Djalit të prokurores Lumezi i konfiskohet revolja

Në një raport të policisë thuhet se Ernest Lumezit, djali i prokurores së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Merita Lumezi, i është konfiskuar një revole pa leje.

E raporti sqaron se pas një kontrolli i cili është kryer rreth orës  17 e 10 minuta në veturën ‘BMW’ të Lumezit është gjetur një revole 6.35 mm me një fishek.

Vetura kishte qenë e parkuar, ndërsa pronari sipas raportit ishte paraqitur pak minuta pasi policia e kishte identifikuar makinën.

Raporti i policisë sqaron se Lumezi është lënë i lirë me urdhër të prokurorit kujdestar, ndërsa nuk ka pasur urdhër për bastisje në shtëpinë e tij.Prokurori i rastit Enver Krasniqi i ka konfirmuar Kallxo.com se kanë iniciuar një rast për amëmbajtje pa leje.

“Për besë kemi shumë telefonata, por në bazë të veprës kur janë në automjete shkojmë në procedurë të rregullt. Në bazë të veprës e di që kom inicu rast”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka shtuar se nuk është në dijeni që personi të cilit i është gjetur arma në makinë ishte djali i koleges së tij Merita Lumezi, ndërsa ka thënë se në raste të tilla nuk zhvillojnë bastisje në shtëpitë e të dyshuarve.

Prokurorja Lumezi ka thënë se nuk ka informacione se djalit të saj i është gjetur ndonjë armë.

“Nuk kam informacion për këtë gjë”, ka thënë Lumezi.Ajo nuk ka pasur përgjigje edhe në pyetjen nëse Prokuroria e Prishtinës duhet të vazhdojë të merret me këtë rast

“Të lutem nuk po du me u përgjegjë asgjë, sepse nuk kam asnjë informacion”, ka thënë Lumezi.

Kryeprokurori i Prishtinës Imer Beka ka konfirmuar se kanë informacione se djalit të prokurores i është konfiskuar një revole.

“Po është e vërtetë që është konfiskuar  dhe i dyshuari është lënë në procedurë të rregullt. Ne jemi të njoftuar se është djali i prokurores por ne do të bënim  padrejtësi nëse do e mbanim në paraburgim për shkak se deri më tani praktika na tregon që në rast se revolja nuk përdoret të dyshuarit dërgohen në procedurë të rregullt”, tha ai.

Beka ka shtuar se ditëve në vijim do e diskutojnë nëse prokuroria e Prishtinës do vazhdoj me hetimin e këtij rasti apo do kërkojnë që ai të delegohet në një prokurori tjetër për shkak se nëna e të dyshuarit punon në këtë prokurori./Kallxo.com/

Foto: Ilustrim

TAGS