Dy klube italiane vihen pas një sulmuesi të ri shqiptar

Dy klube italiane vihen pas një sulmuesi të ri shqiptar

Futbolli zviceran vazhdon të nxjerrë në pah talente të shumtë shqiptarë, të cilët kanë tërhequr vëmendjen e klubeve të njohura jo vetëm në këtë vend, por edhe në kampionate më presitgjioze, si ai italian.

Emri më i fundit është sulmuesi Luan Abazi, për të cilin kanë shfaqur interes klube të Serisë A.

Djaloshi 18-vjeçar është pjesë e skuadrës së U18 të St. Galen dhe me të ka treguar një formë të admirueshme, duke shënuar 9 gola në 12 ndeshjet që ka luajtur në kampionatin e U18 ku merr pjesë ekipi i tij. Kësisoj, qendërsulmuesi ishte golashënuesi i dytë më i mire i këtij kampionati.

Një paraqitje që ka rënë në sy të ekipit të parë, aktualisht kryesues i kampionatit zviceran, por jo vetëm atij.

Kështu, VIP Sport ka mësuar se për lojtarin kanë shfaqur interes klubet e Sasuolos dhe të Kievo Veronës, të cilat do të dëshironin ta bënin atë pjesë të akademive të tyre e pse jo, të ekipit të parë.

Negociatat vazhdojnë e pritet që të merret një vendim për të ardhmen e tij gjatë kësaj vere.

Lojtari deri tani ka veshur fanellën e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, duke luajtur me ekipin U18 të saj.

Ndërkaq, FSHF mbetet në vëzhgim nga larg e nuk ka bërë asnjë hap konkret për të kontaktuar e siguruar një futbollist i cili duket se premton për të ardhmen, edhe pse shpeshherë nga institucioni deklarohet se i kanë dhënë përparësi futbollistëve të rinj nga Maqedonia e Veriut për t’i bërë pjesë të përfaqësueseve kuqezi.

MEDIAL.mk