Gideon Levy dhe Alex Levac
Bari i gjelbër në oborrin e vogël jashtë shtëpisë është shndërruar i verdhë dhe është tharë. Bimët në vazo janë tharë gjithashtu, pasi nuk janë ujitur për një muaj. Eyadi ishte ai i cili i ujiste ato çdo ditë gjatë verës, por tani nuk ka njeri që të kujdeset për to. Rana, e ëma e cila ishte duke mbajtur zi, shikon vazhdimisht një video incizim të djalit të saj në telefon, duke qëndruar në kopsht duke mbajtur një zorrë, me një buzëqeshje të zbehtë duke lozur në buzët e tij. Buzëqeshja e tij është më e madhe në një video tjetër, në të cilin shihet duke përgatitur fatteh – një pjatë humusi me mish dhe arra pishe – për prindërit e tij. Ai ishte mësuar ta bënte atë në qendrën për nevoja të veçanta “Elwyn El Quds” në të cilën mbante orë mësimi në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit, pak kohë para se të vritej.
“Shikoni se çfarë djali kisha” thotë Rana, duke soditur fotografinë e tij.
Khairi, burri i saj, ka ndryshuar në mënyrë tronditëse që kur e takuam, ditën pasi djali i tyre u qëllua rëndë në tendën e zisë. Ai është bërë i dobët, i tharë dhe i zbehtë. Është duke pirë dy pako cigare në ditë; Rana pi tre. Ai thuajse nuk ha aspak; ajo nuk përgatit ushqime. Jeta e tyre ka ardhur në një ndalesë të papritur.
Ishte më 30 maj, pak pas 6:30 e mëngjesit kur jeta e tyre u shemb përfundimisht. Dy anëtarë të policisë kufitare – një oficer dhe një rekrut i ri – qëlluan djalin e tyre ndërsa shtrihej duke u mbledhur në dyshemenë e një dhome mbeturinash pa çati pranë “Via Dolorosa-s” në Qytetin e Vjetër, kujdestari i tij pranë duke bërtitur më kot, “Ai është me aftësi të kufizuara, ai është me aftësi të kufizuara!”
Për Ranën dhe Khairi Hallakun, 32-vjeçari autik ishte drita e syrit të tyre. Ata gjithashtu kanë dy vajza, Xhoanën dhe Dianën, që të dyja janë mësuese, por Eyadi, djali i tyre me aftësi të kufizuara, ishte gjithçka për ta.
“Kishim një djalë, nuk kemi tjetër,” na rrëfen Rana në Hebraisht. “Ai është shpirti im i dytë. Unë dhe Eyadi jemi një shpirt që kur ka lindur, për shumë vite”.
Që nga vdekja e tij, ajo ka fjetur në shtratin e tij dhe rrallëherë largohet nga dhoma e tij e vogël; ndonjëherë edhe vesh rrobat e tij. Kur i vizituam ata këtë javë, ajo erdhi të na përshëndeste, duke thënë, “Unë nuk mund të bëj asgjë – vetëm shtrihem në shtratin e tij dhe shikoj fotografitë dhe rrobat e tij, dhe shoh dhomën e tij dhe kujtoj jetën e tij”. Përsëri na tregonte fotografi të tij, duart e saj duke u dridhur; këtë herë në fotografi ai ishte duke përqafuar dy bimë. Ai i kishte mbjellë ato gjatë izolimit të korona virusit, kur u detyrua të qëndronte në shtëpi, në lagjen Uadi Joz të Jeruzalemit Lindor. Tani, “Bimët janë vyshkur” thotë Rana.
Agonia e prindërve është një prani e përhershme këtu. Një atmosferë pikëllimi të thellë dhe pa lot përcillet mbi dhomën e ndenjes së familjes, muret e së cilës tani janë zbukuruar me fotografi të djalit të tyre dhe vëllait të vdekur. Në divan është një fotografi e Eyadit bashkë me një foto të Xhorxh Flojdit.
“Xhorxh Flojdi u vra sepse ishte i zi, ndërsa Eyadi sepse është Palestinez”, thotë babai i Eyadit. “Por shikoni ndryshimin midis reagimeve në Shtetet e Bashkuara dhe në Izrael”, shtoi gruaja e tij.
Vërtetë, valë të mëdha inati vërshuan mbi Amerikë pas vrasjes së njeriut të zi në Mineapolis, ndërsa në Izrael ishte indiferenca e zakonshme, megjithëse ishin pak të prekur me shenja keqardhjeje pas të shtënave fatale, sepse viktima ishte autik. Asnjë tërbim nuk ndodhi këtu, dhe nuk doli asnjë pasqyrë se vrasja e Eyadit ishte rezultat i një politike të qëllimshme, jo i një “tragjedie”.
