Është dhuruar që 10 vjet, s’ka kush të punojë me aparaturën për diagnostikimin e leukemisë te femijët

Është dhuruar që 10 vjet, s’ka kush të punojë me aparaturën për diagnostikimin e leukemisë te femijët

Ka 10 vjet që një aparat i dhuruar, i cili bën diagnostikimin e hershëm të leukemisë te fëmijët, asnjëherë nuk është shfrytëzuar nga stafi i repartit të Hematologjisë të Klinikës së Pediatrisë të QKUK-së.

Dy arsyet që e kanë lënë jashtë përdorimit këtë aparat, janë: mungesa e stafit të trajnuar që do të punonte me të dhe mungesa e reagensëve, raporton KTV.

Aktualisht, analizat e fëmijëve, ky institucion i dërgon në Graz të Austrisë për diagnostikim të kësaj sëmundjeje dhe përveç pagesës që e bëjnë shoqatat, duhet të pritet më gjatë për rezultate.

Ndërsa, nëse ky aparat do të funksiononte, analizat do të kryheshin brenda ditës në këtë klinikë.

Sidoqoftë, tashmë dy mjekët specializantë nga stafi i kësaj klinike që janë trajnuar në Austri, janë të gatshëm ta kryejnë këtë punë.

Arbana Baloku- Zejnullahu, pediatër në Repartin e Hemato-Onkologjisë, thotë se edhe këtyre si staf do t’u lehtësohej puna me funksionalizimin e këtij aparati i cili, sipas saj, në fillim të tetorit do të nisë punën.

Ndërsa, Flora Selimi, Pediatre –hematologe, tregon për numrin e fëmijëve që janë të prekur me sëmundjen e leukemisë.

Ndërsa, përmes telefonit, drejtuesi i organizatës joqeveritare “Ndihmë Fëmijëve me Kancer” që është dhuruese e këtij aparati, Ilir Gorani, ka thënë se kjo shoqatë në vazhdimësi ka paguar teknikë specialistë për mirëmbajtjen e tij.