Edhe 3 deputetë me koronavirus, ‘politika’ në Kosovë drejt karantinës

Edhe 3 deputetë me koronavirus, ‘politika’ në Kosovë drejt karantinës

Koronavirusi ka infektuar edhe 3 ligjvënës të tjerë në Kosovë. Lajmi është bërë i ditur nga vetë ata. Në total janë 8 politikanë të infektuar. Njëri prej tyre është deputeti i PDK-së Abelard Tahiri, i cili e ka bërë të ditur lajmin përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Në postimin e tij deputeti ka shkruar se pavarësisht se është përpjekur të tregohet i kujdesshëm, ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Tahiri tha se është mirë dhe se përveç simptomave të zakonshme, nuk ka ndonjë vështirësi të theksuar në përballimin e virusit.

“Të dashur qytetarë, Përkundër faktit se jam përpjekur të jem i kujdesshëm, duke mos anashkaluar rekomandimet, dua t’ju njoftoj se pas testimit për COVID-19, kam rezultuar pozitiv. Aktualisht, jam mirë dhe përveç simptomave të zakonshme, nuk kam ndonjë vështirësi të theksuar në përballimin e virusit. Gjatë kësaj periudhe të vetizolimit, do t’u përmbahem rekomandimeve të OBSH-së dhe mjekëve tanë. Ju ftoj edhe juve t’u përmbaheni rekomandimeve për ruajtjen dhe mbrojtjen e shëndetit tuaj dhe njerëzve të afërt në këtë periudhë aspak të lehtë në të cilën po kalojmë si vend”, shkruan deputeti.
Edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, e cila gjithashtu mban postin e kryetares të Komisionit për Shëndetësi, është infektuar me koronavirus. Lajmin e bën me dije vetë deputetja e AAK-së, e cila thotë se po qëndron e izoluar në shtëpi, pas kryerjes së testit.

Dyshohet se Reshitaj është infektuar në parlamentin e Kosovës, pasi siç thotë ajo, simptomat e para iu shfaqën fill pas seancës së të premtes.

“Të nderuar qytetarë, miq e kolegë, që nga fillimi i Pandemisë jam përpjekur të zbatoj masat e rekomanduara nga institucionet shëndetësore dhe vazhdimisht kam bërë ftesë për zbatimin e tyre. Pas seancës së ditës së Premte, konkretisht prej të Shtunës së këtij vikendi kanë filluar të më shfaqen disa simptoma që lidhen me infeksionin me Covid-19 dhe pastaj i jam nënshtruar testit ku kam rezultuar pozitiv. Deri në testimin tjetër pas një kohe të përcaktuar sipas protokollit unë do të qëndroj e izoluar në shtëpi.

Dua edhe një herë t’iu bëj ftesë të gjitha institucioneve të vendit që të rrisin përkushtimin në respektimin e masave mbrojtëse, të ndalohen të gjitha ngjarjet dhe aktivitetet aty ku nuk ka kushte dhe ku nuk respektohen masat e rekomanduara nga IKSHPK. Të rritet përkushtimi dhe disiplina sa nuk është bërë tepër vonë”, shkruan Reshitaj.

Edhe një deputet i LDK-së ka bërë publike ditën e sotme se ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Frashër Demaj ka njoftuar se ka rezultuar pozitiv me koronavirus.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Demaj ka bërë me dije se nga e premtja është në vetizolim dhe se po ndjek rekomandimet e mjekëve.

“Pavarësisht se jam munduar të jem shumë i kujdesshëm për vete dhe të tjerët duke bartur maskë gjatë gjithë kohës, si duket nuk ka mjaftuar. Të premten pasdite kam pasur temperaturë të lartë dhe kokëdhimbje. Pas publikimit të rezultateve të testit kam dal Covid pozitiv. Nga e premtja jam vetizoluar në shtëpi dhe po ndjek rekomandimet e mjekëve”, ka shkruar Demaj.

Ditët e kaluara deputeti i AAK-së në Kosovë, Rasim Selmanaj, ka bërë me dije se ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Përmes një postimi në Facebook, ai bën me dije se ka shfaqur simptoma të lehta që para 5 ditësh.

“Dje nga një kolege deputete pasi kishte pyetur për rezultatin tim, dikush nga laboratori i kishte thënë se jam negativ. Por si duket informata ka qenë për testin e dy korrikut! Para pak çasteve më thirrën nga Instituti dhe më njoftuan se kam rezultuar pozitiv! Tash e pesë ditë jam me simptoma të lehta. Vazhdoj të ndihem mirë”, shkruan ai.

Gjithashtu deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka treguar se është i prekur me COVID-19. “Meqenëse interesimi i miqve e gazetarëve është i madh për të konfirmuar lajmin nëse jam me Covid pozitiv. Lajmi është i vërtetë. Më është konfirmuar që analiza ime ka dalë me Covid pozitiv. Gjendja ime është e mirë dhe jam vetizoluar sipas rekomandimeve”, ka shkruar Avdyli në rrjetin social Facebook.

Nënkryetari i LSDM-së, Muhamed Zekiri është politikani tjetër i infektuar i cili njoftoi në profilin e tij në Facebook se ai, gruaja e tij dhe vajza tremuajshe janë pozitiv në COVID-19. Zekiri shkruan se vetë ai nuk ka as edhe një simptomë të infeksionit por që pasi ka rezultuar pozitiv në koronatestin që i është bërë së fundmi, është izoluar së bashku me familjen.

Ai madje u ka kërkuar falje të gjithë njerëzve me të cilët ka qenë në kontakt së fundmi, për atë që siç thotë ai, i ka vendosur në pozitë të palakmueshme.

Këngëtarja Eliza Hoxha, e cila është aktualisht edhe deputete e PDK-së, rezultoi pozitive me koronavirus tre ditë më parë. Lajmin e bëri publik vetë Hoxha, nëpërmjet një statusi në profilin e saj personal në rrjetet sociale.

“Të dashtun miq, pas testit negativ të javës së kaluar sot e kam ripërsëritur testin dhe kam dal pozitiv… Kjo për faktin që tre ditët e fundit kam pasur disa nga simptomat që e shquajnë këtë virus si: Plogështi, Ethe, Temperaturë, Kolle. Po ashtu kam vërejtur aritmi të theksuar këto ditë… Çfarë mund të ju them unë e që nuk e keni dëgju deri tani…Asgjë më shumë përtej se të kujdeseni për veten e të tjerët. Maska, higjiena e theksuar, distanca tashmë janë domosdoshmëri dhe mënyrë jetese. Virusi ekziston. Do të jetë gjatë me ne, prandaj duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me të. Për ata që i kam pas afër këto ditë uroj të mos sëmuren, e nëse po ta kalojnë me lehtësi. Sh’net!”, shkroi ajo.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Këtë e ka bërë të ditur vetë ai në një postim në Facebook.

“Sot, pas analizave të kryera, kam rezultuar pozitiv me Covid-19. Përveç një plôgështie, nuk vërej ndonjë shqetësim tjetër shëndetësor. Anëtarët e tjerë të familjes nuk janë të prekur. Ditët në vijim to të jem i izoluar. Apeloj te të gjithë për kujdes maksimal!”, ka shkruar ai.

Ditët e fundit edhe disa deputetë dhe zyrtarë të tjerë të LDK-së kanë rezultuar pozitiv me COVID-19. Pak ditë më parë Mustafa pati dhe një takim me kryeministrin Edi Rama, teksa e priti në shtëpinë e tij.