Cigaret elektronike ndikojnë në qarkullimin e gjakut

Cigaret elektronike ndikojnë në qarkullimin e gjakut

Sipas një studimi të ri, përdorimi i cigareve elektronike shkakton ndryshime në funksionimin e sistemit kardiovaskular, ndonëse lëngu i tyre nuk përmban fare nikotinë.

Studimi i publikuar të martën në revistën “Radiology”, tregon se përdorimi i përkohshëm i këtyre cigareve ka ndikim në sistemin kardiovaskular te personat e shëndoshë. Përmes skanimeve u vërtetua se qarkullimi i gjakut në arteriet e këmbëve ndryshoi vetëm pas një përdorimi të këtij produkti.

Shkencëtarët, megjithatë, nuk arritën të përcaktonin se cili element kimik ishte përgjegjës për këtë ndryshim.

“Nëse njerëzit i përdorin këto cigare vazhdimisht, ka gjasa që gjendja e qarkullimit të gjakut të mos kthehet më në nivele normale”, tha Felix Wehrli,  profesor i radiologjisë dhe biofizikës në Universitetin e Pensilvanisë.

Ky është një ndër studimet e shumta që po bëhen për ndikimin e këtyre cigareve në zemër, qarkullimin e gjakut, mushkëri dhe tru, ndonëse ekspertët thonë se hulumtimet ende janë në faza fillestare, sepse shumica janë bërë në laboratore dhe kafshë, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.

TAGS