Challandes: EURO 2020? Nuk është ëndërr e pamundur

Challandes: EURO 2020? Nuk është ëndërr e pamundur

Pjesë e dokumentarit të rrjetit televiziv australian, Sport Optus, është edhe trajneri i ekipit kombëtar të Kosovës, Bernard Challandes, i cili ka folur për synimet e Kosovës.

Trajneri Bernard Challandes beson se përkundër që pjesëmarrja e Kosovës në EURO 2020 do të ishte një sukses i mrekullueshëm, kjo arritje nuk është një ëndërr e pamundur për kosovarët, raporton Gazeta Express.

Zvicerani e thekson një arritje të tillë si të mrekullueshme pasi që futbolli në Kosovë ishte zhvilluar jashtë shtëpive të futbollit deri në vitin 2016, mirëpo brenda një kohe të shkurtër, ekipi kombëtar ka arritur ta dëshmojë veten.

“Liga e Kombeve ishte shumë, shumë e mirë për një vend si Kosova sepse me këtë ligë ti mund të përfundosh e para në grup dhe pastaj i ke vetëm dy ndeshje, gjysmëfinalen dhe finalen… dy ndeshje dhe mund të bëhesh pjesë e Kampionatit Evropian”, ka thënë Challandes në një intervistë për Optus Sport.

“Kosova, pjesë e Kampionatit Evropian? Pas vetëm katër vjetëve, kjo është e mrekullueshme. Por, nuk është ëndërr e pamundur”.

“Dardanët” triumfuan në Grupin 3 në Ligën D të Ligës së Kombeve. Pasi u shpallën fitues të këtij grupi, Kosova e zuri një vend në play-offs për kualifikime në EURO 2020.

Në gjysmëfinale të play-offs, Kosova do të përballet me Maqedoninë. Nëse e fiton këtë ndeshje, skuadra e Bernard Challandes, në finale, do të përballet me fituesin e gjysmëfinales tjetër, mes Bjellorusisë dhe Gjeorgjisë.

Mirëpo, para se të vijnë ato ndeshje, Kosova e ka mundësinë ta sigurojë kualifikimin përmes një rruge tjetër. Kjo rrugë është përmes kualifikimit nga Grupi A, ku Kosova përballet me Anglinë, Republikën Çeke, Bullgarinë dhe Malin e Zi.

Aktualisht, pas barazimit të mbrëmshëm 1:1 me Bullgarinë, Kosova radhitet në pozitën e tretë, me një ndeshje më pak të zhvilluar se dy skuadrat e radhitura para saj, Bullgaria dhe Anglia. /Gazeta Express/

TAGS