EMRAT/ OFL ndalet në Vlorë, iu ‘dërgon’ formularin tri të dënuarve

EMRAT/ OFL ndalet në Vlorë, iu ‘dërgon’ formularin tri të dënuarve

Operacioni Forca e Ligjit është ndalur në Vlorë, ku u ka dërguar formularin Real Osmanit, Elidon dhe Aleksandër Bojkos. Të tre këta duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.



NJOFTIMI I PLOTË

Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

R.O., banues në Vlorë, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë;

E.B., banues në Vlorë, i dënuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”;

A.B., banues në Vlorë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.