EKSKLUZIVE/ Presidenti Pendarovski: Nuk do tërhiqem nga vlerat për të cilat thashë se do të angazhohem gjatë fushatës zgjedhore

EKSKLUZIVE/  Presidenti Pendarovski: Nuk do tërhiqem nga vlerat për të cilat thashë se do të angazhohem gjatë fushatës zgjedhore

Intervistë me Presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut Z. Pendarovski për Almakos.

 

Në intervistën e parë si president për portalin Almakos, presidenti Stevo Pendarovski u përgjigj në të gjitha temat e politikës aktuale të brendshme si dhe në raport me fqinjët. Ai dha përgjigje edhe për problemin e kërkesës së Turqisë për ekstradimin e anëtarëve të FETO-s, për keqkuptimet me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama si dhe për raportet me Bullgarinë, Kosovën, Serbinë, Greqinë dhe vendet tjera.

Synimi i tij si president është që të krijoje kushte për të ndaluar migrimin e të rinjve nga Maqedonia e Veriut. Për ta realizuar një qëllim të këtillë, Pendarovski vlerësoi se duhet që të ketë një harmoni me të gjithë aktorët politik brenda Maqedonisë duke krijuar një stabilitet të brendshëm politik.

Pendarovski u pyet edhe për raportet me partitë politike shqiptare, BDI-në, Alternativën dhe Aleancën për Shqiptarët, të cilat raporte, në intervistën për Almakos, u tha se janë të mira dhe pritet që me hapa konkret edhe të thellohen. U diskutua edhe për arsyet e kundërshtimeve të përzgjedhjes së Erolld Musliut në kreun e Agjencisë së Zbulimit si dhe arsyes së përcaktimit të presidentit prapa këtij emri.

Me marrjen e detyrës president, zotëri Pendarovskit iu është ndryshuar stili i jetës, por kjo gjë është bërë me lejen e gruas dhe djalit të tij.

 

Intervistroi: Emad MEHMETI

 

Almakos: Më 24 -25 qershor udhëtoni në Gjermani, cili është qëllimi i kësaj vizite?

 

Stevo Pendarovski: Vizita ime e parë ndërkombëtare ishte në Bruksel, selia e institucioneve kryesore euroatlantike, sepse ky është destinacioni  që me vite të tëra përkrah qytetarët tanë. Vizita ime e parë bilaterale është në Gjermani ku do të takohem me Presidentin Shtajnmaer dhe Ministrin e Punëve të Jashtme Maas. Gjermania është partneri ynë kryesor politik dhe ekonomik, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut por edhe për Rajonin. Gjermania me vite të tëra është partneri ynë i parë tregtar, dhe krijuese e Procesit të Berlinit për bashkëpunim në rajon. Investimet e tyre disavjeçare në zhvillimin ekonomik dhe politik ishin kyçe për përmirësimin e shoqërisë sonë. Marrëdhëniet gjermano- maqedonase janë shumë të afërta dhe me partneritet. Gjermania ishte dhe presim që të mbetet përkrahëse akoma më e fuqishme dhe më e qartë e aspiratave euroatlantike të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

 

Almakos: Ka më shumë se një muaj që jeni President i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Si është ndjenja të jeni në krye të shtetit dhe a ka ndryshuar diçka në jetën Tuaj.

 

Stevo Pendarovski: Para se ta pranoj kandidaturën fola hapur me bashkëshorten dhe tim bir, prej tyre kisha përkrahjen e plot dhe ky ishte kushti themelor të hyj në garën presidenciale. Sikurse pritet që përditshmëria jonë ka ndryshuar, unë nuk dua të jem “rob” i protokolleve dhe dua, kuptohet, sa është e mundur të  kem mënyrën e mëparshme të jetës. I vetëdijshëm se tani obligimet e përditshme si president, diktojnë dinamikë të madhe të detyrimeve dhe përgjegjësive, megjithatë unë jam Stevo Pendarovski, bashkëshort i Betit dhe babai krenar i Ognenit.

