Diogardi para zgjedhjeve vjen në Maqedoni për të përkrahur koalicionin ASH-Alternativa

Diogardi para zgjedhjeve vjen në Maqedoni për të përkrahur koalicionin ASH-Alternativa
Tash esht Koha

Kryetari i Ligës Shqiptaro-Amerikane, Xhozef Diogardi, paralajmëron ardhjen e tij në Maqedoninë e Veriut për të përkrahur koalicionin mes Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës. Një paralajmërim të tillë Diogardi ka bë në takimin me veprimtarin shqiptar në Nju Jork, dibranin Ylber Pilku.
“Nëse lejojnë kushtet me epideminë, Diogardi do të vijë në Maqedoni para zgjedhjeve me një ekip ekspertësh me të cilët bashkëpunon. Nëse jo, ai do ta mbështesë këtë fushatë nga Nju Jorku dhe Uashingtoni”, thotë Pilku, pas takimit të realizuar.

Xhozef Diogardi më shumë se 30 vite është në shërbim të kauzës shqiptare dhe nga shumë personalitete njihet si njeriu i cili ia hapi dyert çështjes shqiptare në qarqet e larta politike në Uashington. Edhe në kohën kur ishte Kongresmen edhe më vonë, preokupim i tij ka qenë zgjidhja e çështjes shqiptare në Ballkan. Këtë aktivitet të palodhshëm ai e vazhdon sot e kësaj dite me porosinë se duhet akoma shumë punë. Në një intervistë ekskluzive që para disa muajve Lajm.Tv zhvilloi në Nju Jork me Diogardin, ai pat folur për situatën në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, e Preshevë. Apeli i tij për shqiptarët në Maqedoni është që t’ia bëjnë me dije qeverisë se duhet të jenë plotësisht të barabartë me maqedonasit. Ai thekson se dëshiron t’i shohë shqiptarët e Maqedonisë në përkrahje të Ziadin Selës, si politikan që sakrifikoi.

Në këtë intervistë, Diogardi u sugjeron shqiptarëve që nëse nuk ndodhin ndryshime në favor të tyre, të përdorin fuqinë ekonomike për të detyruar Maqedoninë të plotësojë kërkesat e tyre.

Diogardi vlerëson se ende nuk ka kaluar rreziku ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, prandaj është duke përgatitur strategji të re të veprimit. Aktivitetin e vet nga Nju Jorku dhe Uashingtoni do ta transferojë edhe në Bruksel, Berlin, Cyrih, e metropole tjera në Evropë. Si rrezik kryesor që i kanoset shqiptarëve ai përmend mundësinë për ndarje të Kosovës, të cilin e krahason edhe me rrezikun nga Millosheviqi.

Tash esht Koha