14 June 2018 / 16:01
Berlini zyrtar do të angazhohet për zhbllokimin e proceseve integruese të Maqedonisë. Pas takimit me kolegun e tij maqedonas, shefi i diplomacisë gjermane Hajko Mas u zotua se do të lobojë personalisht në Francë dhe Holandë për çeljen e negociatave me Maqedoninë në Samitin e BE-së në fund të muajit.
Jemi absolutisht të gatshëm të ndihmojmë. Sot realizova bisedë telefonike me kolegun tim holandez, ndërsa javën e ardhshme do të mbahen konsultimet ndërqeveritare gjermano-franceze. Ne tashmë kemi realizuar bisedime me kolegët tonë francez dhe e dimë se ata janë të përmbajtur.. Jam i bindur se pozicioni i qeverisë gjermane i cili është pozitiv sa i përket Maqedonisë do të pranohet edhe nga Bundestagu, jam i sigurt se miqtë tanë në Francë dhe Holandë gjithashtu do ta pranojë atë – deklaroi Hajko Mas, Ministër i Jashtëm i Gjermanisë.
Ministri i Jashtëm gjerman siguroi se vota për çeljen e negociatave për Maqedoninë do të merret pavarësisht vendimit të shteteve anëtare të Unionit për Shqipërinë. Ndërkaq Ministri i Jashtëm i Maqedonisë Nikolla Dimitrov tha se pas hapit të madh që bëri vendi për zgjidhjen e kontestit me Greqinë, pret zhbllokimin e proceseve euro-atlantike të Maqedonisë.
Është shumë e rëndësishme pavarësisht miqësisë tonë me Greqinë, ti fillojmë bisedimet me BE-në dhe të anëtarësohemi në NATO. Është shumë e rëndësishme dhe shpreh mirënjohjen për mbështetjen e Gjermanisë..Maqedonia të marrë vendim politik nga Këshilli Evropian në fund të qershorit për fillimin e bisedimeve dhe për anëtarësim në NATO, pasi vetëm në këtë mënyrë kompromisi që arritëm do të përbëjë situatë ku fitojnë të dyja palët – deklaroi Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm i Maqedonisë.
Maqedonia pret dritë jeshile për çeljen e negociatave në Samitin e Këshillit Evropian që do të mbahet më 28 dhe 29 qershor. Megjithatë deri atëherë vendi duhet të bind shtetet skeptike sikurse Francën dhe Holandën të cilat pavarësisht kontestit të emrit vlerësojnë se Maqedonia ka ende punë për të bërë për të plotësuar kushtet e parashtruara nga Brukseli.
Semra Musai