 

Të jesh në krye të shtetit për mua është jashtëzakonisht nder i madh por edhe përgjegjësi shumë e madhe. Jam i lumtur që qytetarët më besuan që të udhëheq shtetin dhe të jem mbrojtës i interesave të tyre. Për mua nder është ta përfaqësoj shtetin para botës dhe të jem në krye të Armatës.

 

Jam mirënjohës për të gjithë qytetarët të cilët më dhanë besimin. Siç e thashë në fjalimin tim të inaugurimit edhe në fushatën zgjedhore, do të jem president i të gjithë qytetarëve dhe bashkërisht të ndërtojmë unitetin, solidaritetin dhe drejtësinë. Pa dyshim që ka ndryshme në jetën time private, por këto janë për mirë sepse do të kem mundësinë që pesë vitet e ardhshme të punoj në zhvillimin e vendit tonë dhe promovimin e tij në botë.

 

Almakos: Si ndjehen anëtarët e familjes suaj, konkretisht bashkëshortja dhe djali juaj, dhe sa ata arrijnë të ballafaqohen me realitetin se duhet të përshtaten në një përditshmëri të re?

Stevo Pendarovski: Im bir Ogneni është 17 vjeç, por është një personalitet i formuar fuqishëm. Ogneni dëshiron dhe jam i sigurt se do të jetojë jetën e çdo të riu. Bashkëshortja ime me profesion është mjeke, por ajo tashmë po përfshihet në aktivitet që gjithmonë kanë qenë vlerat tona të përbashkëta si uniteti, solidariteti, humanizmi dhe jetë më të mirë për të gjithë.

Kuptohet se ka ndryshime në mënyrën sesi tani jetojmë dhe si familje përpiqemi të ruajmë afërsinë. Na ndryshoi përditshmëria, por edhe përveç dinamikës së jetës përpiqemi si familje, të kalojmë sa më shumë kohë bashkë vetëm ose edhe me miqtë e afërt.

 

Almakos: Pse akoma jetoni në banesën tuaj private dhe jo në rezidencën presidenciale? Pranuat se do të shpërnguleni në rezidencën presidenciale vetëm që të mos i shqetësoni fqinjët tuaj?

Stevo Pendarovski: Po, së shpejti do të shpërngulem në rezidencën presidenciale, sepse ky funksion në vete ngërthen rregulla sigurie, si dhe ka shumë dinamikë e aktivitete. Nuk do të doja që fqinjët e mi të kenë ngarkesë dhe të shqetësohen edhe pse çdo ditë kur shkoj dhe kthehem kam mundësinë të takohem me ta ose me qytetarë të tjerë dhe të bisedojmë tema të zakonshme fqinjësh. Do më vijë keq të shkëputem nga rutina ime e përditshme me fqinjët pasi me vite të tëra kemi jetuar në një ndërtesë dhe këto janë marrëdhënie të cilat do të vazhdojnë edhe gjatë mandatit tim, dhe pas tij por tani do më duhet të shpërngulem në rezidencë për të mos i shqetësuar fqinjët e mijë.

 

Almakos: Para një jave kishit vizitën e parë në Bruksel! A jeni të kënaqur me takimet që realizuat dhe a jeni optimist lidhur me marrjen e datës për anëtarësim në BE, në vjeshtë?

Stevo Pendarovski: Jam i kënaqur me vizitën në Bruksel sepse edhe kryetari i Këshillit të Evropës Tusk dhe përfaqësuese së kartës së BE-së për politikë të jashtme Mogerini morëm porosi të qartë se Maqedonia e Veriut është në rrugën e drejtë dhe duhet të vazhdojmë me reformat. Morëm konfirmim dhe njohje se shteti bëri gjithçka që pritej dhe pyetja është jo se a do të fillojnë, por kur do të fillojnë bisedimet. Jam optimist për në vjeshtë dhe siç u theksua tek konkluzionet nga Këshilli i qershorit në Luksemburg se BE do t’i rikthehet çështjes sonë më së voni deri në tetor dhe do të marrim datën për bisedimet. Konkluzionet qartë theksuan se kjo stërzgjatje është për shkak të kornizës së ngushtë kohore që po shqyrtohet Raporti që të sillet një vendim. Kjo vonesë nuk është për shkaqe të kritereve të paplotësuara nga ana jonë. U përmend në takim se nga rajoni vijnë lajme të mira, kurse Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja me Bullgarinë janë shembuj sesi mundet çështje të rënda të përmbyllen me vendime të guximshme.

