Dëshmia e zyrtarit policor: Ekziston dyshimi se shtytës kryesor për vrasjen e Triumf Rizës ishte Enver Sekiraqa

Në rigjykimin ku Enver Sekiraqa po akuzohet për nxitje në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, në seancën e së hënës ka dhënë dëshminë e tij, Mejdi Kozhani, i cili ishte zyrtari policor që kishte udhëhequr hetimet për zbardhjen e rastit të vrasjes së tani të ndjerit, policit Triumf Riza.

Dëshmitari Kozhani ka deklaruar se nga informatat e grumbulluara nga drejtoritë që veprojnë në kuadër të Policisë së Kosovës, dëshmitarët dhe provat materiale të ekzaminuara, ekziston dyshimi i bazuar se për vrasjen e tani të ndjerit Riza, shtytës kryesor ka qenë tani i akuzuari Enver Sekiraqa.

“Siç e thash edhe më herët, nga grumbullimi i informacioneve të shumë drejtorive që veprojnë në kuadër të Policisë së Kosovës, nga dëshmitarët dhe provat materiale, ekziston dyshimi i bazuar se për këtë vrasje, shtytës kryesor është Enver Sekiraqa”, tha dëshmitari Kozhani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se gjatë hetimit të veprave penale, në çdo rast kërkohet të identifikohet qëllimi dhe motivi i kryerjes së veprës penale dhe në rastin konkret, hetuesit policor, sipas tij, nuk kishin gjetur asnjë motiv të fortë që ta shtynte tani të dënuarin për vrasjen e Rizës, Arben Berisha, në kryerjen e veprës penale në fjalë.

“Në çdo rast lypet qëllimi dhe motivi i kryerjes së veprës dhe gjatë hetimit asnjë motiv i fortë nuk është identifiku që e ka shty Arben Berishën që ta kryej vrasjen ndaj Triumf Rizës”, tha dëshmitari.

Dëshmitari tha se pas marrjes së rastit, zyrtarët policorë kishin arritur që të bëjnë arrestimin e tani të dënuarit për vrasje, Arben Berisha.

“Pas marrjes së rastit, siç e thash edhe më herët, është arrestuar Arben Berisha, është zgjeru hetimi ndaj të dyshuarve tjerë. Informacione të mëhershme me sa mbaj mend, nuk ka pasur shumë shënime për Arben Berishën, por pas hetimit të rastit, dyshimi është rrit se ai ishte pjesë e grupit Sekiraqa” shtoi dëshmitari.

Ai tha se gjatë zhvillimit të hetimeve për zbardhjen e rastit në fjalë, në sistemin e të dhënave që e mban policia, rezultonin disa raste të hapura nga ana e Triumf Rizës, ku ai e kishte paraqitur veten si viktimë.

“Është e vërtetë, ka disa raste të hapura nga Triumf Riza si viktimë, të shkaktuara nga grupi në fjalë, Enver Sekiraqa dhe të tjerë. Këto shënime janë marrë nga raportet policore dhe nga sistemi i të dhënave policore”, tha dëshmitari Kozhani.

Ndërsa, në pyetjen e prokurorit të rastit, Haki Gecaj, se gjatë zhvillimit të hetimeve nga ana e dëshmitarit Kozhani, a e kishte hasur ai në ndonjë evidencë zyrtare emrin e personit Arben Berisha, si person me të cilin Triumf Riza kishte pasur probleme me të, dëshmitari u përgjigj, duke thënë se në asnjë raport zyrtar nuk ishte evidentuar ndonjë konflikt mes të ndjerit Riza dhe tani të dënuarit për vrasjen e tij, Arben Berisha.

“Jo në ato raporte asnjëherë nuk përmendet ndonjë rast apo konflikt mes Triumf Rizës dhe personit me emër Arben Berisha”, shtoi dëshmitari.

Sipas tij, gjatë ekzaminimit të dëshmive dhe provave materiale që lidhen me rastin në fjalë, në një video-incizim të ekzaminuar, shihet tani i dënuari Berisha.

“Po është e vërtetë se gjatë ekzaminimit të disa dëshmive, në një dëshmi, në një video incizim Arben Berisha shihet në oborrin e Enver Sekiraqës, në një aheng apo tubim siç i kanë bo ata, dhe e luan rolin e truprojës në atë tubim”, tha dëshmitari.

Në pyetjen e mbrojtëses së të akuzuarit Sekiraqa, avokates Kosovare Kelmendi, se përse ai të gjitha këto raporte policore ia atribuon tani të akuzuarit Sekiraqa, kur ato kallëzime penale të parashtruara nga i ndjeri Riza, sipas saj, janë të drejtuara ndaj NN personave, dëshmitari u përgjigj se ato nuk ia atribuonte personalisht, por se nga informatat zyrtare rezulton se shtytës për kryerjen e vrasjes, ishte Enver Sekiraqa.