Për shkak se Eyadi ishte i përpiktë për rendin dhe pastërtinë, familja e tij nuk guxon të lëvizë asgjë në dhomën e tij. Shtrati mbetet i mbuluar me të njëjtën kuvertë të cilën e kishte një muaj më parë: Shishet e kolonjës dhe produkteve të tjera të rrobave janë përballë saj, rrobat e tij janë palosur me kujdes në dollap dhe kavanoza e ëmbëlsirave “Smiley” të cilat i pëlqente ai është plot gjithashtu. Një mbushës telefoni, rastësisht duke qëndruar në tavolinë kap syrin e babait dhe ai shpejt e vendos atë tek vendi ku përkiste. “Nëse ai do ta kishte parë atë këtu do të ishte zemëruar”, thotë Khairi.
Dhe përsëri, një heshtje shtypëse.
“Gjithçka që ne duam tani është qetësia” thonë prindërit. Ata kalojnë pjesën më të madhe të ditëve të tyre të shtrirë në shtrat dhe duke shikuar, pothuajse nuk takojnë askënd, ndezin televizorin vetëm kur nipërit dhe mbesat e tyre shkojnë në vizitë. Diana shkon në vizitë me katër fëmijët e saj çdo pasdite duke provuar t’i bëjë të ndihen më mirë, por shumë shpejt ata përsëri zhyten në dhimbjen e tyre.
Ushqimi i paktë të cilin e hanë ata vjen nga një restorant. Rana nuk është në gjendje të hyjë në kuzhinë, ku Eyadi praktikonte të bënte gjellët të cilat i kishte mësuar në orët mësimore të gatimit në “Elwyn”. Çdo mbrëmje, ai përgatiste çfarëdo pjate të cilën e kishte mësuar atë ditë. Stafi tek qendra ishte i impresionuar me aftësitë e tij dhe kishin planifikuar të organizonin që ai të punonte si asistent kuzhinieri në një nga kuzhinat e hotelit ose restorantit të qytetit.
Khairi nuk kishte punuar me vite, qëkur u plagos në një aksident në punë tek një fabrikë mermeri. Ai gjithashtu kishte vështirësi të ngjitej shkallëve për te varri i freskët i djalit të tij në varrezat e “Bab al-Zahara-s”, prapa zyrës postare në rrugën Saladin të Jeruzalemit Lindor. Rana thotë se, nëse ajo po të kishte mundësi, do të zhvendosej tek varrezat. Ajo kishte vizituar varrin e Eyadit katër ose pesë herë, ku tashmë është ngritur një gur varri.
Çifti megjithatë nuk mund të pranojë ta vizitojë vendin e ngjarjes, brenda “Lions Gate-it”, ku ai u vra. Khairi, i cili lutej në Xhaminë “Al-Aksa” çdo javë, nuk shkon më atje, sepse rruga kalon rreth vendit të vdekjes. Rana gjithashtu ka frikë të shkojë atje.
“Si mund ta shohë dikush vendin ku e kanë vrarë të birin e tyre? Kam frikë se policia do të më vrasë atje”, thotë ajo. “Fundja, ata vranë Eyadin, i cili ishte një djalë i qetë”.
Disa ditë më parë, miqtë e tij me nevoja të veçanta nga qendra “Elwyn” shkuan për të vendosur degë palme në kujtesë të tij në vendin e vrasjes së tij, por policia shpejt i largoi ata dhe i hoqi degët e palmës. Me sa duket Eyadi nuk do të ketë një memorial, madje as edhe një të improvizuar.
Policia ia ktheu celularin e të riut prindërve të tij pasi fshiu të gjithë të dhënat në të. Khairi dhe Rana thonë se Eyadit i pëlqente të incizonte rrugën për në shkollë dhe nga shkolla për në shtëpi, në mënyrë që t’i tregonte pamjet kur u kthente në shtëpi. Ndoshta ai gjithashtu dokumentoi vajtjen e tij të fundit për në shkollë?
Të martën, Nir Hasoni dhe Xhosh Breineri të “Haaretz-it” raportuan se njësia e Ministrisë së Drejtësisë për hetimin e oficerëve të policisë nuk ka pamjet nga kamerat e sigurisë nga incidenti, edhe pse ekzistojnë të paktën shtatë kamera në afërsi – përfshirë dy në dhomën e plehrave, ku të shtënat ndodhën. I dyshuari kryesor ndërkohë është liruar, ai është marrë në pyetje vetëm një herë nga policia.
Khairi: “Nuk ka kamera, nuk ka pamjet. Pse ndodhë kështu? Çfarë të them? A e patë javën e kaluar se si ata publikuan të gjitha pamjet nga pika e kontrollit “Abu Dis” brenda një ore?” ai pyet, duke iu referuar përpjekjes për shkelje të një oficere të policisë kufitare në pikën e kontrollit të Kioskit jashtë Jeruzalemit.