 

Almakos: Si janë raportet tuaja me kryeministrin Zaev? Ju pyes për këtë relacion sepse Ivanov kishte probleme të mëdha me qeverinë aktuale dhe nuk firmosi ligjet që miratoi Parlamenti. Në ndërkohë ju firmosët të gjitha ligjet e bllokuara nga Ivanovi?

Stevo Pendarovski: Me kryeministrin Zaev kemi bashkëpunim të shkëlqyer, unë isha bartës i listës në Njësinë e parë zgjedhore, kisha besimin e kryeministrit dhe punova si Koordinator kombëtar për NATO-n, ndoshta në periudhën më specifike. Në zgjedhjet presidenciale, unë isha përzgjidhja për kandidat presidencial, dhe gjatë fushatës përkrahja e tij ishte e qartë. Me Qeverinë pres që të kem bashkëpunim të shkëlqyer. Dua të jap përkrahjen time për të gjitha nismat të cilat janë  me interes për qytetarët, do të jap përkrahjen për zgjidhje më të mirë kur do të shoh se disa procese nuk janë  në interes për të gjithë qytetarët. Pasi mora funksionin, firmosa një numër të madh të ligjeve që paraprijësi im nuk i firmoste për shkak të refuzimit të emrit të ri të shtetit dhe hapëm rrugën për zbatimin e ligjeve shumë të rëndësishme nga fusha e sigurisë, si dhe për avancimin e të drejtave sociale të qytetarëve.

 

Almakos: Na intereson si janë raportet me BDI-në dhe kryesuesin e saj Ali Ahmeti?

Stevo Pendarovski: Me liderin e BDI-s kemi bashkëpunim konkret dhe korrekt, kurse partia e BDI-së dha përkrahje për kandidaturën time. Në kuadër të takimeve të mija me partitë politike u takova me zotin Ahmeti dhe ramë dakord se të gjithë politikanët bashkërisht duhet të punojmë për realizimin e agjendës euroatlantike në shtet. Unë jam i hapur për bashkëpunim dhe konsultime me të gjitha partitë politike.

 

Almakos: Si është bashkëpunimi Juaj me partitë e tjera shqiptare të cilat janë pjesë e koalicionit qeveritar, sidomos me “Alternativën” e Afrim Gashit?

Stevo Pendarovski: Edhe me partitë e tjera shqiptare kam bashkëpunim konkret, kurse me liderët u takova që në fillimet e para të mandatit tim. Do të përpiqem që gjatë mandatit të realizojmë bashkëpunim konkret me të gjitha partitë politike dhe me koalicionin. Motoja jonë duhet të jetë: – Të gjithë së bashku të punojmë për një shoqëri më të mirë.

 

Almakos: Ju u takuat me liderin e partisë opozitare që e kryeson Z. Ziadin Sela? Për çfarë biseduat me Selën dhe a ka kërkuar diçka nga ju?

Stevo Pendarovski: Me zotin Sela u takuam dhe biseduam për mënyrat se si mund të bashkëpunojmë bashkë. Më informoi për qëndrimet e partisë së tij dhe për procese të caktuara në shtet. Shpresoj që të kemi bashkëpunim konkret në të ardhmen.

 

Almakos: A planifikoni takim me z. Mickovskin ose a mendoni ta thirrni në takimin me liderët e partive?

