26 Tetor 2018 / 15:43
Qeveria akoma është duke punuar në përgatitjen e draft-amendamenteve për ndryshimet kushtetuese. Siç mëson Alsat, gjatë fundjavës, draftet do të jenë gati ndërsa të hënën do të dorëzohen zyrtarisht në Kuvend. Ndonëse se informacionet e siguruara nga burime brenda grupeve parlamentare dhe Qeverisë vërtetojnë se javën e ardhshme amendamentet do të jenë në Kuvend, sekretari i përgjithshëm i LSDM-së dhe njëkohësisht deputet, Aleksander Kiracovski u shpreh i bindur se amendamentet e Qeverisë do të dorëzohen gjatë ditës.
Një pjesë e amendamenteve do të dorëzohen sot në Kuvend ndërsa procedura fillon nga e hëna e tutje”- thotë Aleksander Kiracovski, deputet i LSDM-së.
Mësohet se shumica parlamentare do ta shfrytëzojë fundjavën për të harmonizuar qëndrimet me opozitën. Kjo e fundit deri më tani nuk është njoftuar konkretisht për amendamentet. Deputetët e VMRO-DPMNE-së fillimisht do të harmonizojnë qëndrimin me udhëheqësinë partiake dhe më pas do të vendosin nëse marrin pjesë ose jo në hartimin e amendamenteve.
Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së sot do të ketë takim me udhëheqësinë e partisë në lidhje përpilimin e strategjisë për hapat e ardhshme. Në momentin që hartohet strategjia do të njoftohet opinioni për të gjitha hapat e ardhshëm të partisë”- u shpreh Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së .
Lëvizja Besa e Bilall Kasamit ka kërkuar që në pjesën e kujdesit të shtetit për diasporën, angazhimi shtetëror të ketë kompetenca gjithëpërfshirëse duke kërkuar kështu që të mos veçohen etnitë e posaçërisht shqiptarët. Në rast të mos-pranimit të amendamenteve opozita kërcënohet me mos-votim.
Do ta mbajë përgjegjësinë për dështimin e mundshëm të votimit për shkak të shpirtngushtësisë së saj politike. Tani nuk është koha për të shmangur përgjegjësinë, por për të marrë përgjegjësinë me vendime të guximshme dhe çdo projekt të përmbajë inkluzivitet në proces të të gjithë palëve përfshirë edhe partitë opozitare shqiptare”- thonë nga Lëvizja Besa.
Katër amendamentet e propozuar nga Qeveria do të synojnë ndryshimet kushtetuese në pjesën ku përmendet Republika e Maqedonisë të shtohet “e Veriut”, forcimi i vendimeve të KAÇKM-së, forcimi i integritetit territorial dhe pacenueshmërisë si dhe kujdesi i shtetit ndaj diasporës. Jo zyrtarisht opozita do të propozojë edhe një amendament me qëllim forcimin e çështjes së identitet, kombit dhe gjuhës maqedonase në Kushtetutë. Brenda afatit 30 ditor duhet të shqyrtohen të gjitha draft-amendamentet në Komisionin për Çështje Kushtetuese dhe Komisionin Juridiko-ligjvënës. Më pas draftet vendosen për votim ku secili prej tyre duhet të miratohet me shumicë votash. Pas votimit, draft-amendamentet vendosen në debat publik. Procedura e njëjtë vlen edhe për propozim-amendamentet. Ndaj propozimeve, palët e tjera kanë të drejtë të propozojnë amendamente 8 ditë para se të njëjtit të vendosen në seancë të Kuvendit. Në fund ndryshimet miratohen me 2/3 e votave. Pas miratimit hartohet ligji kushtetues për zbatimin e Kushtetutës në përputhje me ndryshimet. Edhe në këtë rast nevojitet votimi prej 2/3.
Adrian Kerimi