Facebook forcon rregullat në shërbimin “Live Streaming”

Facebook forcon rregullat në shërbimin “Live Streaming”

Facebook ka njoftuar sot se do të prezantojë kufizimet në shërbimin “Live Streaming” (transmetim i drejtpërdrejtë), duke aplikuar një politikë “one strike”, pas sulmeve terroriste të Christchurch.

Kujtojmë se në një sulm terrorist në xhamitë Al Noor dhe Linwood në Christchurch të Zelandës së Re u vranë 50 besimtarë myslimanë të cilët kishin shkuar për të falur namazin e ditës së premte.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Guy Rosen, zëvendëspresident i Facebook-ut për menaxhimin e produkteve shkroi: “Pas sulmeve të tmerrshme terroriste në Zelandën e Re, ne kemi shqyrtuar se çfarë mund të bëjmë më shumë për të kufizuar shërbimet tona nga përdorimi i tyre për të shkaktuar dëme apo për të përhapur urrejtjen”.

“Si rezultat i drejtpërdrejtë, duke filluar nga sot, njerëzit që kanë shkelur rregulla të caktuara në Facebook … do të kufizohen nga përdorimi i Facebook Live”, citohet të ketë thënë ai.

Ndryshe, vrasjet e 15 marsit në Zelandën e Re u transmetuan drejtpërdrejt në Facebook.

Incidenti në fjalë nxiti edhe kryeministren Jacinda Ardern të kërkojë ndalimin e përhapjes së pamjeve të dhunës ekstreme në internet.

Gjithashtu, bëhet e ditur se politika “one strike” do t’i shoh përdoruesit të kufizohen nga përdorimi i transmetimit të drejtpërdrejtë për një periudhë të caktuar kohore.

“Për shembull, dikush që ndan një lidhje me një deklaratë nga një grup terrorist pa kontekst do të bllokohet menjëherë nga përdorimi i Live për një periudhë të caktuar kohe”, ka thënë tutje Rosen.

Në këtë drejtim, mediat raportojnë se Facebook do të investojë 7.5 milionë dollarë në kërkime për të përmirësuar teknologjinë e analizës së imazhit dhe të videos – gjithashtu duke bashkëpunuar edhe me universitetet amerikane për të parë teknika të reja.

TAGS