21 Mars 2019 / 15:15
“Liri për Fetah Alimin”. Kjo do të jetë parulla e marshit protestues të paralajmëruar për të premten kundër burgosjes së Abdylfetah Alimit, sigurimit të Kuvendit që natën e 27 prillit, shpëtoi kreun e Aleancës, Ziadin Selën. Protesta do fillojë në Sheshin Skënderbeu ndërsa protestuesit do të marshojnë drejt gjykatave. Djali i Fetahut, Burim Alimi, si kryetar i këshillit iniciues të protestës, ftoi qytetarët që t’i bashkëngjitën protestës kundër, siç theksoi ai, proceseve të montuara politike.
Unë Burim Alimi, i biri i Feta Alimit, ne si familje, bashkë me shumë shokë, miq dhe familjarë të babait tim, kemi marrë këtë iniciativë për të shprehur pakënaqësinë tonë, sepse vlerësojmë se babai im është viktimë e një rasti të montuar politik. Babai im më 27 prill ishte në krye të detyrës duke mbrojtur deputetët e Kuvendit” – theksoi Burim Alimi, Djali i Fetah Alimit
Protestën e paralajmëruar e ka përkrahur fuqishëm Aleanca për Shqiptarët. Ata vlerësojnë se sistemi i drejtësisë me këtë vendim, Fetahun nga një hero e kanë shndërruar në “terrorist”.
I ftojmë të gjithë qytetarët , anëtarët dhe aktivistët politik të ASH dhe të subjekteve të tjera që në mënyrë të qetë dhe të denjë ashtu siç është Feta Alimi të protestojmë duke kërkuar liri për Feta Alimin, për heroin e fundit që u sakrifikua për të ardhmen e këtij vendi, për stabilitetin ndëretnik duke e shpëtuar jetën Kryetarit të ASH Ziadin Sela.” – u shprehën nga Aleanca për Shqiptarët
Nga Lëvizja Besa thonë se do të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të protestuar kundër padrejtësive, duke e quajtur sistemin gjyqësor, gjeneratorë të padrejtësisë.
Do shfrytëzojmë të drejtën tonë qytetare për të protestuar ndaj çdo vendimi të padrejtë të sistemit gjyqësor në Maqedoninë e Veriut, i cili shpeshherë në vend të vendos drejtësinë, bëhet gjenerator i padrejtësisë.”- theksuan nga – Lëvizja Besa
Nga Alternativa nuk përgjigjen në pyetjen nëse do e mbështesin apo jo protestën, por theksojnë se barazimi i Fetah Alimit me dhunuesit e 27 prillit, është padrejtësi.
Alternativa nuk ka diskutuar për këtë çështje, por – ashtu siç duam të kemi drejtësi të drejtë – njëherazi do të donim që askush të mos e vuajë padrejtësisht burgun. z. Alimi për ne është një simbol i njeriut që në natën e kobshme të 27 prillit ishte në anën e mbrojtjes së jetës së njerëzve. Andaj, barazimi i tij me dhunuesit është vetvetiu padrejtësi.” – thanë nga Alternativa
Protesta nuk mbështetet nga partitë shqiptare në pushtet, PDSH dhe BDI. Abdylfetah Alimi, u dënua me plot 7 vjet burg së bashku me grupin e dhunuesve dhe organizatorëve të tjerë të kuvendit. Gjykatësja Dobrilla Kacarksa, e cila u shqiptoi dënimin të akuzuarve të 27 prillit, tha se ne vendimin e sjellë ka marrë parasysh faktin që Alimi ka ndihmuar Selën por se gjithashtu i njëjti është i akuzuar për vepra tjera penale siç është mosveprimi.
Besian Leka
Loading…