Dhuna në familje, përgjegjës edhe gjyqësori

Dhuna në familje, përgjegjës edhe gjyqësori

Për dhunën në familje në një formë përgjegjës janë edhe institucionet gjyqësore për shkak të neglizhencës së rasteve që duhen trajtuar me prioritet. Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka thënë për Radio Kosovën se ka përgatitur kornizën ligjore ku edhe gjyqtarët do të japin përgjegjësi për lëshimet.

Ekzistojnë forma të ndryshme të dhunës në familje, e njëra prej tyre është dhuna e shkaktuar pas mosmarrëveshjeve mes çiftit, kur njëri prind ia mohon kontaktin me fëmijën, prindit tjetër. Atëherë është Qendra Sociale adresa e parë zyrtare e kërkesës për realizim të kontaktit. Por, nëse Qendra nuk arrin realizimin e kontaktit, atëherë pala drejtohet me padi në gjykatë. Por, gjykatat shpesh nuk i trajtojnë këto raste me prioritet, dhe prindi me vite të tëra nuk mund ta realizojë kontaktin e dëshiruar. Vjen momenti kur humbet durimi dhe pason reagimi, që mund të rezultojë i dhunshëm. Anton Ndrecaj nga Qendra për Ndihmë Juridike Clard, në një prononcim për Radio Kosovën, pranon se rastet e dhunës shpesh kanë ndodhë për shkak të humbjes së durimit nga vonesat e kontakteve me fëmijë.

“Në këto raste kur procesi zgjatë, atëherë humbet durimi nga pala e cila nuk e gëzon të drejtën e kontaktit me fëmijën. Edhe në të shumtën e rasteve kur fillon shqyrtimi nëpër seanca kacafytjet janë më të mëdha pikërisht nga humbja e durimit për shkak se i është mohuar një e drejtë njërës palë e nga ana tjetër është humbja e durimit për shkak të pamundësisë së Institucionit përgjegjës që t’ia mundësojë realizimin e kontaktit”, tha Ndrecaj.

Mos-lejimi, përkatësisht vonesat e kontaktit për shkak të neglizhencës nga ana e gjyqtarëve apo edhe të punëtorëve social, në një formë e nxitë palën që të gjejë forma tjera të realizimit të kontaktit, thotë më tej Ndrecaj.

“Një prej formave tjera mund të jetë edhe pikërisht dhuna psikike, të them në zhargonin popullor, i qon selame, i qon mesazhe që nëse s’ma lejon ti mua kontaktin unë do të bëjë kështu, e kështu, të cilat në të shumtën e rasteve ne kemi parë përmes mediave që kanë rezultuar me fatalitet”, thotë Ndrecaj.

Ndrecaj thotë se duhet ndryshuar korniza ligjore, në mënyrë që Qendrat për Punë Sociale të kenë më shumë kompetenca në realizimin e të drejtës prindërore.

“Në këtë rast organi i kujdestarisë duhet të ketë më shumë fuqi juridike, që ta detyrojë palën që të mos shkojë sërish procesi në gjykatë, sepse ngarkohet gjykata. E derisa gjykata të trajtojë rastin, lidhja emocionale, shpirtërore mes prindit tjetër i cili nuk e sheh fëmijën, që i ndalohet kontakti, fillon të shkëputet. Edhe gradualisht koha ecën edhe vjen në një periudhë kur fëmija mund të thotë unë nuk dua ta takojë më”, sqaron Ndrecaj.

E për shkeljet e gjyqtarëve të cilët nuk i trajtojnë këto raste me prioritet ashtu si kërkohet, palët mund të dërgojnë ankesë. Ministri i drejtësisë Abelard Tahiri thekson se është ai i cili për herë të parë ka ndryshuar çështjen e llogaridhënies, duke ngritur nivelin në Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial.

“Janë këto dy Këshilla të cilat janë përgjegjës për të ndërmarrë masa ndaj çdo gjyqtari dhe prokurori të cilët abuzojnë me punën e tyre. Unë si ministër i drejtësisë tashmë pres një efikasitet më të madh të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial në marrjen e masave ndaj këtyre personave të cilët abuzojnë me punën e tyre, qofshin ata gjyqtarë apo prokurorë”, thotë ministri Tahiri.

Ndryshe, sipas Ndrecajt nga Clard, gjykatat themelore në Prizren dhe ajo në Prishtinë, më së shumti vonojnë gjykimet e ndjeshme të kontakteve me fëmijë, edhe pse ato duhen trajtuar me prioritet, pa marrë parasysh numrin e lëndëve të tjera të tubuara.

TAGS