‘E hëngra, ky është fundi i presidencës sime’

‘E hëngra, ky është fundi i presidencës sime’

Publikimi i raportit të hetuesit special, Robert Mueller mbi mundësinë e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016 ka sjellë reagime emocionale në SHBA. Ekipi i presidentit amerikan, Donald Trump tha se është një ‘fitore totale’. Vetë Trump publikoi një mesazh në Twitter me stilin e ‘Game of Thrones’ ku shkruan: Loja mbaroi.

Prokurori i Përgjithshëm, Bill Barr tha se raporti e pastron presidentin nga akuzat, por demokratët insistojnë se Trump mund të gjendet fajtor për pengim të drejtësisë. Në raportin prej 448 faqesh të publikuar online thuhet se nuk arrihet në përfundimin nëse presidenti ka kryer krim, por as se ai është i shfajësuar.

Në raport thuhet se presidenti Trump tentoi të pushonte nga puna Robert Mueller, njeriun e caktuar për të hetuar lidhjet e tij të mundshme me Rusinë. Kur nisi hetimi, Trump i zemëruar bërtiti: “E hëngra. Ky ishte fundi i presidencës sime”.

Duke folur për gazetarët pas publikimit të raportit, Trump tha se “po kalon një ditë të mirë”. Përkrahësit e tij thonë se tashmë po hapet rruga që ai të fitojë edhe zgjedhjet e vitit 2020.

Demokratët nga ana tjetër thonë se Mueller duhet të dëshmojë publikisht në mënyrë që të rikthehet besimi publik pas këtij interpretimi partizan të raportit të tij.