Stevo Pendarovski: Po, shpresoj se shumë shpejt do të shihem edhe me zotin Mickovski. Na duhet dialogu politik  dhe na duhet pajtim në shtëpi, pa dallim të interesave politike të partive të ndryshme, për çështjet e mëdha me interes strategjik për vendin, në afat të gjatë duhet të kemi konsensus, nëse duam që shoqëria jonë të përparojë, të rinjtë të mos migrojnë dhe të kemi zhvillim  dhe stabilitet. Duhet të gjejmë mënyrën e bashkëpunimit ndërmjet të gjithë politikanëve relevantë, sepse ne të gjithë punojmë për interesin e qytetarëve.

Almakos: A i tejkaluat mosmarrëveshjet me BDI-në për emërimin e drejtorit të Agjencisë së Kundërzbulimit, Erolld Musliut?

Stevo Pendarovski: Nuk do të thosha se kishte mosmarrëveshje dhe nëse ka pasur disa paqartësi u shpjeguam. Kishim takime me udhëheqësin e BDI-së dhe iu shpalosa shkaqet dhe kriteret e emërimit të Musliut dhe konsideroj se në të ardhmen më shpesh do të jemi në komunikim.

 

Almakos: Cilat ishin arsyet dhe predispozitat që ju shtynë Erolld Musliun ta emëroni drejtor të Agjencisë së Kundërzbulimit?

Stevo Pendarovski: Erolld Musliu është profesionist nga sektori i sigurisë me përvojë afatgjate. Këto ishin kriteret e emërimit të tij: arsimimi, përvoja dhe aftësia për të udhëhequr një sektor kaq senzitiv siç është ai i sigurisë, si dhe bashkëpunimi me institucionet në vend dhe jashtë shtetit.

 

Almakos: Për herë të parë qëkur ekziston pavarësia e shtetit dhe drejtori i kësaj Agjencie dhe Këshilltari juaj për siguri kombëtare janë shqiptarë, përkatësisht Erolld Musliu dhe Blerim Kollali. Cilat janë arsyet që Kollali është pjesë e kabinetit tuaj?

Stevo Pendarovski: Kriteret për emërimin e Kollalit për Këshilltar të sigurisë kombëtare sikurse edhe për të gjithë bashkëpunëtorët e tjerë – arsimimi, përvoja dhe qasja profesionale ndaj punës. Konsideroj se ai ka përvojën e duhur dhe mundin e dhënë dhe mund të kontribuojë si këshilltari im për sigurinë kombëtare, duke pasur parasysh edhe përvojën shumëvjeçare duke punuar për NATO-n, organizatën më të suksesshme politiko- ushtarake drejt së cilës bashkangjitemi dhe standardet e së cilës i miratojmë.

 

Almakos: As Z. Musliu e as Z. Kolali nuk janë anëtarë të ndonjë partie. Përveç tyre si jopartiak, pjesë e kabinetit tuaj janë edhe personalitete nga sektori civil, mediave…Do të thotë se  kabinetin presidencial dëshironi ta departizoni?

Stevo Pendarovski: Kabineti presidencial duhet të jetë reflektim i shoqërisë në të cilën jetojmë. Në kabinetin tim ka persona që erdhën nga sektorë të ndryshëm – privat, komuniteti akademik, institucione të vendit dhe të huaja. Laramania e përvojave është pasuri. Tashmë dihet fakti edhe në biznes se ekipet më të suksesshme janë ata që kanë përvoja të ndryshme, kur ka qëndrime dhe mendime të ndryshme, kjo është pasuri e një game të gjerë idesh, në të cilat mund të kristalizohen propozimet më të mira.

 

Almakos: Kur do t’i bëni të ditur emrat e Këshillit të Sigurisë?

Stevo Pendarovski: Procesi i konsultimeve përfundoi dhe kohë më pare publikisht i bëra të ditur emrat, e ata do jenë Veton Latifi, Trajan Gocevski dhe Nenad Markoviq.

