Challandes para ndeshjes me Anglinë: Nuk e mendonim se pas katër xhirove luftojmë për kreun

Challandes para ndeshjes me Anglinë: Nuk e mendonim se pas katër xhirove luftojmë për kreun
20:09 | 9 Shtator 2019

Selektori i Kosovës, Bernard Challandes, ka mbajtur konferencën e parë për shtyp, pas mbërrijtjes në Angli.

Kosova do të ketë testin më të vështirë në këto eliminatore, në ndeshjen që luan nesër në Angli.

Dardanët futen shumë të motivuar, pas fitores kundër Çekisë, por dihet se kualiteti është në anën e anglezëve.

Gjithsesi, para duelit të vështirë, Challandes ka thënë se do të japin maksimumin, dhe pse jo të bëjnë befasinë.

“Frikë nuk është fjala e duhur ta përdorim, por duhet të jemi realist, rezultatet e tyre të fundit janë 5-0, 1-5, 4-0. Ne jemi Kosova, ekipi më i vogël në grup, patjetër se duhet të kemi respekt. Asnjëherë s’kemi menduar se pas katër ndeshjeve në këtë grup, do të luajmë kundër Anglisë për të diskutuar vendin e parë”, ka thënë fillimisht selektori Challandes, përcjell lajmi.net.

“Është e qartë se do të jetë ndeshje e vështirë, por është mundësi e mirë për ekipin tonë për të parë cila është elita e futbollit evropian. Kur kemi qenë në tërheqje të shorit, gjithë kanë thënë Anglia e para, Çekia e dyta, e më pas tjerat, askush s’ka menduar për Kosovën, Por jemi këtu dhe kemi rast për të luftuar për kualifikim deri në ndeshjen e dytë kundër Çekisë”, shtoi tutje zvicerani.

“Është në filozofinë time që të ëndërroj, në të kundërtën s’duhet të ishim këtu. Do të shohim nesër çfarë mund të bëjmë e s’mund të bëjmë, sido që të jetë kjo është e mirë për Federatën, për të gjithë”, ka thënë ndër të tjerash trajneri.

Mbetet të shihet se çfarë ka përgatitur Challandes për këtë ndeshje të madhe. /Lajmi.net/

TAGS