Edhe sot protesta kundër Trumpit

Vala e protestave pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale ka vazhduar edhe mbrëmë në mbarë SHBA-të, ndërsa në sheshin Unon në Manhattan u mblodhën më shumë se 20.000 protestues, raporton Anadolu Agency (AA).

Edhe në ditën e katërt të protestave kundër fitores në zgjedhje të Trumpit, tubimi më i madh u organizua në Manhattan në New York. Më shumë se 20.000 persona morën pjesë në marshin protestues drejt Trump Tower.

“Grua e fortë, bota e fortë”, “Mirë se vini muslimanë”, “Lufto për të drejtat tua”, “Trump nuk është presidenti ynë”, “Jo, fashizmit në SHBA”, dhe “Zgjohu SHBA” janë disa nga sloganet dhe porositë që demonstruesit brohorisnin gjatë protestës.

Demonstratave iu bashkëngjit edhe regjisori i njohur Michael Moore, ndërsa një grup i protestuesve të rinj bënë thirrje edhe Partisë Demokratike që të analizojë kandidaturën e Hillary Clinton, e cila humbi zgjedhjet, sepse siç pohojnë, oponenti i saj Bernie Sanders ka pasur më shumë gjasa që të fitojë Trumpin.

Protestat u zhvilluan nën masa të përforcuara të sigurisë, ndërsa tubime të tilla janë mbajtur edhe në Los Angelos, Chicago dhe qytetet tjera të SHBA-ve. Disa mijëra protestues në Chicago veshën rroba tradicionale indiane dhe me valle nëpër rrugë shprehën protestën e tyre për shkak të fitores së Trumpit në zgjedhje. Demonstruesit me “vallen e gjarprit” shprehën pakënaqësinë ndaj projektit të paralajmëruar të gazsjellësit në Dakotan Veriore.