 

Almakos: Kush do të propozohet anëtarë i Këshillit Gjyqësor? Flitet se ky vend do t’i takojë BDI-së. Ka ndonjë të vërtetë për këto spekulime? Deri më tani në kabinetin tuaj nuk shohim ndonjë vend ose pozitë që është plotësuar me propozim të BDI-së?

Stevo Pendarovski: Sikurse edhe emërimet e tjera të cilat janë nën përgjegjësinë e presidentit do të përpiqem të kem konsultime, me qëllim të përzgjedh persona të cilët përveç përkatësisë etnike, duke pasur parasysh kornizën ligjore të shtetit tonë, e cila kërkon përfaqësim të drejtë të komuniteteve kriteret duhet të jenë persona të duhur për pozitën, persona me integritet, profesionistë të ndershëm dhe të dëshmuar në fushën e tyre…

 

Almakos: Para disa ditësh  u bë polemikë rreth marrëdhënies tuaj me Kryeministrin e Shqipërisë, Z. Rama. Pastaj Z.Rama konfirmon se keni biseduar me telefon dhe keni sqaruar gjërat. Për çfarë keqkuptimi bëhet fjalë dhe për çfarë biseduat me Z. Rama? A mendoni se Shqipëria duhet të përjashtohet nga pakoja e përbashkët me shtetin tonë për tu pranuar në BE?

Stevo Pendarovski: Kishim bisedë telefonike me zotin Rama dhe u pajtuam se ka pasur një keqkuptim të vogël, të gjithë ne jemi pjesë e një shoqërie të njëjtë dhe unë jam president i të gjithë qytetarëve. Më e mira për rajonin është që edhe Maqedonia e Veriut edhe Shqipëria të marrin datat për bisedimet, por edhe vendet të tjera të përfshihen në procesin e integrimit evropian. Përvoja nga vendet anëtare më të reja na treguan se anëtarësimi në institucionet euroatlantike është proces nëpërmjet të cilit shoqëria reformohet dhe përmirësohen kushtet për qytetarët. 

 

Almakos: Në ndërkohë Bullgaria u shpreh kundër ndarjes së këtij grupi?

Stevo Pendarovski: Një grup formal i tillë nuk ekziston, dhe asnjëherë nuk ka ekzistuar. Procesi është kryesisht në bazë meritore, dhe arritjet e çdo vendi kandidat Brukseli i vlerëson veçmas. Ajo që dëshira e më shumë shteteve anëtare të BE-së, përfshirë edhe Bullgarinë si fqinje e përgjegjshme është ta shohim Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të integruar në Union, nuk do të thotë se është formuar ndonjë grup i caktuar nga dy shtetet tona. Nga ana tjetër, sërish do ta theksoj se integrimi i Shqipërisë në BE është edhe dëshira dhe angazhimi im. Do të thosha se jo vetëm Shqipëria, por edhe Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina duhet të kenë ardhmëri të qartë evropiane dhe kur të jenë të gatshme të bëhen anëtare të Unionit.

 

Almakos: Si janë raportet e shtetit tonë me Kosovën dhe Shqipërinë?

Stevo Pendarovski: Maqedonia e Veriut ka bashkëpunim të shkëlqyer me Kosovën dhe Shqipërinë, ne jemi fqinjë dhe natyrisht me fqinjët duhet të kemi relacione të fuqishme sepse institucionet tona, bizneset, sektori civil, dhe secili nga ne si qytetarë ka më shumë bashkëpunim ose këmbim me fqinjët.

 

Almakos: Si e vlerësoni gjendjen aktuale në Kosovë dhe cili është mendimi Juaj në raport me bisedimet Kosovë- Serbi? Si e vlerësoni taksën që aktivizoi Kosova për prodhimet e importuara nga Serbia?

