11 September 2018 / 16:03
Makina është e njëjtë, por disa pjesë janë të ndryshme. Ky është qëndrimi i mbrojtjes së të akuzuarve në rastin “Monstra” pas ekspertizës të sotme publike të makinës “Opel” të cilën, sipas akuzës, autorët e vrasjes së pesëfishtë në Liqenin e Smilkovës e kanë përdorur gjatë kryerjes së krimit. Për shkak të këtyre vërejtjeve, mbrojtja do të këmbëngul për ekspertizë tjetër.
Ekspertizat që kinse janë vërtetuar në këtë makinë, nuk përkojnë me pamjen aktuale të automobilit. Do të përmend një detaj, për shembull fanari i djathtë, gjatë ekspertizës shihet në vendngjarje se nuk përkon me foton e mëhershme. Këtu bëhet fjalë për fanar krejtësisht të ri, ndërsa në foto është i vjetër, me çka qartë shihet se diçka është ndryshuar në makinë- tha Naser Raufi- avokat i të akuzuarve.
Sipas personit të autorizuar nga familjet e të vrarëve, pas ekspertizës më në fund janë zbardhur çështjet kontestuese rreth automobilit dhe nuk ka më dyshime se pamja e automobilit është e njëjtë, siç është vërtetuar paraprakisht.
Numri i karoserisë u pa, u krahasua dhe u konfirmua se ajo që përmendet në akuzë, është po e njëjta në vendngjarje, në karoseri dhe në motor. Çështja kontestuese lidhur me mbrojtësen nga balta…shihet se ka mbrojtëse nga balta. Çështja tjetër kontestuese është tek ulëset e pasme, se a ka mbajtëse tek ulëset e pasme dhe u konfirmua se ka-deklaroi Dafinka Ivanovska- e autorizuar e familjes së viktimave.
Paraprakisht, gjatë ekspertizës, prokurorja speciale, Fatime Fetai tha se shihet qartë se automobili ka ulëse të pasme. Por, avokati Asmir Apishahoviq kërkoi të vërtetohet nëse bëhet fjalë për automjetin e njëjtë përmes numrit të karoserisë. Gjykatësi Ognen Stavrev më pas kërkoi që automobili të hapet, por nga Agjencia për menaxhimin e pronës së konfiskuar, në depon e së cilës ruhet automobili në Milladinovc, u shprehën se asnjëherë nuk kanë pasur çelës të makinës. Nga Ministria e brendshme makinën ua kanë sjellë më 1 nëntor të vitit 2012 dhe se, prej atëherë, as nuk është hapur apo lëvizur nga vendi. Për këtë, një orë e gjysmë është pritur të vijë tekniku i ekspertizës i cili hapi makinën dhe sipas numrit të karoserisë u vërtetua se bëhet fjalë për makinën e njëjtë “Opel Omega”. Në ekspertizë prezent ishte edhe i akuzuari i parë, Alil Demiri i cili personalisht kontrolloi automobilin, që është prova kyçe e prokurorëve. Ata pohojnë se në të ka pasur pikërisht materiale të tij të ADN-së ndërsa tek gomat është gjetur baltë, përbërja e së cilës përkon me dheut në Liqenin e Smilkovës. Pas ekspertizës publike, pas urdhrit të gjykatësit Stavrev, automobili do të dërgohet në hapësirat e MPB-së. Seancat e ardhshme për rastin “Monstra” do të mbahen më 19 dhe 22 tetor.
Alat-M