Edi Rama po imiton Gruevskin, protesta-anti-protesta

Hamdi Nuhiju

Protestat e studentëve e kanë nxjerr nga shpella kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për të komunikuar me opinionin dhe studentët për gjetjen e një zgjidhje të përhershme për problemet e tyre. Është e habitshme kjo ftesë reflektimi e kryeministrit kur dihet tashmë se ai në momentet e para të njëjtit i quante ngelësa, ose siç dikur UCK-të tona, disa shqiptarë, sllavë dhe perëndimor i quanin ushtri terroriste.

Protestave të studentëve i paraprinë protestat e banorëve në Unazën e Re në Tiranë si dhe problemi i një demokracie jo funksionale me mungesën e opozitës në Parlament. Tashmë u bë një kohë prej kur opozita shqiptare ka bojkotuar Parlamentin, ndërsa Edi Rama si duket po ndjen kënaqësi maksimale duke shfrytëzuar haptas këtë mundësi të artë për të çuar para agjendat e tij partiake ndoshta edhe klienteliste.

Kërkesat e studentëve janë kundër tarifave të shtrenjta, por në thelb përmbajnë atë frikën e eksperimentimit që thuajse të gjitha qeveritë në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Serbi e më gjërë po bëjnë me arsimin. Studentët frikësohen se fati i tyre do të vendoset në dorën e eksperimentuesve që do të zhvlerësonte në tërësi mundin e tyre, por edhe pasurinë e prindërve të tyre. Në Maqedoni për shembull edhe sot e kësaj dite eksperimentohet me arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë ku thuajse çdo vit ka ndryshime të cilat vetëm se po e ulin cilësinë dhe po shtojnë korrupsionin dhe kuadrot jo profesionale të gatshme për t`u shpërngulur jashtë shtetit.

Problemi i diplomave të blera, i skandaleve seksuale, titujve shkencor të fituar përmes rrugës së plagjiaturës vetëm se janë shtuar pas të gjitha atyre reformave të bëra nga qeveria e Republikës së Maqedonisë.

Nëse hulumtojmë në thelb problemet e studentëve shqiptar në Shqipëri, gjejmë të njëjtat simptoma me nuanca ndryshimesh dhe me një tendencë në rritje të përfshirjes së politikës në shkaktimin e problemeve dhe shtimin e vuajtjes së studentëve. Ajo që dallon prej studentëve shqiptar në Maqedoni, është vetëdija e lartë e organizimit të studentëve në Shqipëri duke ngritur zërin e tyre kundër të gjitha padrejtësive që po bën qeveria e Edi Ramës. Tashmë u bënë disa ditë që studentët kanë dal në rrugë duke detyruar politikën që të tërhiqet dhe të futet në proces dialogimi.

Është interesante të nxirret në pah mënyra e sjelljes së kryeministrit Edi Rama dhe ministrave të tij me protestuesit student, me ato në Unazën e Re, me opozitën, me mënyrën e sjelljes së ish kryeministrit të qeverisë së Republikës së Maqedonisë Veriore, Nikolla Gruevski i cili tashmë ka fituar statusin e azilantit në Hungari.

Edi Rama me azilantin Nikolla Gruevski çuditërisht nuk dallojnë aspak. Mjafton të reflektojmë duke kapur disa momente të ngjashme për të kuptuar se sa janë të ngjashëm këto dy personalitete politike:

1. Në kohën e Nikolla Gruevskit, në Maqedoni lulëzonin kompanitë off shorë, ku nga bombat e kryeministrit të tanishëm Zoran Zaev u kuptua për shumë afera korruptive për ndërtimin e autostradave, rrugëve magjistrale , si dhe projektit skandaloz ‘Shkupi 2014’.

– Në shumë debate televizive si dhe në mediet online dhe të shkruara në Shqipëri është aktuale tema e 2 km rrugëve në Unazën e Re që do të kushtojnë 40 milion euro, ku njëra prej firmave fituese të tenderit është një kompani off-shorë me dokumente të falsifikuara ( shih emisionin : Të Paekspozuarit).

