ESPN: Çka tani për Kosovën?

ESPN: Çka tani për Kosovën?

Televizioni amerikan i sportit, ESPN, e ka publikuar një artikull të veçantë për Kombëtaren e Kosovës në versionin e saj online, të cilin mund ta lexoni në vazhdim.

Shumë lot krenarie janë derdhur gjatë rrugëtimit të Kosovës, mirëpo ka pasur edhe shumë lot pikëllimi të thellë. Eroll Salihu është i ulur në stadiumin “Fadil Vokrri”, tani stadiumi i ekipit kombëtar, përderisa skuadra po përgatitet për ndeshjen me Bullgarinë. Përballë tij është një pankartë ku shkruhet: “Vokrri, drita jonë shkëlqyese”, shkruan ESPN, transmeton Gazeta Express.

Vokrri kishte qenë presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës gjatë kohës sa kjo federatë tentonte të anëtarësohej në shtëpitë e futbollit. Përkrahë tij ishte Salihu, sekretar i përgjithshëm i federatës.

Shumë rrallë ndodhte që njëri të shihej në publik pa tjetrin, përderisa ata po udhëtonin për të marrë më shumë mbështetje për anëtarësim në FIFA dhe UEFA. Ata e bënë një punë të mrekullueshme dhe kur Vokrri vdiq në qershor të vitit të kaluar, në moshën 57-vjeçare, Kosova e vajtoi vdekjen e njërit prej shërbyesve të saj më të mëdhenj.

“Shumë herë kam qarë dhe kam tentuar ta fshehë”, thotë Salihu për reagimin e tij, i ulur në stadiumin që e mori emrin e Vokrrit pas vdekjes së tij. “Edhe tani e kam të vështirë kur e përmendi atë. Gjithçka filloi para 10 vjetëve. Dhjetë vjetëve. Ju e dini se sa i vështirë ishte procesi”.

Siç thotë kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani, Vokrri vdiq si hero… ai e krijoi një mrekulli. Kosova e ka nderuar Fadil Vokrrin në mënyrën më të mirë të mundshme me paraqitjet e saj në këtë stadium. Ata i shkatërruan kundërshtarët në Ligën e Kombeve dhe ishin disa sekonda larg fitores kundër danezëve. Kjo zonë, të cilët Vokrri e shkeli si futbollist i Prishtinës në Ligën e Jugosllavisë, ta jep ende ndjenjën e asaj kohe, edhe pse pamja e saj e jashtme ka ndryshuar.

“E mbaj mend ndeshjen kundër Ishujve Faroe vitin e kaluar [ndeshjen e parë të zhvilluar në “Fadil Vokrri”]”, thotë Ujkani. “Kapiteni i tyre erdhi dhe më tha: “Dua të të falënderoj sepse kjo është ndeshja më emocionuese e karrierës time, për shkak të tifozëve dhe atmosferës””.

Stadiumi është simbol i pamjes së një Kosove të re.

“Gjithçka ka ndodhur hap pas hapi, por ne nuk e pritnim një përmirësim kaq të shpejtë”, thotë Salihu për infrastrukturën e futbollit në Kosovë. “Ne jemi duke i parë epërsitë e të qenit anëtar në FIFA dhe UEFA. Ne mund të investojmë në rini, në ndeshjet e grave dhe ekipin kombëtar të djemve. Rezultatet janë shumë inkurajuese”.

Gjashtë nga ekipet e Superligës së Kosovës përdorin fusha me barë artificial dhe niveli i organizimit është larg asaj që ishte para anëtarësimit në FIFA, kur klubet i paguanin futbollistët me para kesh. Aty ku kosovarët luanin ndeshje fshehtazi për t’iu ikur forcave serbe, kur u rrit rreziku i luftës, tani ekipi kombëtar përballet me botën me krenari.

“Ne mund të ëndërrojmë”, thotë trajneri Bernard Challandes për mundësinë e kualifikimit në EURO 2020. “Në kokën time dhe të ekipit, ne duhet të ëndërrojmë. E kam thënë edhe më parë që gjithçka e mrekullueshme fillon me një ëndërr. Kështu që pse jo?”. /Gazeta Express/

TAGS