E hënë e kaluar ishte dita e 30-të nga katastrofa e Hallakëve. Shtëpia e tyre në rrugën “Yakut al-Hamwai”, e cila ishte përplot me vizitorët gjatë katër ditëve të zisë, ishte e zbrazët kur mbërritëm, së bashku me Amer Arurin, një studiues në terren për organizatën izraelite për të drejtat e njeriut “B’Tselem”. Aruri kishte raportuar dëshminë e kujdestarit të “Elwyn-it”, Uarda Abu Hadid, i cili ishte pranë Eyadit kur policia e qëlloi atë.
Rana dhe Khairy na thanë se ata janë prekur shumë nga pamjet e solidaritetit dhe dhimbjes nga mijëra njerëz nga e gjithë bota, përfshirë thirrjet telefonike për ngushëllim nga shumë izraelitë. Ata u prekën shumë nga reagimi i prindërve të tjerë me fëmijë autik.
Prindërit theksojnë se ata nuk kishin asnjë lidhje me dëbimin nga tenda e zisë së aktivistit të Tempullit Mount dhe ish-Likud MK Yehuda Glick-ut, por atyre u thanë se ai vazhdimisht i bënte vetes fotografi atje, gjë që ishte fyese. Qindra izraelitë erdhën për të marrë pjesë në pikëllimin e tyre, thonë ata. Në mbrëmje Glick-u, i cili kishte ardhur për të bërë vizitë ngushëllimi, e përzunë një grup palestinezësh të rinj, dhjetëra oficerë policie shkuan të kontrollojnë shtëpinë e tyre. Ishte kërkimi i dytë, katër ditë pas të parit, ditën e vrasjes. Përveç kësaj, Hallakët nuk kishin dëgjuar asgjë nga policia për vrasjen e djalit të tyre.
Më shumë fotografi: Eyadi është i varur mbi një tenxhere të madhe, e cila ishte duke gurgulluar me supë në shkollë, duke qëruar karota – një nga momentet e rralla në të cilën lumturia e shkurtër mund të shihet duke kaluar nëpër fytyrën e tij. “Pusho në paqe, engjëll”, shkruan fëmijët me nevoja të veçanta nga qyteti arab izraelit Taibeh, të cilët i sollën prindërve një fotografi të qëndisur prej tij. Ilustruesi izraelit Einat Magal Smoli u dërgoi atyre një pikturë të Eyadit, me emrin e tij në hebraisht dhe arabisht, dhe shtoi një letër ngushëllimi.
Rana dhe Khairi nuk janë të interesuar për kompensim financiar, thonë ata; gjithçka çfarë ata dëshirojnë është që policët përgjegjës të dalin në gjyq. Një numër i avokatëve, mes tyre avokati i të drejtave të njerëzore Majkëll Sfard, kanë ofruar ndihmën e tyre.
“Ka tetë avokatë të tillë, por ne e dimë se asgjë nuk do të ndodhë edhe nëse do të ishin pesë ose gjashtë të tjerë”, thotë Khairi. “Nuk besoj se oficeri i policisë do të hyjë në burg. Nëse do të kishte menduar se do të shkonte në burg, nuk do të kishte bërë diçka të tillë. Më besoni”.
Çfarë do të dëshironte ai që të ndodhë, e pyetëm. E qeshur e hidhët. “Izraeli është një vend i cili i bindet ligjit, apo jo? Izraeli është një demokraci, apo jo? Po presim të shohim. Jam duke pritur të shoh ligjin e shtetit të Izraelit. Kjo është pikërisht njëjtë si do të ishte nëse do të ishte e kundërta: Nëse Eyadi do të ishte një hebre të cilin e kishte vrarë një arab, gjykimi vetëm se do të kishte ndodhur. Ne nuk po presim kompensim. E tëra çfarë duam ne është që kjo të mos i ndodhë më askujt tjetër”.
Rana thotë se dëshiron t’i përcjellë një mesazh policisë dhe ushtrisë izraelite: “Ju lutemi mendoni përpara se të përdorni armën tuaj”. Dhe përsëri ajo na tregon video incizime , Eyadi duke larë dhëmbët, Eyadi duke bërë gjimnastikë, Eyadi duke u ngatërruar gjatë numërimit nga 1 deri në 15.
Një video e animuar nga monitori Euro-Mesdhetar për të Drejtat e Njeriut përshkruan orën e fundit të jetës së tij. Këtu ai po ecën në “Via Dolorosa-n” të Jezusit, një maskë kundër korona virusi në fytyrë, duart në doreza. Këtu shihet policët duke e ndjekur atë, dhe atje janë duke qëndruar sipër tij në dhomën e plehrave, duke e ekzekutuar.
“Jemi pa fjalë”, u themi atyre.
“Ka mjaftë fjalë”, thotë Rana.
Burimi: Haaretz, 02.07.2020
Përktheu dhe përshtati: Tasim Ameti
Antiteza.org/05. 07.2020