Cili kandidat për kryeministër merr më së shumti pëlqime në Facebook

Cili kandidat për kryeministër merr më së shumti pëlqime në Facebook

Në kohën kur zgjedhjet po afrohen, komunikimi me publikun është shumë i rëndësishëm. E mënyra më e lehtë për ta bërë këtë është përdorimi i rrjeteve sociale. E politikanët kosovarë preferojnë më së shumti rrjetin social Facebook, duke pasur parasysh se ai është edhe më i përdoruri nga qytetarët.

Çdo ditë, kandidatët për postin e kryeministrit të vendit postojnë shumë fotografi e video, madje disa prej tyre edhe paguajnë që postimet e tyre të shikohen e të shpërndahen sa më shumë.

Por cili kandidat ka marrë më së shumti pëlqime në dhjetë postimet e fundit.

Me më së shumti pëlqime, qëndron Albin Kurti, i cili është aktiv në rrjetet sociale. Ai në dhjetë postimet e fundit ka grumbulluar gjithsej 35.900 pëlqime. Postimi i tij më i pëlqyer është videoja e cila është shpërndarë rreth aktiviteteve partiake në Porozhan. Në këtë video, ai ka marrë 5.900 pëlqime, 303 zemra, 14 simbole me të qeshura, 8 simbole që tregojnë habinë, ndërsa 3 simbole që tregojnë nervozizëm.

E dyta në listë qëndron kandidatja për kryeministre nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo në dhjetë postimet e fundit ka arritur të grumbullojë 13.200 pëlqime. Nga dhjetë postimet e fundit, më i pëlqyeri është ai rreth vizitës së saj në komunën e Gjilanit. Në këtë postim, Osmani numëron 3.500 pëlqime, 72 zemra, 24 simbole që tregojnë habinë dhe 3 simbole me të qeshura.

I treti në listë qëndron kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Ai në dhjetë postimet e fundit ka arritur të grumbullojë 12.160 pëlqime. Postimi i tij më i pëlqyer prej dhjetë postimeve të fundit është fotografia me një afarist kosovar. Ai në këtë postim ka mbledhur 3.400 pëlqime, 17 zemra, 14 simbole me të qeshura, 1 simbol që tregon habinë dhe 1 simbol që tregon nervozizëm.

I katërti në listë, qëndron kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj. Ai në dhjetë postimet e fundit ka arritur të mbledhë 7.460 pëlqime. Nga të dhjetë postimet, më i pëlqyeri është ai i fotografive gjatë vizitës në pikën kufitare tek Dheu i Bardhë. Në këtë postim, ai ka mbledhur gjithsej 2.500 pëlqime, 24 zemra, 2 simbole që tregojnë habinë dhe 1 simbol që tregon qeshje.

Ndërsa i pesti në listë qëndron kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Ai gjithsej në dhjetë postimet e fundit ka mbledhur rreth 2.110 pëlqime. Postimi i tij më i pëlqyer është fotografia e tij dhe ftesa që i bën qytetarëve që ta ndjekin në debat publik. Aty ai ka marrë gjithsej 444 pëlqime, 1 zemër, 1 simbol që tregon habinë dhe 1 simbol që tregon nervozizëm.

Por ato që janë më të pëlqyeshme, janë pëlqime që kandidatët do t’i marrin nga kutitë e votimit me 6 tetor të këtij viti, shkruan gazeta Express.

TAGS