Qytetëza e sotit e Demir Hisarit deri në vitin 1946 njihej si fshati Murgashevë. Mirëpo, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1946 fshati Murgashevë ishte riemëruar dhe mori emrin e ri Demir Hisar. Të njejtin emër, Demir Hisar, mori edhe komuna e sapoformuar, ku me rregullimin territorialo-administrativ selia e komunës u bë pikërisht në këtë vendbanim.
Deri para Luftës së Dytë Botërore fshati Murgashevë ishte i banuar vetëm nga shqiptarë. Mirepo, si vendbanim, në mënyre artificiale u rrit gjatë dekadave në vijim, me çka u ndryshua struktura etnike dhe shqiptarët humbën shumicën absolute.
Sipas të dhënave të ndryshme që janë të dokumentuara, deri në vitin1905, Murgasheva apo Demir Hisari i sotëm kishte 240 banorë, të gjithë ishin shqiptarë të besimit islam.
Ja disa të dhënat të dokumentuara etnografike dhe statistikore të asaj kohe lidhur me këtë vendbanim:
1) Në fund të shek.XIX fshati Murgashevë ishte fshat i pastërt shqiptar që i përkiste vilajetit të Manastirit.
Ne vitin 1900, etnografi bullgar Vasil Kunçov, kishte regjistruar 40 shtëpi. Në librin e tij “Maqedonia, etnografia dhe statistika” ai shkruan se në Murgashevë deri në vitin 1900 kanë jetuar 240 banorë, të gjithë shqiptarë të besimit islam.
(https://www.promacedonia.org/vk/vk_2_36.htm)
2) Sipas të dhënave të sekretarit të ekzarkatit bullgar Dimitar Mishev, në librin „La Macédoine et sa Population Chrétienne“, Murgasheva ne vitin 1905 kishte 240 banorë, të gjithë shqiptarë të besimit islam.
(https://archive.org/details/lamacdoineetsap01mishgoog/…/n181)
Në këtë vendbanim, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore kishte filluar popullimi i saj me banorë nga viset e ndryshme të Maqedonisë dhe jashtë saj, ku për pasoj në regjistrimin e parë të pasluftës kemi këtë pasqyrë demografike:
Regjistrimi i vitit 1953
-maqedonas: 449
-shqiptarë+turq+të tjerë: 27+412+10=449
Ndërsa, tetë vite pas regjistrimit të parë të popullsisë, në regjistrimin e vitit 1961, të dhënat rreth strukturës së popullsisë tregojn për zhbërjen e elementit shqiptar në këtë zonë.
Regjistrimi i vitit 1961
-maqedonas: 1047
-shqiptare: 39
-turq: 24
Shihet se nga regjistrimi i vitit 1953 e deri në regjistrimin e radhës të vitit 1961, struktura etnike mori kete formë: maqedonasit gati u trefishuan, nga 449 në 1047, ndërsa numri 412 që figuronte në grafën si turq, e që në fakt ishin të gjithë shqiptarë, për 8 vite u shkri dhe ra në 24, e gjithë kjo si pasoj e shpërnguljeve masive.
Ishin këto vite të trysnive të mëdha nga sistemi i atëhershëm komunist ndaj shqiptarëve vendas, të cilët në mënyrë masovike në dyja regjistrimet e popullsisë, atë të vitit 1953 dhe vitit 1961, u regjistruan si turq. E gjithë kjo bëhej me të vetmin qëllim: pajisja me të ashtëquajtura VISIKA dhe shpërngulja e tyre drejtë Turqisë. Pra, ekzistonte një plan dhe marrëveshje mes Titos nga pala jugosllave dhe Menderezit nga pala turke për shpërnguljen e shqiptarëve në Anadoll, ku si kusht para shpërnguljes ishte që ata të deklarohen si turq dhe të shesin gjithë pasurin e patundshme që posedonin apo të njejtën t’ia autorizojnë ndokujt tjetër.
Nëse bëjme një krahasim mes regjistrimeve të popullsisë së pas Luftës së Dytë Botërore, shohim se ky vendbanim, për një kohë shumë të shkurtër, si pasoj e lëvizjes (jo)natyrore të popullsisë ka pësuar ndryshime të mëdha demografike, e gjithë kjo në dëm të popullsisë autoktone shqiptare.
Ridvan Ismaili