Xhenis Sulimani
Emri i shteti nuk e përcakton edhe sistemin politik të Republikës së Maqedonisë. Maqedonia dhe banorët e etnive të ndryshme që jetojnë në këtë shtet nuk kanë vuajtur deri tash nga Republika Socialiste e Maqedonisë, as nga Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, … por kanë vuajtur nga mendësia e mbrapsht e qeverisjes dhe nga një sistem politik që nuk numëron vlera.
Etnitë në Maqedoni kanë vuajtur nga të qenurit peng e disa mafiozëve, të cilët janë shitur si patriotë e njohës të historisë dhe kanë manipuluar me masat. Të njëjtit çfarëdo emri të shtetit të bartin, matrapaz do mbeten.
Nga të a.q. bomba e Zoran Zaev, jo më shumë se dy vjet, ne u vërtetuam se edhe të përzgjedhurit tanë nuk janë aq legjitim sa rrahin gjoks në publik. Procesi gjyqësor për manipulime zgjedhore është në proces e sipër. Me çfarëdo emri të shtetit manipuluesi, manipulues mbetet.
Maqedonasit bashkë me shqiptarët plotë 27 vjet nuk arritën kohezion politik dhe gjithë kjo për fajin e elitave politika, të cilët ishin të paaftë për ta bërë një gjë të tillë. Me çfarëdo emri të shtetit, të njëjtit uzurpues të ardhmërisë do të mbeten.
Elitat politike në Maqedoni jetojnë shumë gjatë, sikur askund tjetër. Veprimtaria e tyre politike kap edhe 3 dekadëshin. Gjë kjo që vërteton shërbimi (Lexo: robëria) ndaj elitave është i tejtheksuar, nuk kemi liri qytetare. Qytetarët në ambient të këtillë veprojnë të deleguar dhe s’bëjnë asgjë pa aminin e partisë ose qendrave të interesit. Quaje shtetin e të këtillëve si të duash, kthesa shpirtërore politikbërjes vështirë të arrihet.
Opinionistë, gazetarë, publicistë, … që këndvështrimin e analizës dhe informacionit e kanë me ngjyra partiake, në shtet me çfarëdo emër propagandues të këqij do mbeten.
Shohë reagime të shumta për një propozim emër të shtetit ku po jetojmë. Ka këndvështrim fetar, ka partiak, spin muhabete e çka jo tjetër. Një duhet ta kenë të qartë qytetarët, për tu mos u manipuluar dhe për të mos rënë në propagandën famëkeqe. T’i kenë parasysh të theksuarat më lartë. Të kenë në mbamendje se sistemi politik i një shtetit kultivohet me kulturë politike. Kultura politike pastaj i jep reflektim shtetit dhe jo emri i cili mban ai shtet. SHBA-në nuk e ka bërë fuqi botërore emri, por qytetarët, mendësia e përparuar. Mendësi, e cila ka reflektuar nga edukata familjare, që ka reflektuar në institucione dhe ka rezultuar me sukses.
Si përfundim, ky shtet le të quhet si të doje, ka pak rëndësi, së paku për mua personalisht. Me rëndësi është ne të bëhemi të mirë, të dimë kë të zgjedhim dhe të dimë si të ballafaqohemi me punët shoqërore të interesit të përgjithshëm. Ne shtiremi si shumë të mirë, ndërkaq jemi fajtorë për gjithçka të keqe që përmenda deri tash.