F1 2019: Dominimi i Hamilton – britaniku në ndjekje të ‘fantazmës’ gjermane’

F1 2019: Dominimi i Hamilton – britaniku në ndjekje të ‘fantazmës’ gjermane’
Tash esht Koha

Anëtari i Mercedes, Hamilton, ka arritur që edhe këtë vit të jetë fitues i kampionatit, dhe të regjistrojë edhe titullin e tij të gjashtë të kampionit të botës, duke mos njohur kundërshtarë, dhe duke pasur një synim në mendje – ndjekjen e ‘fantazmës gjermane’ (Michael Schumacher).

Gara e parë e sezonit nuk nisi sipas planeve të britanikut. 17 marsi dha shenja se në Formula 1 mund të rrëzohet lideri, pasi anëtari tjetër i Mercedes, Valtteri Bottas, u tregua më i shpejtë sesa Lewis Hamilton, në Grand Prix (Çmimin e Madh) të Melbourne, në Australi. Bottas e mbyllte garën në pozitën e parë, me një kohë prej 1:25:27.325, kurse Hamilton mbërrinte i dyti, me +20.886 sekonda. Pas garës  së parë, Hamilton numëronte 18 pikë.

Tashmë, britaniku kthente sytë kah Bahrain Grand Prix. Dy emrat e pozitave të para nuk ndryshonin, veçse Hamilton renditej para Bottas, për të nisur një garë përbrenda skuadrës së Mercedes, që dukeshin superiorë krahë Ferrari.

Më i shpejti i 2019 triumfonte edhe në garën e tretë, në Kinë, duke pasur përsëri rivalin kryesor Bottas, në një garë ku lideri ishte më i shpejtë sesa ndjekësi për 6 sekonda. Rivaliteti mes dyshes së Mercedes do të vazhdonte në Azerbajxhan, kur figura e dytë në Mercedes, Bottas, do të kthehej të merrte fitore, për të barazuar numrin e fitoreve me rivalin/shokun e skuadrës, Hamilton.

Gara e Azerbajxhanit i bëri me dije Hamilton se ky vit nuk do të jetë ‘ëmbëlsirë’ për të. Piloti do të merrte gjithçka me seriozitetin më të madh. Tashmë, Bottas kishte zgjuar bishën nga gjumi. Hamilton do të shkonte për katër fitore radhazi; Në Spanjë, Monako, Kanada dhe Francë. Tashmë rivalitet tregonte edhe Sebastian Vettel, që ndryshonin pozitën e dytë me Valtteri Bottas.

Fitoret e radhitura tashmë jepnin një emër favorit – Lewis Hamilton. Por, ato sikur edhe kishin lënë defektet anësore. I relaksuar me katër fitore radhazi, në krye të klasifikimit, Grand Prix i Austrisë e gjeti në gjumë yllin britanik, i cili përfundonte garën në pozitën e pestë, me Max Verstappen të Red Bull që merrte fitoren e parë të sezonit.

Në Britani të Madhe, para publikut të tij, më 14 korrik, Hamilton tregohej më i shpejti në pistë, duke lënë prapa anëtarin e Mercedes, Bottas, me 24.928 sekonda diferencë. Kjo ishte një dhuratë e mirë për publikun britanik. Por, konsistenca e pilotit britanik mungonte, pasi në Gjermani, Hamilton do të përfundonte tmerrësisht garën, në pozitën e nëntë, me Verstappen që merrte fitoren numër dy. Kurse, Hamilton do të kthehej tek fitorja në Grand Prix të Hungarisë, për t’u futur në një seri pa fitore në garat pasuese.

Belgjika, Italia dhe Singapori i jepnin pilotit britanik pozitat 2, 3 dhe 4, me LeClerc që merrte dy fitore dhe Sebastian Vettel një tjetër në Singapor, para se Hamilton të kthehej për fitore në Grand Prix të Rusisë, me kritika të cilat e përcillnin për gara jo të mira.

Problemet filluan të plasin edhe me skuadrën e Mercedes, e cila pranonte kritikat për makinën, kurse Hamilton nuk mbante stabilitetin, duke pësuar edhe në Japoni, me Bottas që dilte fitues. Meksika kthente britanikun në pozitën e parë, kurse në SHBA ai përfundonte i dyti, duke siguruar edhe matematikisht titullin e kampionit të botës, për të gjashtën herë. Festa e madhe e ‘ndihmoi’ pilotin për të rënë krejtësisht në Brazil, ku përfundonte në pozitën e shtatë, me +11.139s.

Gara e fundit e Formula 1 për vitin kalendarik 2019 do të zhvillohej në Abu Dhabi – Grand Prix, në pistën e ‘Yas Marina. Lewis Hamilton kishte përpara titullin e kampionit, dhe për t’i dhënë fund me shije të mirë, piloti britanik u tregua më i shpejti i pistës, duke lënë prapa tij Max Verstappen me +16.772s.

Me 26 pikët e marra në garën e fundit, Hamilton do të shkonte në 413 pikë, 11 fitore dhe plot 17 podiume. I dyti do të renditej Valtteri Bottas me 326 pikë, kurse top treshen mbyllte Max Verstappen, me 278 pikë.

Tashmë, me gjashtë tituj të kampionit të botës, synimi është i qartë – ndjekja dhe tejkalimi i ‘fantazmës gjermane’ – Michael Schumacher, pilotit që fitonte shtatë tituj botëror të kampionit, duke u kthyer në një ikonë të këtij sporti.

Numri 44 i Mercedes, Hamilton, dëshiron të jetë ikona e këtij sporti, për gjeneratat në ardhje. Misioni do të jetë i vështirë, rivalët për t’u mposhtur janë kualitativ. Ata mund të ndalin Hamilton, por edhe mund të shtyjnë britanikun që të prekë limitet. 34 vjeçari gëzon përkrahje të madhe. Besimi është i madh se ai mund të thyej rekordin e Schumacher. Pistat e 2020 pritet të jenë më interesante se kurrë, me Hamilton në ndjekje të ‘fantazmës gjermane’, si dhe me rivalët si Max Verstappen, Charles Leclerc e Valtteri Bottas si pilotët për t’u mposhtur. /Taulant Gashi/ Lajmi.net/

Tash esht Koha
TAGS