Dërgoi materiale për trafikantët në Gjermani me Encrochat? Flet avokati i zv.drejtorit të pezulluar të OFL-së, Artan Shkëmbi

Dërgoi materiale për trafikantët në Gjermani me Encrochat? Flet avokati i zv.drejtorit të pezulluar të OFL-së, Artan Shkëmbi

Gazetarja Klodiana Lala e pozicionuar para GJKOK-së, ku u la në fuqi masa e pezullimit nga detyra të zv.drejtorit të OFL-së, Artan Shkëmbi, pas një hetimi 6 mujor nga SPAK, jep detaje të reja për operacionin që nisi pas sinjalizimeve të autoriteteve gjermane.



Ndërsa Shkëmbi është pezulluar pasi dyshohet se ka dekonspiruar të dhëna për një grup kriminal që ishte nën hetim nga autoritetet gjermane, mësohet edhe mënyra se si ky i fundit ka vepruar.

Referuar të dhënave të gazetares Lala, “ Në muajin mars autoritetet gjermane kanë kërkuar të dhëna për një grup trafikantësh që po hetonin, por ndërsa i gjurmonin kanë zbuluar se ata po informoheshin nga një zyrtar i policisë së shtetit. Më pas i është kërkuar SPAK të nisë hetimet ndaj Shkëmbit që kandidante në atë kohë edhe për të marrë drejtimin e BKH-së. Në sekret të plotë është nisur hetimi dhe është zbuluar se ai ka përdorur një aplikacion encrochat, pra chat të paligjshëm për t’ju dërguar të dhëna trafikantëve. Pas gjashtë muajsh hetime prokuroria vendosi të kërkojë pezullimin e Shkëmbit duke e akuzuar për korrupsion dhe dekonspirimin e këtij operacioni”.

Por i pyetur sot nga gazetarja Lala, avokati i zv.drejtorit të pezulluar të OFL-së, mohoi një gjë të tillë.

“Nuk ka asnjë provë që zoti Shkëmbi të ketë pasur telefon apo mjet komunikimi encrochat. Jemi shumë të interesuar për ta zbardhur këtë çështje për shkak edhe të korrektësisë që ka në karrierën e tij. Ai ka drejtuar shumë operacione sekrete dhe të vështira më shumë se këto. Ne po kërkojmë zbardhjen e së vërtetës”,- tha avokati Artan Broci.