Çfarë kulture po konsumojmë?

Çfarë kulture po konsumojmë?

Hamdi Nuhiju

Në botën shqiptare, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe në Luginë të Preshevës, po edhe në diasporën shqiptare po lexojmë dhe dëgjojmë për raste të ndryshme të dhunës në familje, të shtimit të bandave shqiptare, të konsumimit dhe shitjes së drogës. Sidomos jemi tronditur nga lajmet e tilla ku nusja e djalit përjashton nga shtëpia vjehrrën, ku djali ther me thikë babain, burri gruan. Raste të këtilla kemi dëgjuar nga mediet në Shqipëri ,Kosovë , po edhe në Maqedoni. Secili rast në mënyrë specifike ka historikun e vet dhe trajtimin që duhet të marr nga komponentët.

Mediet botërore shpesh herë raportojnë për bandat shqiptare që janë në rritje e sipër sidomos në Angli dhe në Itali, ndërsa tashmë është e ditur botërisht për rrjetin e prostitucionit në Itali.

Shqiptarët janë të njohur edhe për kontrabandimin e drogës në Holandë, si dhe tregtisë me njerëz në Itali si dhe në tërë Evropën. Në kronikat ditore të zeza, shqiptarët kryesojnë listën e personave që trafikojnë emigrantët përmes rrugëve ilegale nga Lindja e Mesme.

Nëse keni pasur rastin t`i përcillni emisionet hulumtuese në Tiranë, keni pasur mundësinë që të informoheni se sa shumë të rinj të shkollave të mesme të Tiranës, por edhe të tërë Shqipërisë e konsumojnë drogën. Me sa lehtësi shitet droga në oborret e shkollave dhe se për këtë gjë deri më tani nuk është ndërmarr asnjë hap konkret drejt përmirësimit të gjendjes.

Po ashtu edhe në Maqedoni, në disa shkolla të mesme haptas shitet hashashi, madje dihen nga të gjithë, pikat e shitjes, përveç policisë e cila siç duket veshët i ka futur nën kapelë, ndërsa sytë prapa maskave, për të mos parë e dëgjuar asgjë. Lexuesi duket i hutuar nga titulli i këtij shkrimi dhe trajtimi i temës deri në këtë pikë. Çka ka të përbashkët konsumimi i një lloji të kulturës me krimin dhe llojet e ndryshme të tij?

Përgjigjen e kësaj pyetje shumë sociolog në botën shqiptare duhet që ta hulumtojnë, ndërsa opinionistët duhet të nxisin dhe alarmojnë për temat e këtilla. Në botën shqiptare fatkeqësisht po konsumojmë një kulturë e cila po nxit dhe po prodhon kronikën e zezë.

Fatkeqësisht flitet për vlera në të gjitha sferat dhe spektaklet, ndërsa prodhohen anti-vlera dhe gjëra të dëmshme për hemisferën shqiptare.

Ndalemi pak në Kosovë tek disa prej spektakleve televizive. Keni dëgjuar për serialet e famshme si Shengen Visa, Te Nazi, Ekspertiza, skeçet e Stupcave, si dhe emisionet Në Kosovë Show, Odeon, Kojshia Show. Dhe e dini se çka bëhet fjalë aty? Seriale të mbushura me të shara dhe me sjellje destruktive që prodhojnë vetëm dhunë, urrejtje, nxitje për dhunë dhe akte të turpshme morale.

Shkojmë në Shqipëri dhe ndalemi pak te serialet e famshme Klanifornia, Al Pazar, Portokallia, emisionet hulumtuese si Stop, Fiks Fare, Boom, si dhe emisionet tjera. A e dini mesazhin që jepet aty? Në këto seriale mund që të shohim skena që nxisin për prishjen e raporteve familjare, skena erotike, nxitje për dhunë, pornografi thuajse të pastër dhe sulm të vazhdueshëm ndaj vlerave fetare qofshin ato krishtere ose islame.

Këto dy shkolla, Kosova dhe Shqipëria prodhojnë material të vazhdueshëm dhe të mjaftueshëm edhe për konsumin e brendshëm në Maqedoni, por edhe në diasporën shqiptare.

Pastaj po habitemi me shifrat alarmante nga kronika e zezë. Thënien e urtë popullore “Më trego cilin e ke shok, të tregoj se kush je” do ta kisha zëvendësuar me thënien “Më trego çfarë kulture konsumon të tregoj se çfarë kronike të zezë ke”.