Stevo Pendarovski: Siç edhe theksova Kosova është partner i rëndësishëm i Maqedonisë së Veriut. Zhvillimet politike brenda këtij vendi janë punë te brendshme të Kosovës. Presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj gjatë kohë janë në politikë dhe besoj se janë mjaft të zgjuar të njohin politikat rajonale dhe interesat më të rëndësishme të qytetarëve të tyre, por edhe të partnerëve nga bashkësia ndërkombëtare, të cilët duan që Kosova të jetë faktor stabiliteti në rajon. Nga ana tjetër, fuqishëm jam i bindur se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë forma e vetme për gjetjen e zgjidhjeve dhe se idetë për korrigjim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve, janë arkaike dhe të dëmshme. Në këtë kontekst mendoj se mendimi i  partnerëve të Ballkanit dhe taksat e aplikuara nuk kontribuojnë në krijimin e atmosferës së besimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe se dëmtojnë besimin dhe dialogun. E dini, madje edhe në momentet më të vështira të raporteve tona me Greqinë, asnjë lider politik në Maqedoninë e Veriut nuk ndërmori masa ekonomike radikale, duke e ditur se është punë shtetërore të përpiqemi t’i tejkalojmë mosmarrëveshjet.

 

Almakos: Vlerësimi i Juaj për marrëdhëniet e shtetit tonë me Greqinë, Bullgarinë dhe Serbinë?

Stevo Pendarovski: Pas nënshkrimit të Marrëveshjes me Prespën  marrëdhëniet me Greqinë dukshëm janë përmirësuar në nivel institucional dhe politik, si dhe ndërmjet bizneseve, kurse nga viti i kaluar kemi fluturim të drejtpërdrejtë Shkup- Athinë. Në të kaluarën kishim bashkëpunim të mirë biznesi, por gjithmonë ka hapësirë për më shumë. Me Bullgarinë dhe Serbinë  tradicionalisht kemi marrëdhënie të mira në nivel të bizneseve, turizmit, punës dhe arsimimit të qytetarëve. Ne jemi vendi i vetëm në rajon i cili nuk ka çështje të hapura me fqinjët dhe i cili avancon marrëdhëniet. Sikurse në çdo relacion, ndonjëherë kemi nevojë për më shumë mund, por edhe vullnet politik dhe angazhim që gjithmonë të përmirësohen marrëdhëniet.

 

Almakos: Cili është qëndrimi juaj me kërkesën e Turqisë t’i kthehen shtetasit e saj të akuzuar se janë anëtarë të organizatës FETO?

Stevo Pendarovski: Biseduam për këto çështje me partnerët tanë nga Turqia dhe e dimë se ata kanë kërkesa për 15 persona. Procedura është në vijim e sipër nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, sa jam i informuar.  Gjithashtu duhet të jemi të vetëdijshëm se ne kemi marrë obligim si pjesë e integrimit tonë evropian të harmonizohemi me politikën e jashtme  të përbashkët të sigurisë  të BE-së dhe duhet që këtë ta kemi parasysh para marrjes së vendimeve përfundimtare.

 

Almakos: Për në fund: Tashmë që jeni President, a jeni të vetëdijshëm dhe korrekt që të mos tërhiqeni nga  parimet që i keni përmendur gjatë fushatës parazgjedhore?

Stevo Pendarovski: Nuk planifikoj të tërhiqem nga vlerat për të cilat thashë se do të angazhohem gjatë fushatës zgjedhore – president i të gjithë qytetarëve, prej të cilit qytetarët nuk do të turpërohen. Do të jem fytyra e shtetit para botës, do të punoj për të gjithë, do të përpiqem të shihem me më shumë qytetarë sa të kem mundësi. Zyra ime do të jetë e hapur për çdo qytetarë që ka problem dhe se do të mundohem të ndihmoj në zgjidhjen e këtyre problemeve. Nëse duam një shoqëri të avancuar, ku të rinjtë nuk do të migrojnë më, ku do të kemi hulumtime, zhvillim dhe progres duhet të punojmë për drejtësinë, solidaritetin dhe unitetin – për një shtet më të mirë për të gjithë. Siç edhe premtova, nuk dua të mbetem mbyllur në zyrat e mija në Vodno, do të shkoj gjithandej ku do të më ftojnë dhe do të punoj për të mirën e çdo qytetari dhe të shtetit.