Alsat 25.09.2020 15:38
Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, është arrestuar në zyrat e kësaj organizate nga pjesëtarë të Eulexit. Gucati është parë duke dalë nga zyrat e OVL të UÇK-së dhe duke hyrë në veturën e EULEX-it. Bastisja dhe arrestimi u realizua nga rreth 50 policë të maskuar e të armatosur me emblema të EULEX’it në krahë.
Dhjetëra veteranë të mbledhur para zyrave të OVL-së protestojnë duke brohoritur “UÇK – UÇK”. Zyrtarë të OVL-UÇK-së u kanë thënë mediave se disa nga policët që po kryejnë bastisje janë rusë.
Avokati i kësaj organizate Tomë Gashi, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk beson që Gucati u arrestua për krime lufte. “Nuk ka gjasa që rasti ka të bëjë me krime lufte sepse ai kurrë nuk është marrë në pyetje më herët dhe në bazë të vendimit qe e kemi parë, mund të ketë gjasa që ai është arrestuar për atë që gjykata e konsideron si pengim të drejtësisë“, tha ai. Aksioni i sotëm i policëve të Eulexit, vjen një ditë pas arrestimit të Salih Mustafës, njërit prej themeluesve të UÇK-së në zonën e Llapit. EULEX-i ka dhënë përkrahje operacionale dhe logjistike Zyrës së prokurorit të Specializuar edhe në këtë arrestim.
Alsat