Debat virtual lidhur me këndimin ‘live’ dhe votimet në “Kënga Magjike”, përfshihen Fifi dhe Mentor Haziri

Nuk është hera e parë që festivali “Kënga Magjike” bëhet temë debati mes artistëve të njohur shqiptarë.

Kujtojmë që ka qenë ky kompeticion ai i cili ka prishur miqësitë mes këngëtareve Soni Malaj dhe Rozana Radi, si dhe kantautorëve Stine dhe Flori Mumajesi – e krejt kjo ka ndodhur për çështje pikësh, pasi artistët duhet të votojnë njëri-tjetrin për të shpallur fituesit në këtë festival.

Një debat i tillë lidhur me paraqitjen në “Kënga Magjike” është ngritur edhe së fundmi te këngëtarët Mentor Haziri dhe Filloreta Raçi – Fifi.

I ftuar në një emision televiziv, Haziri ka komentuar performancën e Fifit dhe MC Kreshës në “Kënga Magjike 2019”, duke e komplimentuar në masë të madhe këngën e tyre, por duke kritikuar interpretimin ‘live’ të saj, si jo të duhurin atë natë.

Kaq ka mjaftuar që Fiti të reagojë përmes një sërë shkrimesh të publikuara në InstaStory, duke e quajtur si një “këngëtar që nuk është në formën e tij artistike më të mirë”.

“E para po më vjen keq shumë që po të dhemb suksesi i këngës “Psikopatja jote”. Më vjen keq qe nuk je në formën artistike siç ke qenë në kohën kur ke punuar me producent të mirëfilltë, në këtë rast me Florin që t’ka kompozuar këngë. Është pak ulje që ti sot me dal edhe më thënë se janë marrë vesh artistës mes vete për punë pikësh, kur edhe ti besoj je ndër ta që ke bashkëpunuar…po më vjen keq që një artist merret akoma e diçka që ka kaluar dhe nuk merret me projekte po me llafe si gratë, mbi të gjitha je mashkull, po më vjen keq që ke marrë tri vjet pjesë në po të njëjtin festival të cilit nuk i ka ndërruar rregullat, ka kohë, nuk mbahet mend prej kur “Kënga Magjike” ka votuar me juri”, ka shkruar Fifi fillimisht.

Foto: Fifi/InstaStory

Më pas, ajo përmend edhe faktin se ka stonuar gjatë interpretimit, dhe për këtë është e lumtur, pasi sipas saj një gjë të tillë e bënë të gjithë publiku.

“Shyqyr Zot që kam stonuar, shyqyr Zot që kemi pasur probleme…Po një send ke harru me e cek: Bashkë me 3000 vetë në sallën e Pallatit të Kongreseve e kënduam këngën unë dhe MC KResha, kemi stonuar bashkë me krejt shqiptarët që kanë qenë aty dhe me ata që e kanë ndjekë festivalin nga TV…”sepse kënga jonë nuk ka qenë e keqe” Juria mbase edhe të ka vlerësuar për saktësinë tënde vokale, por kënga jem me Kreshen edhe e Florit që fitoi po dëgjohen e po këndohen prej publikut…pasi veç dole e fole edhe mu po më vjen keq që shumë këngë më të mira nuk kanë hyrë në finale”, ka shkruar këngëtarja në reagimin e saj të dytë.

Foto: Fifi/InstaStory

Më pas, Fifi vazhdon t’ia përmend këngëtarit të muzikës ‘rock’, se edhe po të bëhej me juri vlerësimi, do hidheshin hipoteza se është manipuluar juria për të dhënë çmimet.

Foto: Fifi/InstaStory

E me të parë këto shkrime, nuk ka munguar edhe vet reagimi nga Mentor Haziri, i cili në InstaStory gjithashtu ka treguar se çfarë ai saktësisht ka thënë lidhur me performancën në fjalë.

“Meqë ra fjala, ja një përgjigje të shkurtër: Për videon që është e prerë, e montuar dhe e publikuar nëpër disa porfile humori nëpër Instagram kinse unë them që performanca e Kreshës është e dobët: Shikoni tërë intervistën dhe e shihni ku unë potencoj që kënga është e mirë, por performanca atë natë jo. “Kresha qëndron si një ndër reperët më të mirë dhe më inteligjentë që kemi dhe se ai atë natë në “Këngën Magjike” kishte probleme me dëgjuesen e veshit d.m.th problem teknin, kurse kolegia e tij ishte jashtë notave totalisht në performancën e saj, por kjo dhe mund të rregullohet me ushtrime të këndimit ‘live’, në skenë të madhe siç është ‘Kënga Magjike’ etj. (edhe përderisa shquhet si tekstshkruese, i preferoj që të mësohet të shkruajë më mirë”, ka shkruar Mentor Haziri në reagimin e tij.

Foto: Mentor Haziri/InstaStory

Ndërkohë, lidhur me këtë debat virtual nuk ka reaguar fare rap-artisti tjetër i përfshirë, MC Kresha. /Telegrafi/

TAGS