2. Banorët e Maqedonisë, Nikolla Gruevskin e mbajnë mend me stilin e tij populist ku dilte rrugëve të Maqedonisë dhe nga rruga në telefon porosiste vartësit e tij për t`i kryer obligimet e tyre ditore. E gjithë kjo gjë bëhej me një qëllim për tu treguar njerëzve se gjoja i njëjti është i angazhuar vazhdimisht në zgjidhjen e halleve të njerëzve dhe gjithmonë është pranë tyre.

– Sot jemi dëshmitar të propagandës së Edi Ramës i cili po i keqpërdor rastet sociale në Shqipëri përmes ERTV duke luajtur rrolin e një humanisti të madh, e duke u munduar që t`i zgjidh hallet e tyre. Edi Rama po ikë nga rroli i kryeministrit dhe ka marr rrolin e një shoqate humanitare që kujdeset për të zgjidhur hallet e banorëve të vet.

3. Lufta që Nikolla Gruevski i bëri medieve nuk ishte dëgjuar më parë. Në kohën e tij u mbyllë A1 njëri prej televizioneve më të fuqishme në vend, u blenë gazeta, portale dhe televizione, u censurua opinioni publik përmes arrestimit të gazetarëve, si dhe në rrethana të panjohura edhe ndërroi jetë gazetari Nikolla Mladenov. Si rezultat i tërë kësaj, në Maqedoni kishim media të kapura, censura ishte në nivel si dhe mungonte dukshëm liria e shprehjes.

– Edi Rama e kaloi për një hap Nikolla Gruevskin, duke e hapur direkt një televizion të tij ERTV. Ai i ka shpallur luftë direkte medieve, madje në kohën e tij u mbyll Agon Channel, u blenë disa medie si dhe përmes paketës anti-shpifje ai i ka shpallur luftë direkte fjalës së lirë dhe medieve.

4. Në kohën e Nikolla Gruevskit, i njëjti dukej se është tejet i interesuar për problemet dhe protestat e studentëve, duke futur njerëz të vet në protestë, duke blerë organizatorët, madje edhe duke organizuar anti-protesta që do të kishin në rend dite temën e njëjtë-problemet studentore.

– Sot Edi Rama po fton studentët të reflektojnë duke i ftuar në debat publik, ku nga raportimet në medie duket sikur ka infiltruar njerëz të vet, ka blerë organizatorët si rasti me Arlind Qorrin, dhe duket sikur është tejet i interesuar për të zgjidhur hallet e studentëve. Ajo që mungon nga Edi Rama është anti-protesta që do të kishte në rend dite temën e njëjtë me studentët: problemet e studentëve.

5. Nikolla Gruevski i shpalli luftë të hapur opozitës, ku dihet mirëfilli se dhunshëm i përjashtoi prej dyerve të Parlamentit në të premten e zezë ku miratoi buxhetin e famshëm kontrovers që i mundësonte t`i realizoje në praktikë të gjitha aferat e tij korruptive.

– Sot Edi Rama sillet me përçmim ndaj opozitës, aktorët e saj kryesor i quan pleq dixhital, ndërsa kreun e opozitës e përqesh haptas në medie duke u munduar që ta nxjerr jashtë kontekstit kohor të gjithë aktivitetin e tij politik.

Shkurtimisht këto janë vetëm disa pika të ngjashme midis Edi Ramës dhe Nikolla Gruevskit. Ajo që mbajnë mend shqiptarët e Maqedonisë është fati famëkeq i Nikolla Gruevskit i cili nga një person i fuqishëm në Maqedoni u shndërrua në një azilant në Hungari. Dhe këtë fat ia përcaktuan pikërisht studentët dhe Plenumet e tyre studentore të cilët nuk u frikësuan aspak nga e gjithë forca në rënie e Nikolla Gruevskit. Ata me guximin dhe këmbënguljen e tyre i dhanë zor Nikolla Gruevskit nga kolltuku i kryeministrit në kantën e plehrave.

Sjellja e sotme e kryeministrit Edi Rama më ngjason shumë me përfundimin e karrierës politike të Nikolla Gruevskit. Me studentët përballë, banorët e revoltuar që do t`i prishen shtëpitë për t`u realizuar afera të pastra korruptive, me keqpërdorimin e klasave sociale për të përmirësuar imazhin karshi shqiptarëve, me luftën që po i shpall medieve, Edi Rama nuk e ka larg përfundimin.