Demush Shasha nga Instituti Epik: Jemi larg liberalizimit të vizave

Demush Shasha nga Instituti Epik: Jemi larg liberalizimit të vizave

Edhe pse Kosova nuk ka hyrë në Agjendën e Komisionit Evropian për liberalizim të vizave derisa Parlamenti Evropian mban zgjedhjet në fund të këtij muaji, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, këtë të martë ka uruar qytetarët e vendit për liberalizimin e vizave.

Kjo deklaratë e Haradinajt erdhi nga takimi që kishte pasur në Samitin e Berlinit me ministrin e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer, ku ky i fundit i kishte dhënë Haradinajt dritën e gjelbër për vendimin pozitiv në çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Demush Shasha nga Instituti Epik dhe ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Integrimit, tha se e sheh si një gjë shumë të mirë arritjen e mbështetjes të shtetit të Gjermanisë për liberalizimin e vizave, por nga kjo Shasha tha se pjesa e keqe e ardhur nga Samiti është deklarata e Haradinajt ku uroi kosovarët për liberalizimin e vizave.

Ai tha se urimi duhet të thuhet në fund, pasi që tani jemi ende në fazën fillestare.

“Kemi 27 vende të BE-së të cilat do votojnë pro ose kundër liberalizimit, prandaj nuk jemi në fund të procesit, por jemi në fillim të tij. Kemi pa që tani prej muajit shtator të vitit 2018, 27 vendet anëtare nuk kanë treguar vullnet për të proceduar tutje në procesin e liberalizimit të vizave, shpresojmë që ky momentum që është krijuar tani do të shtyj përpara vendimmarrjen brenda institucioneve të BE-së”, tha Shasha.

Ai shprehet pesimist se liberalizimi i vizave për Kosovën mund të ndodh në këtë vit edhe pse mundësitë për vendimmarrje ekzistojnë, por gjasat që mund të ndodhë këtë vit janë të pakta.

“Është një vendimmarrje komplekse ku me një anë duhet të votojë Parlamenti Evropian, i cili tashmë nuk ekziston. Duhet të presim përfundimin e zgjedhjeve brenda Parlamentit e pastaj të fillohen procedura vendimmarrëse brenda Parlamentit Evropian. Ndërsa në anën tjetër fillon procedura e vendimmarrjes brenda vendeve anëtare apo Këshillit të BE-së, ku më së pari niveli i ambasadorëve duhet marrë vendim pozitiv e më pas niveli ministror. E gjithë kjo procedurë merr kohë, duke pasë parasysh se ne jemi sot në fillim të muajit maj, mbajtja e zgjedhjeve për Parlament Evropian dhe përfundimi i tyre do të na sjell deri në fillimin e pushimeve verore. Prandaj realisht nuk do ndodh asgjë deri në muajin shtator të këtij viti”, tha ai.

Shasha në këtë intervistë për Ekonomia Online, tha se është mirë që të paktën Gjermania ka shprehur vullnetin e mirë për liberalizim të vizave, por heqja e regjimit të vizave nuk bëhet vetëm me vendimin e një shteti.

“Ato mund të bëhen me një vullnet të vendeve anëtare të cilin për momentin nuk jemi duke e parë sepse kjo çfarë tha kryeministri në konferencën për shtyp duhet thuhet jo nga kryeministri, por nga 27 vendet anëtare të BE-së, jo nga një ministër. Është mirë që një ministër i brendshëm i Gjermanisë ka thënë po, por tani duhet gjithë ministrat të tregojnë një vullnet të njëjtë në mënyrë që të fillojë ky proces i vendimmarrjes”, tha ai.

Shasha tha se Kosova duhet të punojë dhe bashkëpunojë më shumë me vendet si Franca, Holanda, Suedia etj në mënyrë që të përcillet trendi i pohimeve.

“Është gabim të kalkulosh se vetëm Gjermania tani ka thënë po, të gjithë tjerët do përcjellin të njëjtin vendim, pasi që kjo nuk është çfarë na ka tregu deri tani historia e këtij procesi”, tha ai.

Shasha përmendi luftën kundër korrupsion në të cilën Kosova ende po çalon. Ai tha se liderët tanë shtetëror në takimet që do të kenë do përballen me pyetjen se si ende nuk ka asnjë rast të nivelit të lartë të korrupsionit të zgjidhur dhe ky problem sipas tij duhet të merret më seriozisht.

“Kosova duhet të vazhdoj luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përderisa gjithë kjo po ndodh, Kosova ende pas 2 vite e gjysmë nuk ka asnjë rast të nivelit të lartë të korrupsionit. Tani, kur shkon kryeministri në vizitën e radhës në Paris apo Holandë, ai do të ballafaqohet me këtë pyetje se pse në Kosovë dy vite e gjysmë pas rekomandimit të Komisionit Evropian ne ende nuk kemi asnjë rast të nivelit të lartë të korrupsionit të përfunduar në Gjykatë. Dhe këtu duhet të ketë përgjigje dhe nuk mund të ketë ndonjë kamuflim të kësaj gjendje”, shtoi Shasha.

TAGS