Dyndje para marketeve dhe bankave në Tetovë e Gostivar

Dyndje para marketeve dhe bankave në Tetovë e Gostivar

Masat e reja për kufizimin e lëvizjes kanë shtuar edhe në rajonin e Pollogut dyndjet e qytetarëve nëpër markete për tu furnizuar ushqime.

“Po ja kemi dalë sot morra gjëra për shpi, sot kemi më pak kohë. Pagova dhe faturat internet rrymë dhe iki për fshat”.

“Ja dola të bëj pazarin dhe të iki në shtëpi. Ja dola shpejt e shpejt se s`kemi kohë sot”.

“Kjo nuk është mirë, janë mbyll gjitha dyqanet njerëzit duhet të lëvizin të punojnë”.

Thirrjet e komunave për evitimin e grumbullimit para bankave, sërish nuk janë respektuar. Si në Tetovë, po ashtu edhe në Gostivar, para bankave dhe postave, njerëzit nuk respektojnë aspak distancën sociale, ndërsa shumica e tyre nuk mbajnë as doreza dhe maska.

“Po deri në katër kam kohë po ja si të marr para, s`ka para. Bankomatet i shfrytëzojmë po vetëm kush ka kartelë, kush s’ka s’japin tani, pritni thonë kur të iu vijë në shtëpi presim te shtëpia nuk vjen ende”.

Përveç institucioneve dyndjet e banorëve të Pollogut nuk mungonin edhe nëpër parqe, edhe përkundër apeleve për të qëndruar në shtëpi.

Nga komunat, apelojnë që të respektohen në maksimum rekomandimet e Qeverisë, ndërsa paralajmërojnë masa të tjera në nivel lokal, me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit.

“Ndërkohë, përveç masave të Qeverisë, masa ndërmarrin edhe vetë komunat, sikur kjo e Gostivarit, që ka vendosur këtë portë për dezinfektim, për secilin që hynë dhe del nga komuna”.

Planifikohet deri në fund të javës të vendoset i njëjti edhe në qendër të qytetit që të mund ta shfrytëzojnë qytetarët e Gostivarit. Apelojmë qytetarët që të vazhdojnë të jenë të ndërgjegjshëm të rrinë në shtëpitë e tyre, ta mbajnë higjienën personale dhe kolektive – tha Valbon Limani, Komuna e Gostivarit.

Gjatë 24 orëve të fundit, në Pollog asnjë person nuk e ka shkelur masën për ndalim të lëvizjes, ndërsa numri i përgjithshëm i personave të cilët gjenden në karantinë shtetërore në rajonin e Pollogut ka arritur 428 persona 208 në Tetovë dhe 220 në Gostivar, kurse me deklaratë të nënshkruar për vetë-izolim gjenden 20 persona. Rritje ka shënuar numri i personave që janë në izolim me rekomandim të inspektoratit, edhe atë 160 në Tetovë dhe Gostivar 47. Deri më tani nga virusi korona në komunën e Tetovës kanë vdekur dy persona.

Bashkim Sulejmani

Loading…