Covid 19 a do ta ndryshoj rendin edhe në Maqedoninë e Veriut?

Covid 19 a do ta ndryshoj rendin edhe në Maqedoninë e Veriut?

Hamdi Nuhiju

U bënë gati dy muaj prej kur në Maqedoninë e Veriut presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski në konsultim me Këshillin e Sigurimit, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të epidemisë globale Covid 19. Janë ndërmarr disa masa më të forta dhe më të buta në drejtimin e parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundje, është nxjerr në pah sistemi i kalbur shëndetësor dhe parregullsitë e shumta që ekzistojnë në disa spitale të qyteteve të caktuara si për shembull në Kumanovë dhe në Tetovë. Informacionet që po qarkullojnë në rrethet e gazetarëve tregojnë për probleme të shumta midis ekuipazhit  dhe menaxhmentit të spitalit në Kumanovë. Kumanova u bë e njohur edhe me pres konferencën e famshme të Shtabit gjeneral të Krizave ku kryetari i komunës rezultoi që të jetë pozitiv ndaj Covid 19. Nga goja e Maksim Dimitrievskit dolën akuza të ndryshme në drejtim të qeverisë duke e quajtur në disa nuanca edhe si qeveri regjimi, ku po ashtu pamë edhe mohimin nga kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, në emisionin Rruga Drejt, se Dimitrievski nuk ka të drejt ta quaj qeverisjen e tij regjim.

Covid 19 e gjeti Maqedoninë e Veriut me një qeveri teknike ku në të po merr pjesë edhe VMRO-DPMNE me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të duhej të mbaheshin me 12 prill të këtij viti. Partitë politike vetëm se i patën ndezur motorët e tyre duke u përgatitur për t`u futur në një garë të nxehtë.

VMRO-DPMNE me tashmë ish ministren Mirzahi tentoi që të krijonte një krizë qeveritare edhe në qeverinë teknike me heqjen e tabelave Maqedonia e Veriut dhe vendosjen vetëm të tabelave Republika e Maqedonisë, ku menjëherë ky veprim pasoi me një shkarkim të ministres.

Erdhi Covid 19, zgjedhjet e caktuara që të mbaheshin me 12 prill u anuluan. Prioritet i lartë shtetëror u bë lufta ndaj kësaj pandemie e cila po merr jetë njerëzish dhe të cilës ende nuk po i dihet ilaçi. Si rezultat u mbyllën shkollat, fabrikat, restorantet, kafenetë, bastoret, kazinot, xhamitë, kishat dhe komplet sistemi ekonomik dhe shoqëror u paralizua. Politikan yll në këtë periudhë u promovua ministri i shëndetësisë, Venko Filipce. Në rrjetet sociale po shpërndahen meme të ndryshme në lidhje me konferencat e përditshme të ministrit të shëndetësisë. Në fillim të pandemisë, qyteti që pati më së shumti pasoja ishte Dibra, ndaj të cilës u ashpërsuan masat për ta parandaluar përhapjen e virusit. Shkupi dhe Kumanova e morën bajrakun për të keq duke e lënë në harresë Dibrën. Por në Kumanovë doli në pah edhe dobësia ose mangësia e urtësisë së menaxhmetit të qytetit duke e futur qytetin në karantinë dhe duke i informuar qytetarët e Kumanovës për këtë gjë vetëm 4 orë para vendimit. Kumanovarët të hutuar dhe duke pasur frikë se do të ngelin pa produktet e nevojshme për të premten, të shtunën dhe të dielën, vërshuan marketet e qytetit duke shtuar në këtë mënyrë rrezikun potencial të përhapjes së virusit Covid 19.

Nga ministria e punës dhe politikës sociale informuan se vetëm gjatë muajit të kaluar në Maqedoninë e Veriut në nivel shteti janë shtuar plus 2000 kërkues të ndihmave sociale. Por duke e parë gjendjen në terren, të informuar prej aktivitetit të vazhdueshëm të organizatave të ndryshme humanitare, ky numër dukshëm duket që të jetë më i madh.

Mediet raportuan për largimin nga puna të mijëra punëtorëve në Shkup, Tetovë, Gostivar, Kavadar, Kumanovë, e qytete tjera, ndërsa qeveria ka vendosur disa masa ekonomike të cilat tashmë edhe për shkak të mundësisë së mbajtjes së shpejt të zgjedhjeve duken më shumë populiste.

Covid 19 ka gjunjëzuar qeveri dhe shtete të ndryshme në botë duke i detyruar që të futen në borxh në Bankën Botërore dhe në FMN. Po ashtu edhe Maqedonia e Veriut ka ndjekur një hap të këtillë duke iu drejtuar këtyre institucioneve financiare ndërkombëtare.

Në medie po përmendet mundësia e ribërjes së rendit botëror pas epokës së Covid 19, që shikuar realisht nga masat dhe veprimet e shteteve është gjë e mundur. Kjo gjë është e mundur që të ndodh edhe në Maqedoninë e Veriut. Nuk ka sferë të jetës së njeriut që nuk ka prekur Covid 19. Nuk ka pyetje që sillet në kokën e njeriut e që në Maqedoninë e Veriut ka ngelur pa përgjigje. Sidomos në këtë kohë të re me këto rrethana aktuale. Ky volum i pyetjeve dhe përgjigjeve që po jetësohen praktikisht tashmë dy muaj, do të ishte e vështirë që të zhduken për t`u rikthyer në normalen e dikurshme. Ndoshta në rendin e ri që po përgatitet në Maqedoninë e Veriut, normalitet do të jetë mësimi online në distancë, reformimi rrënjësor i sistemit arsimor, fetar e shoqëror.