Erdoğan: Të vendosur mbi emrin kushtetues të Maqedonisë

Erdoğan: Të vendosur mbi emrin kushtetues të Maqedonisë

Presidenti i Turqisë duke shprehur kënaqësinë e tij për mirëpritjen e Ivanovit dhe delegacionit të tij, tha se vizita e Ivanovit është një tregues i rëndësishëm i lidhjeve të lashta dhe ndjenjave vëllazërore mes Turqisë dhe Maqedonisë

ANKARA (AA) – Presidenti i Turiqisë Recep Tayyip Erdoğan në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin e Maqedonisë, Gjorge Ivanov lidhur me çështjen e emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë u shpreh se “Ne jemi vendi i parë që ka njohur emrin kushtetues. Do të jemi atje ku ishim deri tani”, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan dhe Ivanov, pas bisdemeve të mbajtura kokë me kokë dhe mes delegacioneve në Kompleksin Presidencial, zhvilluan një konferencë shtypi të përbashkët.

Presidenti i Turqisë duke shprehur kënaqësinë e tij për mirëpritjen e Ivanovit dhe delegacionit të tij, tha se vizita e Ivanovit është një tregues i rëndësishëm i lidhjeve të lashta dhe ndjenjave vëllazërore mes Turqisë dhe Maqedonisë.

Erdoğan më tej duke theksuar se në takimet kokë me kokë dhe ato mes delegacioneve kanë trajtuar marrëdhëniet mes dy vendeve në të gjitha dimensionet dhe kanë vlerësuar mundësitë e bashkëpunimit, u shpreh se kanë konfirmuar rritjen e marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve në nivele shumë më të larta si ato politike dhe kulturore. Erdoğan shprehu besimin se vëllimi i aktual i tregëtisë bilaterale me përpjekje të përbashkëta mund të rritet edhe më shumë.

Ai tha se do të vazhdojnë të inkurajojnë biznismenët dhe të japin mbështetjen e duhur në këtë drejtim.

“Shpresojmë se në periudhën e ardhëshme më shumë kompani turke do të veprojnë në Maqedoni dhe do të shërbejnë në sjelljen ekonomisë së vendit në një pikë më të mirë”, tha Erdoğan duke shprehur dëshirën për rritjen e investimeve turke në Maqedoni.

Do ta çrrënjosim organizatën terroriste FETO nga Ballkani

Presidenti Erdoğan më tutje u shpreh se, “Maqedonia ka treguar se është e vendosur në rritjen e bashkëpunimit tonë edhe në çështjen e luftës kundër terrorizmit. Veçanërisht FETO përbën një kërcënim serioz edhe për të dyja vendet. Jemi të vendosur për çrrënjosjen e kësaj organizate nga çdo vendi i botës. Natyrisht edhe Maqedonia është një ndër vendet ku FETO ka zhvilluar strukturimin e saj. Sot miku im i çmuar ndau hapur dhe qartë me ne hapat të cilat mund të merren në lidhje me këtë çështje. Shpresojmë që me mbështetjen e miqve tanë do ta çrrënjosim organizatën terroriste FETO nga Ballkani”.

Erdoğan tha se Turqia ka mbështetur në mënyrë të vendosur dhe fuqishëm Republikën e Maqedonisë që nga dita kur ka shpallur pavarësinë. “Këtë qëndrim e demonstruam qartë duke e njohur Maqedoninë me emrin e saj kushtetues dhe identitetit kombëtar dhe si shteti i parë që ka emëruar ambasador në Maqedoni”, tha Erdoğan.

Presidenti i Turqisë duke treguar se ruajtja e qetësisë dhe paqes në Maqedoni, e cila është pasqyra e Ballkanit, është një shembull i rëndësishëm për rajonin, vazhdoi duke thënë.

“Në lidhje me çështjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë shpresojmë se palët do të tejkalojnë këtë problem me vullnetin reciprok. Integrimi i Maqedonisë në institucionet euroatlantike ka rëndësi kritike në këtë kontekst. Turqia gjithashtu edhe në këtë çështje është duke vazhduar mbështetjen e saj tradicionale ndaj Maqedonisë. Shpresoj që kjo vizitë e mikut tim të çmuar të thellojë marrëdhëniet tona bilaterale dhe bashkëpunimin tonë në këto çështje”.

Erdoğan duke iu përgjigjur ftesës së homologut të tij të Maqedonisë, tha se në rast se programi i tij përshtatet në muajin maj do të zhvillojë një vizitë kthyese në Maqedoni.

Çështja e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë

Presidenti Erdoğan në lidhje me pyetjen e një gazetare nga Maqedonia se Turqia ka një qëndrim parimor për çështjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, dhe vallë do të vazhdojë këtë qëndrim në të ardhmen tha se “Këtu nuk bëhet fjalë për asnjë hezitim. Ne jemi vendi i parë që ka njohur emrin kushtetues. Do të jemi atje ku ishim deri tani. Turqia asnjëherë nuk ka pasur qëndrim të pavendosur në diplomaci. Ne pasi që e japim vendimin tonë vdesim por nuk kthehemi kurrë nga vendimi”.

“Turqia është mik i madh i Maqedonisë”

Ndërsa Presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov theksoi se Maqedonia kultivon marrëdhënie tradicionalisht miqësore me Turqinë.

“Me këtë vizitë zyrtare edhe njëherë u konfirmua fakti se ju jeni mik i madh i Republikës së Maqedonisë dhe qytetarëve të saj. Republika e Maqedonisë kultivon marrëdhënie tradicionalisht miqësore me Republikën e Turqisë dhe dinamika e takimeve tona është dëshmi për miqësinë tonë dhe për bashkëpunimin e ndërsjellë që e kemi si dy vende dhe si dy popuj”, theksoi Ivanov.

Ivanov shtoi se me presidentin e Turqisë Erdoğan kanë biseduar për çështje të brendshme politike të të dyja vendeve për gjendjet aktuale në rajon, por edhe për çështje me interes të jashtëm politik të Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Turqisë.