Maqedonia Veriore duhet t’i respektojë obligimet dhe në mënyrë të drejtë ta interpretojë Marrëveshjen e Prespës, thotë ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias në një intervistë për gazetën greke “Katimerini”.
“Lidhur me Qeverinë e Maqedonisë Veriore është e qartë se duhet në mënyrë të përpiktë dhe saktë t’i përmbahet obligimeve nga Marrëveshja e Prespës. Në këtë është përfshirë edhe interpretimi i saktë, sepse çdo tekst ligjor, madje edhe teksti më i kompletuar dhe më i hollësishëm ka hapësirë për interpretim. Duam të dakordohemi me Qeverinë e Maqedonisë Veriore për interpretim të drejtë të marrëveshjes. T’i zgjidhim problemet me prodhimet. T’i mbrojmë interesat e bizneseve greke në mënyrë pozitive në tërë rajonin. Të respektohet gjithçka që është paraparë për çështjen e trashëgimisë kulturore të Greqisë antike”, thotë Denidas.
Siç informon korrespondentja e MEDIAL-s nga Athina, ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë sot është në Luksemburg ku do të merr pjesë në Këshillin e punëve të jashtme të BE-së.
Nesër, shefi i diplomacisë greke së bashku me ministrin alternativ të Punëve të Jashtme të Greqisë do të marrin pjesë në Këshillin e punëve të përgjithshme në Union, ndërsa diskutimi do të përqendrohet në përgatitjen e Këshillit të ardhshëm të BE-së më 17 dhe 18 tetor. Theks i posaçëm do të vendoset edhe në perspektivën evropiane të Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë. .