Diogardi: Ali Ahmeti nuk është si Arben Xhaferi, i prishi lidhjet me Uashingtonin zyrtar (Video)

Diogardi: Ali Ahmeti nuk është si Arben Xhaferi, i prishi lidhjet me Uashingtonin zyrtar (Video)

Ish-anëtari i Kongresit Amerikan, Jozef Diugardi ka tëhequr vërejtjen për zgjerimin e ndikimit rus në Ballkan. Në një intervistë dhënë për revistën Shenja, Diugardi ka shpjeguar tentativën historike të Rusisë që të ndikojë në Ballkan nëpërmjet Serbisë dhe shteteve të tjera, por megjithatë e kujtoi se SHBA-të asnjëherë nuk kanë hequr dorë nga miqësia me Ballkanin dhe këtë gjë nuk do ta bëjnë as tani kur Rusia dëshiron të ndërhyjë.

JOSEPH DIOGUARDI, ISH-ANËTAR I KONGRESIT AMERIKAN

“Rusia vazhdon të përpiqet për të futur këmbët në Ballkan dhe nuk ka dyshim se serbët po punojnë me rusët. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se duhet të jemi vigjilentë dhe duhet të mbajmë seanca çdo vit, për t’ia kujtuar këtë gjë Departamentit të Shtetit dhe Kongresin, se nëse nuk e vazhdojmë atë që kemi filluar, Rusia do ta mbushë vakuumin. Nuk është luftë, nuk po përdoren armë, por po u tregojmë atyre se nuk tërhiqemi. Njësoj si kur shkuam me Lantos-in në Prishtinë për t’i treguar Millosheviqit se ne do të vëzhgojmë gjithçka që bën ti. E njëjta gjë edhe me Ramiz Alinë. Të njëjtën gjë duhet ta bëjmë çdo vit edhe në Ballkan në lidhje me Rusinë, për t’i thënë Rusisë se as duhet ta mendojë të bëjë diçka atje”

Diugardi rikujtoi rrethanat politike mbi të cilat u ndërtua Maqedonia dhe rolin e politikanëve shqiptarë në Maqedoni. Për Diugardin, vetëm Arbër Xhaferi ka mbajtur gjallë lidhjet e shqiptarëve të Maqedonisë me kongresmenët dhe politikëbërësit e tjerë ndërsa pasi ai ndërroi jetë, kjo lidhje thuajse është shkëputur.

JOSEPH DIOGUARDI-N, ISH-ANËTAR I KONGRESIT AMERIKAN

“Doli në skenë, Ali Ahmeti, i cili mendon se është si Xhaferi. Por, ai nuk është. Ai e ndërpreu gjithë komunikimin me mua, me Shirley-n dhe me Ligën tonë. Ai po punonte me një grup tjetër të paligjshëm, që tani nuk është më në Uashington dhe e gjitha kjo vetëm sepse ai donte ta shihte veten të ngjitej lart dhe unë jam i sigurt se ai është bërë shumë i pasur, si shqiptarët e tjerë në Ballkan, që themelojnë parti e pastaj bëjnë biznes me serbët e sllavët. Prandaj nevojitet decentralizimi i mirëfilltë në Maqedoni. Pas gjuhës, kjo është gjëja më e rëndësishme tani. Na duhet decentralizimi, sepse shqiptarët duhet ta kontrollojnë buxhetin e tyre, në mënyrë që t’i arsimojnë si duhet fëmijët e tyre e të tjera. Kjo, gjatë këtyre viteve, nuk ndodhi me Ali Ahmetin. Shkuan dëm 15 vjet me të”

Diugardi beson se Ligji për Gjuhët doemos duhet të hyjë në fuqi pasi në të kundërtën, do shkaktohen trazira serioze. Ai kujtoi se një popull si ai shqiptar me 6 parti politike, 4 universitete në gjuhën shqipe, pesë kanale televizive, 30 mijë të punësuar në administratë publike dhe gjithë institucionet e tjera në shtet nuk mund të jetë kaq i dobët politikisht, në qoftë se e përfaqësojnë njerëzit e duhur. Diugardi sygjeron që shqiptarët të bëjnë protesta të vazhdueshme, por të qeta në mënyrë që t’ia bëjnë me dije shtetin për rolin e tyre në formësimin e shtetit të Maqedonisë. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/