Dy efektivë e rrahën me grushte dhe i thyen krahun, policia reagon pas denoncimit të qytetarit

Dy efektivë e rrahën me grushte dhe i thyen krahun, policia reagon pas denoncimit të qytetarit

Policia ka reaguar në lidhje me denoncimin e bërë këtë të martë nga ana e një 58 vjeçari, i cili përmes fotove deklaroi se u rrah në mënyrë barbare nga dy efektivë të policisë rrugore vetëm se kundërshtoi shoqërimin e tij në ambientet e komisariatit.

Policia nga ana e saj ka deklaruar se shtetasi në fjalë ka reaguar me dhunë ndaj policisë dhe nuk i është përgjigjur thirrjes së tyre për shoqërimin.

Njoftimi i plotë i policisë

Lidhur me denoncimin e një qytetari të publikuar në media, që pretendon se është dhunuar nga Policia Rrugore e Korçës informojmë se:

Më datë 25.06.2019, në aksin rrugor Korçë-Maliq, në afërsi të fshatit Vloçisht, shërbimet e Policisë Rrugore kanë konstatuar dhe ndaluar mjetin tip “Nissan” me drejtues shtetasin P.M, 51 vjeç, banues në Drenovë.

Në momentin kur shërbimet e Policisë, po kryenin testin e alkoolit ndaj shoferit, pas dyshimeve të krijuara se ky shtetas mund të ishte duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur (rezultoi në masën 1.52mg/l​), shtetasi A.Sh. 58 vjeç, pasagjer në mjet, ka kundërshtuar me dhunë si dhe nuk i është bindur urdhërit të policisë gjatë kryerjes të detyrës.

Në vijim të veprimeve të mëtejshme proceduriale drejtuesi i mjetit P.M, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt” ndërsa shtetasi A.Sh. u arrestua për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

SHÇBA, bazuar tek kallëzimi dhe pretendimi i shtetasit A.Sh, ka filluar verifikimet mbi veprimet e punonjësve të Policisë Rrugore në lidhje me këtë rast.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë.