Diplomati zviceran parkoi veturën gabimisht në Prishtinë, reagon Ministria e jashtme e Zvicrës

Diplomati zviceran parkoi veturën gabimisht në Prishtinë, reagon Ministria e jashtme e Zvicrës

Një parkim i gabuar i veturës së saj diplomatike në Prishtinë, ka dëshmuar transparencën dhe përgjegjësinë që marrin institucionet e Zvicrës. Kjo pasi vetura e parkuar gabim e Ambasadës së Zvicrës në Prishtinë, ka ngjallur reagimin e Departamentit Federal për Punë të Jashtme në Zvicër.

Departamenti Federal për Punë të Jashtme, i cili është institucion ekuivalent me ministritë e jashtme të vendeve të tjera, ka alarmuar familjen e diplomatit të saj në Prishtinë që të mos e përsëris më të njëjtën sjellje.

Mediumi zviceran, 20min.ch, ka raportuar sot për një veturë të Ambasadës së Zvicrës në Kosovë, e parkuar në mënyrë të gabueshme në një rrugë të kryeqytetit kosovar, Prishtinës.

Sipas asaj që shkruan sot gazeta e njohur zvicerane në platformën e saj në internet, një lexues i “20min” nga Prishtina ka dërguar dëshmi lidhur me veturën Audi Q7, me targa diplomatike të Ambasadës Zvicerane, e cila ishte parkuar në vendkalimin për këmbësor, transmeton Insajderi.

Siç shfaqet në fotografitë e publikuara nga 20min.ch, vetura ishte parkuar aq keq sa që e kishte bllokuar edhe njërin shirit të Rrugës B në Prishtinë.

E zëdhënësi i Departamentit Federal të Punëve të Jashtme, Pierre-Alain Eltschinger, ka thënë se diplomatët e saj duhet t’i respektojnë ligjet e vendeve ku ata shërbëjnë; në këtë rast, ato të Kosovës.

“Në përgjithësi, EDA [Departamenti Federal për Punë të Jashtme] kërkon që diplomatët dhe anëtarët e familjeve të tyre të respektojnë rregullat dhe ligjet e shtetit pritës”, ka thënë Eltschinger për mediumin zviceran 20min.ch.

Sipas Eltschinger, makina që u parkua gabimisht në Prishtinë i përket një anëtari të stafit diplomatik të Ambasadës Zvicerane: “Është drejtuar nga një anëtar i familjes. Ndërkohë, Ambasada e ka alarmuar atë për sjelljen e gabuar”.

TAGS