Dërguti flet rreth akuzave se ishte pjesë e SHIK-ut: Në Vetëvendosje ka njerëz që e gjuajnë gurin dhe e fshehin dorën

Dërguti flet rreth akuzave se ishte pjesë e SHIK-ut: Në Vetëvendosje ka njerëz që e gjuajnë gurin dhe e fshehin dorën

Deputetja e Partisë Socialdemokrate, Aida Dërguti, ka thënë se ajo asnjëherë nuk ka qenë pjesë e SHIK-ut, transmeton Telegrafi

Ajo, në fjalimin e saj në seancën e jashtëzakonshme, ka thënë se edhe mund ta padisë deputetin e VV-së, Glauk Konjfucën për shpifje, mirëpo ka respekt për të.

“Tash e më shumë se një vit po vazhdon një debat i degraduar mes VV-së e PSD-së. Por para dy netësh, Glauk Konjufca ka deklaruar se unë kam qenë pjesë e SHIK-ut, edhe pse mund ta padisë për shpifje, por kam respekt për të. Unë nuk e mohoj asnjë ditë të angazhimit tim politik, shërbimi im në UÇK ka qenë nder dhe krenari, dhe në përputhje me të gjitha ligjet e rregulloret e luftës. Pas përfundimit të luftës, unë kam qenë pjese e operacionit Shigjeta, kemi dorëzuar armët, dhe na është dhënë urdhër që të paraqitem në zonat tona, dhe të kontribuojmë më tej. Unë bashkë me ish- burrin tim, jemi lajmëruar në Kolovicë, ku komandant ka qenë Nuredin Ibishi, i cili më ka sistemuar në zonën operative të Llapit, në G2, detyra ime ka qenë që të i verifikojë listat të ushtarëve, dhe që në atë kohë ishin paraqitur veteranët e rrejshëm, mirëpo pasi nuk i njihja ushtarët e nuk mund të i identifikojë ata, kam dalë nga aty, në periudhën korrik-gusht, e vërteta se SHIK-u është formuar ne Tetor”, ka deklaruar Aida Dërguti transmeton Telegrafi.

Dërguti, tha që nuk e di nëse Glauk Konjfuca ka qenë pjesë e SHIK-ut, teksa shtoi se debati mes tij dhe Dardan Molliqajt ka degraduar.

“Nuk e di nëse ka qenë Glauku Konjufca ose jo, unë nuk jam përfshirë e as nuk dua të përfshihem në ketë debat. Ky është debat i degraduar, sepse ky debat ka qenë i LDK-së dhe i PDK-së, dhe në fund ata kanë përfunduar në koalicion. Pikërisht tu merr me debate kote, ne nuk jemi marrë me çështje me rëndësi.
I kam thënë edhe atij që më vjen keq se çfarë po ndodhë, ai është duke u gjendur në ballë të betejës dhe nuk është fajtor se çfarë ka ndodhë në Vetëvendosje, tha ajo.

Tutje deputetja tha që në VV, ka njerëz që e gjuajnë gurin dhe e fshehin dorën. Gjithashtu ajo pohoi se Albin Kurti dhe Dardan Molliqaj ia kanë borxh një debat publik qytetarëve

“Në VV, ka njerëz që e gjuajnë gurin dhe e fshehin dorën. Unë mendoj se ka munguar një debat në mes të Albin Kurtit dhe Dardan Molliqajt, dhe të tjerët janë përfshirë në këtë debat. Problemi i ndarjes së VV-së nuk ka qenë pse nuk e kemi lejuar Albin Kurtin të bëhet kryetar sërish, por ka qenë diçka tjetër. Unë mendoj që Kurti dhe Molliqaj ja kanë borxh një debat publikut”, ka përfunduar ajo.

Ndryshe, ditë më parë shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca në një intervistë në KTV,  ka thënë se brenda figurave të larta të Vetëvendosjes së dikurshme, Aida Dërguti, që ka qenë nënkryetare e Vetëvendosjes, ka qenë në SHIK.

“Askush tjetër nuk e thotë se kam qenë unë, pos dy-tre deputetëve që janë miq të ngushtë të Dardan Molliqajt. Ne e dinim se vetëm një kolege jona ka pranuar që ka qenë në SHIK, Aida Durguti. Ne e kemi ditur se ajo ka thënë se ka qenë në SHIK, por kjo nuk ka paraqitur problem për ne, përderisa ajo ka qenë e vetëdijshme”, deklaroi Konjufca, teksa kishte shtuar se beson se në SHIK ka pasur edhe njerëz që punonin për interes të vendit. /Telegrafi/

TAGS