Dështon takimi i bordit të RYCO-së, shkak shkarkimi i anëtarit nga ana e Serbisë

Dështon takimi i bordit të RYCO-së, shkak shkarkimi i anëtarit nga ana e Serbisë

Në mungesë të kuorumit ka dështuar takimi i bordit drejtues të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor RYCO.

Dështimi i takimit ka ardhur pasi anëtari i bordit nga Serbia Milica Skiljeviq është shkarkuar nga qeveria e këtij vend, vetëm pse ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim.

Kryesimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor RYCO këtë vit e ka marrë Kosova dhe ky takim do të ishte i 9-ti me radhë.

Të papranueshëm dhe shqetësuese shkarkimin e Skijeviq e ka quajtur kryesuesi i RYCO-së, njëherësh ministri i Kulturës, Kutim Gashi, i cili ka thënë se Serbia po ndan të rinjtë anëtarë në RYCO.

“Sot, ka qenë e planifikuar të mbahet takimi i Bordit të RYCO-së, të cilin e kryeson Kosova, është fat i mirë që të gjithë shtetet anëtare të RYCO-së kanë pasur përfaqësuesit e tyre në këtë takim. Por, fatkeqësisht mbrëmë, në orët e vona, jemi njoftuar se njëri nga përfaqësuesit e Serbisë, pra anëtari nga shoqëria civile është shkarkuar nga Qeveria e Serbisë si anëtar i RYCO vetëm pse e ka konfirmuar pjesëmarrjen në takim. Mungesa e tij sot këtu ka bërë që ky takim i Bordit të RYCO-së të mos mund të mbahet, për faktin se nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm. Kjo që ka ndodhur nga Serbia është lajm shumë i keq për vetë RYCO-në, sepse anëtarët nga Kosova, por edhe nga vendet tjera kanë qenë të përkushtuar që ta shtyjnë përpara misionin e RYCO-së. Është jashtëzakonisht zhgënjyese sjellja e Serbisë dhe përdorimi i temave të tjera politike për konsum ditor politik në Serbi”, tha ministri Gashi.

Ai tha se është lajm shumë i keq edhe për shtetet, të cilat e kanë ndihmuar themelimin e RYCO-së, ndërsa i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të bëjë trysni te Serbia që të mos përdorë politikën ditore në projekte që kanë të bëjnë me të rinjtë.

Ministri i MKRS-së, Kujtim Gashi

“Të bëjnë trysni tek autoritetet e Serbisë në mënyrë që mos ta përdorin politikën ditore edhe në projektet, në mekanizmat rinor të cilat janë themeluar me shumë mund. Kosova, unë si ministër, por edhe si kryesues i këtij mekanizmi rinor, jemi shumë të vendosur dhe të përkushtuar që këtë takim ta përsërisim. Por, pa dyshim që neve na duhet edhe mbështetje e mekanizmave ndërkombëtarë, sepse Serbia siç po shihet edhe në rini edhe në organizatat rinore është duke përdorur një standard jashtëzakonisht të keq të ndarjes së të rinjve të vendeve anëtare në RYCO”, tha ai.

Ministri Gashi tha se do të ketë diskutime me BE që të definojnë përgjegjësitë që janë marrë në Berlin. Ai tha se Serbia nuk po e përmbushë detyrën e vet që e ka marrë në RYCO, pasi mungesa e përfaqësuesve e pamundëson vendimmarrjen.

Edhe Arianit Jashari, anëtar i Bordit të RYCO, ka thënë se është shqetësuese dhe zhgënjyese që shteti Serb ka shkarkuar një anëtar vetëm pse e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një takim rajonal.

Ai tha se është shqetësuese dhe e papranueshme pasi po stopohen disa dokumente që janë jetike për vazhdimin e misionit.“Është shqetësuese, është edhe zhgënjyese për faktin se dëshmon realitetin e brishtë në Ballkanin Perëndimor që të rinjtë, shoqëria civile, zëri i të rinjve dirigjohet nga politika dhe të shkarkohet një kolegë i yni nga shoqëria civile vetëm për shkak të konfirmimit të pjesëmarrjes në një takim rajonal, sinqerisht është zhgënjyese. Më zhgënjyes tani është fakti se çka do të ndodh nesër me mua, me 5 anëtarët e tjerë të bordit drejtues që përfaqësojnë të rinjtë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, atëherë a është një precedentë, një shembull i keq ky që duhet të ndiqet nga ky bord, i cili udhëheq RYCO-në, mekanizmin më të fuqishëm rajonal dhe ka një vendimmarrje me konsensus”, u shpreh ai.

Jashari deklaroi se ky bord duhet të distancohet nga këto veprime dhe të krijojë standarde e kritere se si ndalohet ndërhyrja e politikës në këtë bord.

Shefja e Zyrës së BE-së Nataliya Apostolova, ka thënë se BE do të vazhdojë të mbështetë këtë projekt, ku ka përmendur mbështetjen financiare prej gjysmë milionë euro në projektet që duhet të implementohen në dy vitet e ardhshme.

Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova

“RYCO ka ndihmuar edhe në zgjidhjen e sfidave të ndryshme sikurse rritja ekonomike dhe papunësia. Njëri nga prioritetet kryesore është që t’i japim mundësi rinisë sonë që të rrisin këto mundësi, në mënyrë që ne të rrisim edhe angazhimin e të rinjve në Ballkan. Kjo tregon që bashkëpunimi i rrjetit të rinisë është thelbësorë për zhvillimin rural. Ne duhet të kemi edhe zhvillimin e shoqërisë në mënyrë kohezive, duke parë historinë e Evropës ne kemi parë që rinia gjithmonë ka pasur progres dhe integrim. Në Ballkanin Perëndimor gjeneratat e reja po ashtu duhet të jenë pjesë e motorit që të sigurojnë prosperitet dhe progres. BE e njeh rolin e rinisë në shoqërinë moderne dhe ne mendojmë ta fuqizojmë këtë rol duke fuqizuar edukimin dhe hapur programe”, tha ajo.

Apostolova ka përmendur programin Erasmus+ ku tha se deri më tani 1 mijë e 341 të rinj nga Kosova kanë pasur mundësi të vazhdojnë shkollimin në vendet e huaja.

Po ashtu, ajo ka bërë të ditur se këtë vit 365 të rinj do të kenë mundësinë të studiojnë jashtë vendit dhe të kthehen në Kosovë dhe të kontribuojnë për vendin./kp/Telegrafi/

TAGS