“Unë nuk ia atribuoj Enver Sekiraqës personalisht, por informatat zyrtare janë se në shtytjen e vrasjes së Triumf Rizës është Enver Sekiraqa. Siç e thash edhe më herët, nga informacionet e inteligjencës policore, edhe sot po të klikosh në sistemin e të dhënave policore, si i dyshuar është Enver Sekiraqa dhe grupi i tij”, tha dëshmitari.

Gjatë deklarimit të tij, dëshmitari Kozhani përmendi faktin se në vitin 2016, pasi ishte autorizuar nga prokurorët ndërkombëtarë të EULEX-it, ai së bashku me disa zyrtarë tjerë policorë, kishin qenë në shtëpinë e të dënuarit Berisha, me ç’rast tha se kishin vërejtur ndërtimin e një shtëpie të re me një kosto të lartë, e kjo brenda një kohe të shkurtër pasi ai ishte dënuar për vrasje.

“Arbeni ka pasur një shtëpi shumë të vjetër, dhe pas një kohë që ka kalu, ai ka ndërtuar një shtëpi shumë moderne. Në bazë të një ekzaminimi ose hetimi që është bo në bazë të autorizimit të prokurorisë, shtëpia e ndërtuar e ka një kosto bukur të lartë dhe nuk kanë mund anëtarët e familjes me i përballu shpenzimet”, tha dëshmitari.

Ndërsa, në pyetjen e avokates Kelmendi se gjatë grumbullimit të provave, zbatimit të urdhëresave të gjykatës dhe të prokurorit, a kishte hasur ai diku në ndonjë urdhëresë të gjykatës në bazë të së cilës ishte kryer bastisja e lokalit “Sekiraqa”, dëshmitari Kozhani tha se në atë rast ata kanë vepruar në bazë të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale për rastet urgjente dhe sipas tij, të gjitha ato materiale dhe shkresa, janë pjesë e lëndës.

Po ashtu, avokatja Kelmendi ka kërkuar të di nga dëshmitari Kozhani, se pasi në ditën kritike ishin konfiskuar 37 CD nga tani i akuzuari Sekiraqa, ndërsa në shkresa të lëndës figurojnë të jenë ruajtur dhe analizuar vetëm 11 prej tyre, ajo ka kërkuar informacione se çka ndodhi me pjesën tjetër të CD-ve dhe arsyen se pse asnjëherë ato nuk i janë kthyer tani të akuzuarit.

Ndërsa, dëshmitari Kozhani u përgjigj që kjo duhet të jetë e evidentuar në shënimet zyrtare, pasi sipas tij, çdo veprim i ndërmarrë është shënuar dhe protokolluar në raportet policore të cilat janë pjesë e shkresave të lëndës .

“Gjatë hetimit, nëse një provë, një CD, nuk rezulton me asgjë që ndërlidhet me rastin, apo është e thatë, ajo anashkalohet dhe nuk merret më tutje, e sa i përket a janë liru ato prova unë besoj që janë liru dhe kjo duhet të jetë në shkresat e lëndës”, tha dëshmitari.

Në fund, dëshmitari deklaroi se mbetet pranë të gjitha deklarimeve të dhëna më parë si dhe mbetet pranë të gjitha raporteve zyrtare të përpiluara nga ai, të cilat edhe përbëjnë pjesën më të madhe të shkresave të lëndës.

Ndryshe, në seancën e së hënës ishe planifikuar që në cilësinë e dëshmitares të dëgjohej edhe Zanfina Ismaili, por e njëjta nuk ka prezantuar në gjykatë.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Shashivar Hoti, në bazë të raportit të policisë rezulton se në adresën të cilën e ka poseduar gjykata, nuk ka qenë e mundur të bëhet dorëzimi i ftesës për dëshmitaren Zanfina Ismaili, pasi ajo adresë nuk ka qenë e saktë.

Tutje, gjykatësi Hoti tha se gjykata nuk ka njohuri nëse dëshmitarja Ismaili jeton në shtetin e Kosovës apo jashtë saj dhe se për të edhe mund të lëshohet urdhëresë.

Mirëpo, avokatja Kelmendi dhe prokurori Gecaj dhanë pëlqimin që të bëhet leximi i deklaratave të dhëna më parë nga dëshmitarja Ismaili në gjykimin e kaluar, kjo në pamundësi të sigurimit të prezencës së saj.

Po ashtu, gjykatësi Hoti mori vendim që të refuzohet kërkesa e avokates Kelmendi për zëvendësimin apo heqjen e masës së paraburgimit ndaj të akuzuarit Sekiraqa, me arsyetimin se ende ekzistojnë rrethanat në bazë të të cilave ishte caktuar dhe vazhduar një masë e tillë, për sigurimin e prezencës së të pandehurit Sekiraqa në procedurë.

Seancat e radhës u caktuan të mbahen më 13 dhe 29 mars 2019, nga ora 09:00.

Ndryshe, Enver Sekiraqa ishte dënuar më 17 maj 2016 nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Gjykata e Apelit, më 24 tetor të vitit të kaluar, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqen dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur me 6 shtator të vitit të kaluar, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat tha se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqes për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Sëiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet. /BetimipërDrejtësi/

TAGS