Çka do të flasin liderët e VV’së dhe LDK’së në takimin e sotëm

Çka do të flasin liderët e VV’së dhe LDK’së në takimin e sotëm

Gjatë ditës së sotme pritet të mbahet takimi i dytë mes grupeve punuese të LVV-së dhe LDK-së. Në këtë takim pritet të diskutohet rreth harmonizimit të qëndrimeve mes dy subjekteve, politikave të brendshme dhe atyre të jashtme. Anëtarë të ekipeve kanë bërë të ditur se temë e bisedave të sotme do të jetë edhe dialogu me Serbinë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të zhvillojnë takimin e dytë në kuadër të grupeve punuese gjatë ditës së sotme.

Duke filluar prej orës 15:00, në Selinë Qendrore të LVV-së, në Prishtinë, përfaqësuesit e dy subjekteve do të diskutojnë rreth harmonizimit të programit qeverisës, rreth politikave të brendshme dhe atyre të jashtme, duke përfshirë edhe dialogun me Serbinë.

Rrjedhimisht anëtarët e ekipeve punuese të këtyre partive kanë thënë për gazetën se takimi i sotëm do të jetë vazhdimësi e takimit të parë të grupeve punuese, i cili u mbajt në fund të javës së kaluar, shkruan më tutje Gazeta “Zëri”.

Ndonëse nga ekipet punuese kanë thënë se ende nuk është diskutuar për ndarjen e dikastereve qeveritare, zyrtarë të LVV-së tashmë kanë pohuar disa herë radhazi se Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme i takojnë Vetëvendosjes.

Por nga LDK-ja kanë bërë thirrje të mos vendosen të tilla kushte para se t’i nisin bisedat në këtë drejtim.