Dështimi i reprizës “2020” – dekonstruksion –

Dështimi i reprizës “2020” – dekonstruksion –

Zeqirija IBRAHIMI

Pas shumë viteve të pushtetit të dështuar të BDI-së, sidomos gjatë qeverisjes më VMRO-DPMNE-në, në vitin 2014 në skenën politikë u ngjit një organizatë politike nga politikanë të rinj, shumica intelektualë dhe përfaqësues të një morali të ri në politik. Ishte kjo Lëvizja BESA. Por, pas ndërhyrjes së forcave të tjera për shpërbërjen e saj dhe pasi që të drejtën juridike të përfaqësimit të saj ua lanë atyre që ishin “të përshtatshëm”, brumi që e kishte themeluar atë, më 2019, e formoi partinë e re – AlternAtivA.

Në vitin 2015, pasi që lidershipi i PDSH-së ishte stërkonsumuar dhe, bile ishte shkërmoqur, prej saj u nda një fraksion, që fillimisht u quajt Partia Demokratike Shqiptare – Lëvizja për Reforma, që pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016 e mori emrin Aleanca për Shqiptarët.
Këto dy parti erdhën si alternativë për BDI-në e kalbur dhe PDSH-në e shkërmoqur. Por, kjo nuk do të ishte aq lehtë.

Premiera “2016”

Lëvizja BESA, që e kishim themeluar në vitin 2014, i kishte organizuar dy protesta të mëdha në Shkup dhe po bëhej gati ta sfidonte BDI-në, që e zënë ngushtë nga publikimi i përgjimeve plot korrupsion e skandale amoraliteti, ishte strukur si miu në shi dhe mendonte si do të mbijetojë. Por, duke qenë të strukur në vrimë, enveristët e hartuan planin e ri: të krijohen sa më shumë parti të tjera, që do ta përçanin sa më shumë votën. Kështu u rikthye në skenë RDK-ja (të cilën Rufi Osmani pati vendosur ta mbyllë) dhe u formua Uniteti (parti e ngritur nga zastavnikët e Nënës së Madhe dhe të Agjencisë për Kundërzbulim). Meqë RDK-në e mbanin në dorë struktura të disa hoxhallarëve (në krye me Mulla Vulën dhe Mulla Gebelsin), arsyeja e vetme e ekzistencës së saj (ashtu si edhe sot) do të ishte baltosja e Besës me akuza si këto që i dëgjojmë këto ditë nga “personi i listës së zezë amerikane”.

Ndërkaq roli i Unitetit do të ishte që derdhja e votës së BDI-së të mos shkonte te partitë opozitare, por te eprori i JNA-së, që ishte sinonim i Nënës së Madhe.
Dhe, pasi që u krijua kjo skenë, thirrja e regjisorit (Nënës së Madhe) ishte “bashkohuni dhe mos e përçani votën; ejani të garojmë në dy blloqe!”. Madje, përmes megafonave të tjerë, ai ia doli që ta krijojë opinionin që “vetëm një opozitë e bashkuar e fiton BDI-në” (ndonëse dihej botërisht se vetëm BESA dhe LRPDSH e fitonin 100% – siç u dëshmua edhe në zgjedhje).

Këta megafonë të mirëpaguar, si pjesë e rrjetit të instaluar ndër vite, organizuan fushatë të egër nëpër media të vendit, të Kosovës e të Shqipërisë, duke krijuar narracionin se “Besa është parti turke, lëvizje islamike, e financuara nga Katari, parti erdoganiste, gyleniste, e lidhur me Iranin”, u përdorën fotografi private, u shpikën dosje dhe u sulmua me krejt arsenalin e mundshëm, kjo me arsyetimin “kujdes se këta janë antishqiptarë”. Natyrisht, kjo e dha efektin e vet te shumë njerëz të painformuar e, sidomos, te ata që nuk na njihnin personalisht.

