Ekspertët e Bashkimit Evropian i tërheqin vëmendjen Kuvendit për vonesat në formimin e trupave vëzhgues për aktivitetin e përgjimeve nga ana e Agjencisë Teknike Operative. Bëhet fjalë për ngecjet në formimin e Këshillit civil në të cilin janë zgjedhur vetëm gjysma e anëtarëve dhe kompletimin e Komisionit parlamentar për vëzhgimin e punës së ATO-së me dy ekspertë të fushës. Kreu i komisionit në fjalë Emil Dimitriev përcolli shqetësimet e ekspertit nga BE-ja Mauricio Varaneze dhe atij nga Komisioni Evropian Kloe Lauren.
Nga ana e drejtuesve të Kuvendit nuk kam mbështetje në pjesën e sigurimit të buxhetit dhe fillimin e procedurës për zgjedhje të ekspertëve. Në këtë kontekst unë në nëntor edhe me shkrim u drejtova te z. Xhaferi se është e rëndësishme që Kuvendi të ndihmojë në këtë pjesë – tha Emil Dimitriev, kryetar i komisionit për mbikëqyrjen e ATO-së.
BE-ja, nëpërmjet ekspertëve të saj, kërkon rishikimin e propozim-ligjit për ndjekje të komunikimeve i cili sipas tyre kufizon qasjen e vëzhguesve mbi punën e ATO-së.
Një pjesë e këtyre propozim-ligjeve në mënyrë plotësuese do të ndikojnë në uljen e cilësisë së vëzhgimit të shërbimeve. Bëhet fjalë për ligjin për ndjekjen e komunikimeve ku në një pjesë theksohet se çfarë vëzhguesit nuk mund të mbikëqyrin. Këtu janë theksuar shumë gjëra se çfarë mbikëqyrja nuk mund të verifikojë të cilat në thelb, nëse miratohen, mbikëqyrja do të jetë vetëm formale – u shpreh Emil Dimitriev, kryetar i komisionit për mbikëqyrjen e ATO-së.
ATO-ja filloi punë në nëntor të vitit të kaluar, si organ ndërmjetësues i cili do të përçojë sinjalin nga operatori celular deri te organi i cili merr lejen e përgjimit. Komisioni parlamentar që ndjek punën e saj, thotë se deri tani, bashkëpunimi me këtë institucion ka qenë mjaftë korrekt.
Fatlume Dervishi
The post Ekspertët e BE-së, kritika për vonesat në mbikëqyrjen e ATO-së appeared first on ALSAT-M.