Ditmir Bushati zgjidhet në krye të misionit vëzhgues të OSBE për zgjedhjet në Bjellorusi

Ditmir Bushati zgjidhet në krye të misionit vëzhgues të OSBE për zgjedhjet në Bjellorusi

Ditmir Bushati është zgjedhur kryetar i misionit vëzhgues të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Bjellorusi për zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen atje më 17 nëntor.

Sipas njoftimit të OSBE-së në faqen zyrtare, Presidenti i Asamblesë Parlamentare George Tsereteli ka zgjedhur ish-ministrin e Jashtëm shqiptar të kryesojë misionin që përbëhet nga 80 vëzhgues.

Ditmit Bushati aktualisht kryeson Delegacionin e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së.

Lidhur me emërimin në krye të misionit vëzhgues ai është shprehur se “ne jemi një grup i madh vëzhgues, të fuqishëm jo vetëm në numër por në eksperiencë dhe ekspertizë. Ne vijmë nga disa shtete të ndryshme me pikëpamje të ndryshme politike dhe jemi të unifikuar në angazhimin tonë për të ofruar një vlerësim të plotë dhe të paanshëm të zgjedhjeve”.

Misioni vëzhgues i Asmablesë Parlamentare të OSBE-së do të bashkëpunojë ngushtë me misionin e vëzhguesve të ODHIR dhe Këshillit të Europës. Këto janë zgjedhjet e 10-ta që ekipi i AP të OSBE-së vëzhgon në Bjellorusi që nga viti 1995 dhe raporti paraprak i misionit vëzhgues do të prezantohet nga Bushati në një konferencë për shtyp në Minsk në 18 nëntor.