Ndonëse e kuptonim agjendën, të gjendur nën qiell të hapur politik nga rrebeshi i sulmeve nga të katër anët, si dhe për shkak të presioneve të opinionit publik, atëbotë i hymë punës së koalicionit. Dhe, derisa ne ofronin lista që do të përpiloheshin nga hulumtimet e opinionit, ishte Mulla Vula andej (sipas porosive të Gebelsit) dhe zastavnikët e JNA-së dhe agjentët e Agjencisë për Kundërzbulim që insistonin për ndarje proporcionale të listave në bazë të vulave, me qëllim që ashtu ta sabotojnë atë mundësi bashkëpunimi. Në fund doli që opozita e asaj kohe shkoi e ndarë në zgjedhje. Në një situatë të mjegulluar, kur nuk merrej vesh kush shpif e sa shpif, duke e ditur se roli i “komisarëve politikë” të Nënës së Madhe ishte “ose ne ua caktojmë masën sa do të rriteni (që i binte se nuk do të merrnim më shumë se 3 deputetë) ose do i lëmë të shkojnë vet në zgjedhje”, ne nuk arritëm ta bëjmë koalicionin e pritur që do ta fitonte BDI-në. Siç dihet, Lëvizja BESA në ato zgjedhje i fitoi 5 deputetë (dy deputetë ia minusuan në mbrëmjen e shpalljes së rezultateve), koalicioni Aleanca për Shqiptarët i fitoi 3 mandate (2 LRPDSH dhe 1 RDK), PDSH-ja i mori 2 mandate dhe BDI-ja, nga 20 deputetë sa i kishte, ra në 10. Përveç kësaj, për shkak të zhgënjimit që u krijua nga opozita që nuk u bashkua, rreth 50 mijë vota shqiptare shkuan në LSDM.

Pas kësaj koalicioni Aleanca për Shqiptarët u shpërbë, RDK-ja e Vulës përfundoi në prehër të “krieplakit”, ndërsa Uniteti i “zastavnikëve” u tret në BDI dhe në Agjencinë për Kundërzbulim.

Repriza e dështuar “2020”

Në Maqedoninë e Veriut së paku 150 mijë vota shqiptare janë kundër BDI-së. Në anën tjetër, të gjitha sondazhet e nxjerrin se Aleanca për Shqiptarët dhe AlternAtivA e mundin BDI-në në secilën zonë zgjedhore, njësoj si më 2016. Duke qenë parti komplementare në të gjithë aspektet, edhe hulumtimet e opinionit publik e nxjerrin se edhe vetëm si numra aktualë kjo fitore është e sigurt, ndërsa matematika politike elektorale thotë se euforia zgjedhore bën që fitorja të jetë shumë më e thellë. E gjendur në situatë të humbjes, përsëri (si më 2016) shfaqet Nëna e Madhe me thirrjen “bashkohuni dhe ejani garojmë!”. Pastaj, duke ia mbajtur ison atij, këtë refren e përsërisin edhe dhjetëra e qindra analistë të paguar e shumë të tjerë, ndoshta edhe me dashamirësi, por me naivitet, nëpër rrjete sociale.

Dhe, derisa kësaj radhe ASH-ja dhe Alternativa janë marrë vesh për koalicion, përsëri (si më 2016) imponohen tema që ta pengojnë këtë bashkëpunim, si “koalicioni trepalësh”, akuza për nxirje etj., që për synim të vetëm e kanë vetëm si të shpëtojë BDI nga humbja. Po për këtë arsye “personi i listës së zezë amerikane” është ndërsyer ta bëjë detyrën e nxirjes së Alternativës (njësoj si Besën më 2016) me akuza që janë të rënda edhe për veshët e le më për mendjet njerëzore. Përsëri (si më 2016) “Irani, Turqia, Katari, financat, librat, ISIS-i” (i gjori nuk e di se nuk shkon bashkë edhe Irani edhe ISIS-i) dhe akuza personale familjare, që sikur të ketë gjykata normale ose ai ose ne do të duhej të ishim sot prapa grilave. Efekti i pritur: të dëmtohet koalicioni AlternAtivA-ASH dhe BDI të shpëtojë nga humbja.

Në këtë lojë, përmes lekëve dhe “miqësive” (njësoj si më 2016) arrijnë të aktivizojnë edhe hoxhallarë, haxhinj e batakçinj, edhe media të vendit edhe të huaja, që kështu ta tutin ASH-në edhe me kërcënime fizike drejt kreut të saj, ndërsa me akuzat që ia bëjnë Alternativës t’ia dërgojnë mesazhin se “a e sheh çka të pret nëse synon ta mundësh BDI-në me ndihmën e Alternativës?!”.

