“NJË SHTET PËR TË GJITHË”
(deklaratë politike e koalicionit “Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA”)
Po bëhen gati tridhjetë vjet që Maqedonia e Veriut, si shtet i pavarur, nuk ka arritur të bëhet shtet i barabartë dhe i drejtë për të gjithë qytetarët e saj. Në vend të kohezionit brendashoqëror, shteti vazhdon të kultivojë diskriminim strukturor ndaj shqiptarëve dhe disa bashkësive të tjera, duke i kufizuar mundësitë e barabarta dhe duke ushqyer pabarazinë në të gjitha fushat e jetës publike. Për fat të keq, pjesa dërrmuese e shqiptarëve vazhdojnë të ndjehen të diskriminuar për shkak të përkatësisë së tyre etnike, kjo edhe përkundër retorikës pa përmbajtje të viteve të fundit për “një shoqëri për të gjithë”.
Duke ndjerë diskriminimin sistematik dhe nevojën e kthimit mirëbesimit ndaj shtetit dhe ndërtimin e një shteti të barabartë ndaj të gjithëve, si dhe duke besuar se shteti është i të gjithëve dhe, ashtu siç i kryejnë detyrimet ndaj tij, duhet t’i gëzojnë edhe të mirat e tij, partitë politike Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë vendosur që t’i bashkojnë forcat e tyre për të ofruar një program inkluziv, përmbajtjesor dhe objektivisht të realizueshëm, që përfaqësohet me titullin “Një shtet për të gjithë”.
• Programi “Një shtet për të gjithë” bazohet në platformat politike të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, në qindra dëgjime publike me qytetarë gjatë muajve të fundit në çdo lagje, çdo fshat dhe çdo qytet, si dhe në mijëra kontribute qytetare rreth prioriteteve të qeverisjes së ardhshme, të paraqitura përmes platformës elektronike “E Ardhmja”, si dhe fushatave “Kthehu” dhe “Vatra jonë”, që të gjitha këto të përmbledhura dhe të harmonizuara në një program gjithëpërfshirës dhe konsistent nga ekspertë të fushave përkatëse.
• Programi “Një Shtet për të gjithë” është sintezë e veprimeve dhe politikave që do të zbatohen nga koalicioni “Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA” gjatë qeverisjes 2020-2024, për të ndërtuar një shtet ku të gjithë qytetarët do të ndjehen të barabartë para ligjit, duke i gëzuar të drejtat dhe mundësitë e barabarta, si dhe duke i shijuar të mirat publike të garantuara me Kushtetutë.
• Programi “Një Shtet për të gjithë” ka për synim kryesor që secilit qytetar t’ia kthejë vetëbesimin dhe dinjitetin, si dhe besimin në Maqedoninë e Veriut si shtet i ri i të gjithë qytetarëve, si një shtet modern i mundësive të barabarta dhe i aftë për t’u përballur me sfidat e ekonomisë globale, ndryshimit klimatik dhe tranzicionit teknologjik.
• Programi i koalicionit “Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA” synon të ndërtojë “një shtet për të gjithë”, një shtet të bazuar në barazinë e plotë të bashkësive shtetformuese, në të cilin sundon shteti i së drejtës, një shtet të prosperitetit dhe zhvillimit të barabartë ekonomik, të integruar në botën shqiptare, në rajon dhe në botë, duke qenë prodhues e jo vetëm konsumues i sigurisë dhe stabilitetit.
• Programi “Një Shtet për të gjithë” gjykon se kushti themelor i kohezionit social është barazia e plotë e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike, sociale, religjioze e kulturore.
• Programi “Një Shtet për të gjithë” është i bindur se çlirimi i shtetit nga kapja, vendosja e shtetit të së drejtës, si dhe lufta kundër korrupsionit dhe të gjitha veseve të tjera shoqërore, janë parakusht për ta materializuar perspektivën europiane të vendit dhe për ta mbajtur rininë tonë në vendlindje.
• Programi “Një Shtet për të gjithë” synon ndërtimin e një shteti të mirëqenies që kultivon dhe ruan kapitalin njerëzor, si parakusht për një ekonomi konkurruese në Europë dhe në botë.
• Programi “Një Shtet për të gjithë” mëton arritjen e zhvillimit të barabartë ekonomik, sidomos nëpërmjet zhvillimit të barabartë territorial, që nënkupton rritje ekonomike prej 5%, ulje të papunësisë në 10%, si dhe transformimin e modelit ekonomik të vendit përmes rritjes së investimeve kapitale dhe shpenzimeve produktive.
• Programi “Një Shtet për të gjithë” insiston në avancimin e një shteti zhvillimor të gjelbër dhe të digjitalizuar, që do ta eliminojë ndotjen e mjedisit jetësor, do të zhvillojë burime alternative dhe të pastra të energjisë dhe do ta përkrahë bujqësinë si sektor themelor të zhvillimit ekonomik dhe territorial.
• Programi “Një Shtet për të gjithë” angazhohet për një shtet të integruar në rajon, në Europë dhe në botë, kjo si alternativa e vetme për të ardhmen e vendit dhe garanci për paqe, siguri, stabilitet dhe integrim të brendshëm.
Koalicioni “Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA” do të jetë garantues i funksionimit të mirë të institucioneve të afta, që këtë vizion ta shndërrojë në veprime konkrete, për t’ia kthyer secilit qytetar dinjitetin e nëpërkëmbur nga shteti.
Nga 12 prilli 2020, falë përkrahjes për programin e koalicionit “Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA”, shteti i kapur dhe diskriminues do t’i takojë historisë, për t’ia lënë vendin “një shteti për të gjithë”.
Pranvera vjen më 12 prill!
Aleanca për Shqiptarët – Tetovë
____________________________
Zijadin Sela, kryetar
AlternAtivA – Shkup
______________________________
Afrim Gashi, kryetar
Shkup, 21 shkurt 2020