Çka përfitoni nga ngrënia e çokollatës?

Çka përfitoni nga ngrënia e çokollatës?

Ilustrim: Charisse Kenion

Për të gjithë ata që pëlqejnë ‘mëkatin’ e ëmbël sot ka një lajm të mirë, 13 shtatori është Dita Ndërkombëtare çokollatës, produkti që ka joshur ndër shekuj njerëzimin.

Pikë së pari, ajo që duhet të dini është se emërtimi çokollatë vjen nga pija Xocóatl, e cila prodhohej nga astekët dhe s’ishte gjë tjetër veçse një përzierje e ujit me kakao dhe vanilje.

Nga studiues të ndryshëm besohet se bima e kakaos e cila është baza kryesore e çokollatës, ka qenë e pranishme mbi 6000 vjet më parë në lumenjtë Amazona dhe Orinoko.

Ajo mundi të bëhej e njohur për qytetërimin evropian në vitin 1502 kur Kolombi, përgjatë udhëtimeve të tij, mbërriti në Honduras dhe provoi pijen me bazë kakaoje. Më pas, në shek. XVII ajo u kthye në luksin e aristokracisë europiane.

Koha rrodhi dhe magjia e çokollatës përfshiu rangje të ndryshme shoqërore duke u shndërruar në fare pak kohë, në një produkt global.

Çokollata ka dhe disa përfitime shëndetësore dhe këshillohet të konsumohet çokollata e zezë sepse ajo është më e shëndetshmja.

1.Çokollata mbron nga hemoragjia cerebrale

Nga një studim suedez i vitit 2011, rezultoi se gratë që konsumojnë më shumë se 45 gramë çokollatë në javë, kanë 20% më pak mundësi të preken nga hemorragjia cerebrale sesa femrat që konsumojnë më pak se 9 gramë çokollatë.

2.Çokollata përmirëson funksionimin e zemrës

Një nga arsyet përse çokollata e zezë është veçanërisht e shëndetshme për zemrën është aftësia e saj për të luftuar inflamacionin. Kjo redukton dhe rreziqet kardiovaskulare.

3.Çokollata lufton diabetin

Nga një studim italian i vitit 2005, rezultoi se ngrënia e rregullt e çokollatës rrit prodhimin e insulinës, duke reduktuar kështu rrezikun e diabetit.

4.Çokollata mbron lëkurën

Harrojini ato që keni dëgjuar se çokollata ju shkakton akne. Çokollata e zezë në fakt ju bën mirë për lëkurën. Antioksidantët flavonoidë që gjenden te çokollata e zezë, ju ofrojnë mbrojtje nga rrezet ultravioletë të diellit. Por kjo nuk do të thotë se duhet të hiqni dorë nga kremi mbrojtës.

5.Çokollata përmirëson humorin

Nuk mund ta mohoni që ngrënia e ëmbëlsirave ju bën të ndiheni mirë. Konsumuesit e çokollatës gjithashtu shprehen se ndihen më pak të stresuar.

6.Çokollata përmirëson qarkullimin e gjakut

Kakaoja hollon gjakun dhe ka efekte të ngjashme me aspirinën. Kjo ndihmon në presionin dhe qarkullimin e gjakut.

7 .Çokollata të bën më inteligjent

Rritja e presionit të gjakut që shkon drejt trurit, i shkaktuar nga flavanoli që ndodhet në kakao, duket se i bën njerëzit të ndihen më inteligjentë dhe, sipas një studimi britanik, përmirëson aftësitë përllogaritëse. /ATSH/

TAGS