Drita fiton në minutat shtesë ndaj Drenicës

Drita ka arritur të fitojë ndaj Drenicës me rezultat 2-0 në ndeshjen e luajtur në stadiumin e Gjilanit në ndeshjen e vlefshme për javën e 20-të të Ipko Superligës së Kosovës.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte e barabartë nga të dyja skuadrat, por edhe për kundër rasteve nuk arritën të tundin rrjetën.

Rasti i parë në ndeshje i takoi vendasve të cilët rrezikuan me anë të Betim Haxhimusës (8′), por goditja e tij u prit me lehtësi nga Arion Ymeri.

Drenica u kundërpërgjigj me anë të Atdhe Grajqevcit (15′) dhe Taulant Dajakut (22′), por të dy goditjet u pritën nga portieri Mario Kirev.

Në pjesën e dytë, vendasit ishin diçka më kërkues duke rrezikuar më shumë në kërkim të golit, të cilin e gjetën vetëm në kohën shtesë.

Ishte mesfushori Endrit Krasniqi (50′, 62′) që tentoi goditjet nga distanca, por në rastin e parë u ndal nga Ymeri, ndërsa në të dytin topi shkoi pranë portës.

Goli i parë erdhi në minutën e parë shtesë nga Kyrian Nwabueze, ndërsa në minutën e gjashtë shtesë ishte Xhevdet Shabani që nga penalltia vulosi fitoren 2-0.

Pas kësaj fitore, Drita e sheh veten në pozitën e katërt me 29 pikë, ndërsa Drenica renditet e gjashta me 27 pikë.

Në ndeshjen e radhës, gjilanasit udhëtojnë drejt Suharekës për tu takuar me Ballkanin, ndërsa Drenica e pret Flamurtarin. /Telegrafi/

TAGS