Pak shpjegim: ASH-ja kërcënohet për shkak të koalicionit me Alternativën, ndërsa Alternativa kërcënohet me “o do të pranosh të nënshtrohesh e të barazohesh me vulat o do të luftojmë për zhdukje të plotë!”.
Kjo është edhe arsyeja që Nëna e Madhe dëshiron ta shpikë “opozitën e vërtetë” ndërmjet “dy vulave dhe personit të listës së zezë amerikane”, për t’u thënë shqiptarëve “këta nuk u bashkuan dhe unë patjetër duhet të fitoj”, ndërsa blloku i “dy vulave dhe i listës së zezë amerikane” – ndonëse nuk fiton vota as sa një shportë mollash – e ka vazifen të djegë aq vota sa i duhen BDI-së për të mbetur në pushtet.
Pra, krejt këto kërcënime, shantazhe e sabotime e kanë vetëm një emërues: BDI në pushtet.

Epilogu

Duke qenë i bindur se edhe lidershipi i ASH-së e njeh mirë çfarë “vojvode” është “personi i listës së zezë amerikane”, që funksionon me direktiva të shefave që u shërben “do smrt”, si dhe duke i njohur me emra se kush janë vulat, Gebelsat dhe “zastavnikët” e BDI-së në këto zgjedhje, jam i bindur se më 2020 këto “kërcënime” nuk pinë më ujë. Pas këtyre zgjedhjeve skena politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut do të jetë ndryshe: BDI do të jetë në opozitë, PDSH në histori, vulat në harresë, ndërsa qeveria do të bëhet nga ASH dhe AlternAtivA.

E sa i takon AlternAtivA-s, ne jemi këtu që ta vazhdojmë betejën ideologjike antikomuniste dhe antienveriste me krejt kriminelët e kuq të Enverit e të Titos dhe me krejt shpurën e kriminelëve të tjerë të prodhuar ndër vite. Kemi betejë po ashtu me Gelbesat që në emër të fesë i shërbejnë UDB-së dhe krejt shërbimeve antishqiptare dhe antimuslimane. Këtë ua kemi detyrim kombëtar, intelektual dhe moral shqiptarëve në vendin tonë. Nuk mund të lejojmë të vazhdojë eksodi që e ka prodhuar BDI-ja, duke bërë që shqiptarët të shpërngulen sot më shumë se në kohën e Mbretërinë e Jugosllavisë e se në Jugosllavinë e Dytë (sa për krahasim, para Luftës së Dytë Botërore serbët i shpërngulën rreth 220 mijë shqiptarë, politikat e Rankoviqit për 40 vjet shpërngulën po ashtu mbi 200 mijë shqiptarë, ndërsa vetëm për 18 vjet – nga 2002 e këndej – janë shpërngulë mbi 300 mijë shqiptarë).

Nëse kjo e keqe nuk ndalet këtu, agjenda serbo-ruse – e shprehur përmes partisë enveriste në vendin tonë – do ta zbrazë këtë vend nga shqiptarët. Kjo betejë për ne është “të rrosh a të mos rrosh”. Por, në vend që ta pranojmë humbjen në shtëpi, ne kemi vendosur ta bëjmë betejën në front. Qoftë edhe si samuraji i fundit, ne do të jemi në mejdan kundër armiqve të shqiptarëve dhe argatëve të tyre.

Prandaj, po e përfundoj këtë tekst duke e kthyer edhe një herë atë që e kam thënë në një tubim:
Ne nuk përlotemi me këngën “Druzhe Tito, mi ti se kunemo” e as me “Enver Hoxha tungjatjeta”
Ne jemi gjeneratë që edukohemi politikisht me Xhemijetin e Ferhat Dragës
Ne frymëzohemi me shkrimet e Murat Labënishtit.
Ne përmallohemi me sakrificën e Sulë Hotlës.
Ne mbështetemi në duatë e fetfatë e Ataullah Efendi Kurtishit.
Ne kënaqemi me poezitë e ilahitë e Fetah efendi Raufit
Ne përlotemi me himnin shqiptar të NDSH-së së Azem Moranës dhe
Ne qajmë si fëmijë me këngët për Adem Jasharin e Harun Aliun.
Prandaj, edhe kur na godasin, edhe kur na tradhtojnë, edhe kur na shpifin, edhe kur na sulmojmë, ne e dimë mirëfilli se asgjë nuk ndodhë pa caktimin e Zotit.
Për neve më me rëndësi është se a jemi ne në rrugën e drejtë sesa sa njerëz i kemi pas vetes.