tendencë të mirë, të përshpejtuar, me çka direkt ndikojmë në përmirësimin e cilësisë së jetesës dhe standardit jetësor të qytetarëve tanë.
Drejtoresha e DAP-it Sanja Lukarevska tha se tatimpaguesi “Dauti komerc” është shembull evident për suksesin e masës së subvencionimit të kontributeve.
“Flasim edhe për ato lehtësime tatimore, lirime të cilat i promovon Qeveria dhe nëse i kanë shfrytëzuar. Mund të them për herë të parë në këtë tatimpagues informojnë se nga 1 maji DAP-i do të bëjë një sistem të integruar, ku formulari për Llogaritje mujore për pagesë të integruar (LLMPI) do të lidhet me sistemin E-tatimi personal dhe në bazë të kësaj të gjitha të ardhurat gjegjësisht pagesat të cilat vijnë nga Tatimi mbi të ardhurat personale do të jenë në një sistem. Mendoj se funksionojmë vetëm për t’i bërë të gjitha proceset në DAP të jenë të thjeshta, të shpejta dhe të lehta”, deklaroi Lukarevska.
Drejtori i “Dauti komerc” Hakim Dauti, e përshëndeti masën për subvencionimin e pagave, duke theksuar se 71 për qind nga gjithsej 340 të punësuar ishin të përfshirë me masën.
“Ky ishte një motiv i mirë që të rriten pagat dhe të jenë të gjithë të kënaqur. Janë rritur pagat për 12 për qind. Paga mesatare te ‘Dauti komerc’ sot është mbi 25 mijë denarë”, deklaroi Dauti.